MENU
klinika

Nga 'urimet' e Amerikës tek zemërimi i Rusisë

Si kanë reaguar ndërkombëtarët për marrëveshjen

06.09.2020 - 10:51

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që u nënshkrua të premten në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit, Donald Trump, u mirëprit në Prishtinë nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe partitë në pushtet, por, nuk u duartrokit nga partitë opozitare.

Ndërkohë, reagime ka patur edhe nga ndërkombëtarët, duke nisur që nga vetë presidenti amerikan Trump, kandidati tjetër për president Joe Biden, tek BE dhe Rusia.

Bashkimi Evropian i përmbajtur ndaj marrëveshjes

Me komente të matura për marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë u shprehe Bashkimi Evropian. Në reagimin e BE, thuhet se ” BE e ka në vëmendje nënshkrimin e dokumentit midis Beogradit dhe Prishtinës, në Shtëpinë e Bardhë”. “Ne mirëpresim palët në Bruksel këtë fundjavë dhe javën e ardhshme për të vazhduar punën tonë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që ka të bëjë me të gjitha çështjet e pazgjidhura në lidhje me marrëdhëniet e tyre, dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe atë të BE-së “, ka thënë Peter Stano, zëdhënës i Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell.

Trump: Marrëveshja Kosovë-Serbi, një hap i madh përpara

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Serbia dhe Kosova ranë dakord të normalizojnë marrëdhëniet ekonomike, duke e cilësuar këtë si “një tjetër angazhim historik”. Presidenti Trump i bëri komentet në një deklaratë për shtyp të premten, pas nënshkrimit të marrëveshjes mes dy vendeve në Shtëpinë e Bardhë.

“Pas një historie të dhunshme dhe tragjike dhe vitesh negociatash të dështuara, administrata ime propozoi një mënyrë të re për të kapërcyer ndarjen”, thuhet në deklaratën e presidentit Trump. “Duke u përqëndruar në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike, të dy vendet ishin në gjendje të arrijnë një përparim të vërtetë në bashkëpunimin ekonomik për një gamë të gjerë çështjesh”.

Presidenti Trump tha se me këtë marrëveshje është bërë gjithashtu përparim në arritjen e paqes në Lindjen e Mesme. Kosova dhe Izraeli kanë rënë dakord për normalizimin e marrëdhënieve dhe krijimin e lidhjeve diplomatike. Serbia është zotuar të hapë një zyrë tregtare në Jeruzalem këtë muaj dhe të zhvendosë ambasadën e saj në Jeruzalem deri në korrik.

“Është dashur një trimëri e jashtëzakonshme nga Presidenti Vuçiq i Serbisë dhe Kryeministri Hoti i Kosovës për të filluar këto bisedime dhe për të ardhur në Uashington për të finalizuar këto angazhime”, thuhet në deklaratën e presidentit Trump. “Në këtë mënyrë, ata i kanë bërë vendet e tyre, Ballkanin dhe botën më të sigurtë. Unë pres që të shoh Serbinë dhe Kosovën të përparojnë ndërsa ne punojmë së bashku për bashkëpunimin ekonomik në rajon në të ardhmen”, përfundon deklarata.

Kryeministri izraelit komenton hapjen e ambasadave në Jerusalem

Në një deklaratë pas njoftimit, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha: “Kosova do të jetë vendi i parë me shumicë myslimane që hap ambasadë në Jeruzalem. Siç e kam përmendur ditët e fundit, rrethi i paqes dhe i njohjeve për Izraelin po zgjerohet dhe pritet t’i shtohen vende të tjera.”

Palestinezët dhe Liga Arabe kundër hapjes së ambasadave të Kosovës dhe Serbisë në Jerusalem Palestina ka reaguar për hapjen e ambasadave të Kosovës dhe Serbisë në Jerusalem.

Në një deklaratë dërguar mediumit kinez “Xinhua”, Ministria e Punëve të Jashtme palestineze tha se vendimi i hapjes së ambasadave është “sulm i hapur dhe i pajustifikueshëm kundër palestinezëve”.

Ministria i ka bërë thirrje dy shteteve që të tërheqin “vendimet e tyre të padrejta”. Ndërkohë, sekretari i Ligës Arabe, Ahmed Aboul-Gheit po ashtu ka dënuar planin e Kosovës dhe Serbisë për të hapur ambasadat. Në një deklaratë, ai ka thënë se ky veprim është kundër ligjeve ndërkombëtare dhe rezolutës së Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.

Joe Biden: Kosova duhet të jetë shtet i pavarur, jo pjesë e Serbisë

I pyetur nga Zëri i Amerikës lidhur me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, kandidati demokrat për president, Joe Biden tha se nuk ishte në dijeni të hollësive të marrëveshjes, megjithatë, “Ajo që kam argumentuar në lidhje me Serbinë dhe Kosovën është se Kosova duhet të jetë një vend i pavarur. Nuk është pjesë e Serbisë. Kam kaluar shumë kohë atje. Nuk i di hollësitë e marrëveshjes por supozoj se do ta përforconte pavarësinë e Kosovës.

Zoti Biden tha se e sheh me pozitivitet faktin që një vend me shumicë myslimane si Kosova e njeh Izraelin si shtet. “Mendoj se është e rëndësishme. Por gjithashtu besoj se Izraeli duhet të jetë i përgatitur të punonjë drejt një zgjidhje me dy shtete me palestinezët, tha zoti Biden.

MPJ e Rusisë me mesazh turpërues pas vizitës së Vuçiqit në Shtëpinë e Bardhë, Gjuriq: Turp të keni

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Rusisë. Zëdhënësja e MPJ-së ruse, Maria Zakharova ka publikuar një mesazh turpërues pas vizitës së Vuciqit në Shtëpi të Bardhë.

“Nëse jeni ftuar në Shtëpinë e Bardhë, dhe karrigia është ngritur për t’ju marrë në pyetje, uluni si në figurën 2, kushdo që të jeni. Thjesht më beso”, ka shkruar Zakharova në Facebook.

Pas këtij mesazhi, i menjëhershëm ka qenë reagimi i shefit të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriq. Gjuriq i ka thënë Zakharovës së duhet të kenë turp pas këtij mesazhi. “Imagjinoni që presidenti nuk tha asnjë fjalë të shëmtuar kundër Rusisë, madje as në atë vend. Dhe imagjinoni që presidenti priti për një orë e gjysmë [me presidentin rus] dhe kurrë nuk kërkoi një karrige të veçantë. Nuk ju lejoj të sulmoni Serbinë krenare. Turp për ju”, ka reaguar Gjuriq.

Po ashtu, pas marrëveshjes kishin reaguar edhe ultranacionalistët pro-rus në Serbi.
Sipas tyre, kjo marrëveshje ia fut “gishtin në sy” Rusisë.

Shtetet e Bashkuara u përfshin në këtë dialog më shumë, pasi më 4 tetor 2019, presidenti Trump e emëroi Richard Grenellin si të dërguarin e tij të posaçëm në këto bisedime.

Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq do të takohen në Bruksel të hënën, ndërsa gjatë kësaj fundjave do të zhvillohen bisedime në nivel të ekspertëve.

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!