Ndonëse gjatë gjithë verës është folur për një kalim te Lazio apo Inter, Marash Kumbulla mund të luajë te Roma. Nga Italia, gazetari Fabrizio Romagno e jep si të mbyllur transferimin e futbollistit të datëlindjes 2000 në kryeqytetin italian.
Sipas tij, verdhekuqtë u hodhën në sulm menjëherë sapo mësuan se nuk do të ketë akord me Manchester United për Kris Smolling. Klubi i Veronës nuk pranon të negociojë poshtë shifrës 30 milionë euro dhe kjo ka bërë që Lazio e Inter të tërhiqen disi.
Dhe kështu e ardhmja e mbrojtësit të kombëtares ka marrë një kthesë të papritur. Roma duket se ka bindur edhe Veronën duke pranuar të paguajnë 30 milionë euro, por vetëm vitin e ardhshëm.
Fillimisht Kumbulla do të transferohet me formulën e huazimit me detyrimin e blerjes. Tashmë, pritet që palët të bëjnë gjithçka zyrtare e mbrojtësi të nisë një eksperiencë të rëndësishme pas vetëm një viti debutimi në elitën e futbollit italian.