MENU
klinika

Alfred Peza

Nuk ua kanë fajin listat e hapura, por koalicionet e mbyllura!

21.09.2020 - 17:47

Nga Alfred Peza

Nëse hapja e listave të kandidatëve për deputetë do të ishte vërtetë shqetësimi real i opozitës së rrugës, në përpjestim me zhurmën e jashtëzakonshme që po bëjnë publikisht për to, minimumi që do të kishte bërë do të ishte paraqitja e një drafti. Krahas porpozimit që ka paraqitur deri më sot vetëm PS, edhe përfaqësuesit e PD dhe LSI duhej të kishin dorëzuar në tryezën e Këshillit Politik, një propozim konkret.

Mosparaqitja e asnjë ideje, drafti, alternative nga ana e Lulzim Bashës e Monika Kryemadhit, është tipike në stilin e opozitës sonë. E cila ulëret se nuk është dakord me formulën e propozuar nga PS, por nuk thotë asnjë fjalë sesi do të ishte sipas saj, mënyra më e mirë për të garantuar hapjen 100% të listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Opozitarët tanë kanë 7-8 vjet që thonë për gjithçka se janë kundër mënyrës sesi qeverisin socialistët, por pa paraqitur në asnjë rast asnjëherë, asnjë ide, program, platformë, projekt apo propozim alternativ.

Kjo do të thotë: Ose kemi përballë një opozitë totalisht të paaftë. Pa ide. Pa vizion. Pa mendim. Pa ekspertizë. Pa asnjë mendim politik. Ose, kemi përballë një opozitë diabolike. E cila brenda vetes është dakord me propozimin e PS për hapjen me 100% të listave, por nuk ka guximin politik që të dali e të pranojë: Po. Jemi dakord me propozimin e mazhorancës!

Në një intervistë ku më e gjatë ishte pyetja e drejtuesit të emisionit sesa përgjigja e tij, e vetmja gjë që ka thënë deri tani Lulzim Basha për këtë çështje, është: “Jemi për hapjen 100% të listave sipas rendit alfabetik”. Por pa ofruar asnjë shpjegim për mekanizmin që do garantojë ruajtjen e balancave gjinore të përfaqësimit në Parlamentin e ri. Formulën e përllogaritjes së mandateve fituese. Modelin e fletëve të votimit. Modelet e vendeve të tjera demokratike europiane që e aplikojnë këtë skemë, etj.

Mospasja e një drafti të shkruar, është një problem më i thellë i brendshëm, i “Opozitës së Bashkuar”. Fatmir Mediu e pranon se opozita nuk e ka një propozim të vetin për hapjen e listave. Nëse do hartohet në ditët në vijim, Kryetari i PR thotë se ai duhet të diskutohet, brenda vetë opozitës fillimisht. Çka tregon, se jemi larg një propozimi zyrtar për tryezën e Këshillit Politik, nga ana e PD dhe LSI. Ndaj e gjitha çfarë flitet deri tani, është thjeshtë një zhurmë opozitare sa për zhurmë dhe jo një përpjekje reale, për gjetjen e një zgjidhje të pretenduar.

Po pse Lulzim Basha nga njëra anë thotë se kërkon hapjen e listave, e nga ana tjetër, nuk e dorëzon zyrtarisht me shkrim këtë propozim? Përgjigja vjen nga vetë aleatët e tij më të vegjël. Problemi më i madh që ka sot PD dhe LSI me ta, është mungesa e një formule opozitare, për daljen me koalicione. Pra, ndërkohë që zhurma bëhet për listat e hapura, problemi real janë koalicionet e mbyllura. PD po bën plan më vete për koalicionin. LSI më vete. Ndaj partitë e vogla, ndodhen në morsën e pasigurisë, mes tyre.

Të gjithë kryetarët e partive të “Opozitës së Bashkuar”, në ligjërimin publik e thonë me fjalë se qëllimi i vetëm që kanë, është rrëzimi i PS dhe Edi Ramës nga pushteti. Por, në praktikë u mungon një platformë e përbashkët opozitare, për qeverisjen e nesërme. Çka vërteton projektet për koalicionet e mbyllura.

Kjo do të thotë:

E para, ata e kuptojnë se nuk e ndalojnë dot mazhorancën të fitojë edhe një mandat të tretë qeverisës.

E dyta, në këto kushte halli i karrierës së tyre personale dhe i partive që përfaqësojnë, prevalon mbi ambicjen e shpallur elektorale, të të gjithë opozitës.

Kjo i shtyn që të mos e kenë hallin tek fitorja e pamundur në zgjedhjet e pranverës, por tek evitimi i humbjes së të ardhmes së tyre politike.

Ndaj, siç mund të kuptohet fare qartësisht, për të gjitha problematikat e tyre të brendshme, nuk ua ka fajin as PS, as mazhoranca e saj, as Edi Rama dhe qeveria e tij. Madje, nuk ua kanë fajin as listat e hapura. Por mendjet e tyre prej liderësh të vegjël dhe intrigat që po thurin me koalicionet e mbyllura.

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!