Rreth 1300 persona dolën pa punë në bashkinë e Lezhës nga Marsi e deri në Gusht. Drejtori i Zyrës së Punës, Fatmir Delishi tha se sektori i turizmit është më i dëmtuari nga pandemia e Covid-19 që shtoi radhët e të papunëve. Gjithsesi ai shton se në muajit në vijim pret përmirësim të situatës dhe hapje të tregut të punës, sidomos në fasoneri.
Situata e jashtëzakonshme e krijuar nga pandemia e Covid-10 ka trefishuar numrin e të papunëve në Lezhë.
Nga 740 punënkërkues që kishte në fillim të vitit, numri i tyre shkoi në 2 070.
“Jo vetëm që është rritur numri i të papunëve në mënyrë galopante, por është rritur dhe numri i punëkërkuesve si dhe të punësuarve të sektorit privat” – tha drejtori i shërbimit të punësimit në Lezhë, Fatmir Delishi.
Delishi shton se këtë vit edhe kërkesat për punë nga sektori i turizmit kanë qenë të ulëta.
“Sezoni turistik, ofertat e bizneseve kanë qenë shumë të ulëta në krahasim me vitin e kaluar” – tha Delishi.
Kriza ekonomike e krijuar nga pandemia, ka detyruar shumë sipërmarrje private që të shkurtojnë numrin e punonjësve e kjo është reflektuar në ekonominë e shumë familjeve në rajonin e Lezhës.