MENU
klinika

Hajnaj: Kandidatët më të mirë do të zgjidhen njësoj si rekrutimet në FBI

Pas takimit me ambasadoren amerikane, hapet gara për 60 hetuesit e parë të BKH

09.09.2020 - 10:25

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, zhvilloi dhe një takim me drejtoreshën e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj, dhe drejtuesin e SPAK-ut, Arben Kraja.

Takimi u zhvillua gjatë vizitës së ambasadores Kim në zyrat e reja të Prokurorisë së Posaçme. Pas këtij takimi ambasadorja amerikane ka siguruar dhe njëherë për mbështetjen ndaj SPAK-ut, ndërsa theksoi se Reforma në Drejtësi nuk do të jetë e shpejtë ose e lehtë, por po ecën para hap pas hapi. “U takova sot me drejtoreshën e BKHsë, Hajnaj, dhe shefin e Gjykatës së Posaçme, Kraja, për të përsëritur mbështetjen e fortë për SPAK-un. Reforma në Drejtësi nuk do të jetë e shpejtë ose e lehtë, por po ecën përpara hap pas hapi dhe duhet të vazhdojë në mënyrë që njerëzit e Shqipërisë të kenë drejtësi. Sundimi i ligjit është gjithashtu thelbësor për investimet e huaja”, ka reaguar ambasadorja Kim. Pasi ambasadorja e SHBA-së u takua me drejtoreshën e BKH-së dhe kreun e SPAK-ut, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur konkursin për hetues pranë këtij institucioni. Në njoftimin e BKH-së jepen të gjitha detajet e kushteve që duhet të plotësojë kandidati për të qenë hetues pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe kontaktet e nevojshme. Sipas BKH-së, kandidatët duhet të kenë eksperiencë në fushat e përcaktuara në Ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, si dhe në fushat që kanë lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (ekonomik, teknologji e informacionit).

APLIKIMI

Sipas njoftimit zyrtar të BKH-së, për të aplikuar për pozicionin e hetuesit të BKHsë, kandidatët do të duhet të plotësojnë disa kritere, si dhe të dorëzojnë disa dokumente. Nevojitet vërtetim zyrtar që vërteton vlerësimet për aftësitë e tij/saj profesionale, etike dhe integritetin moral; vërtetim zyrtar që vërteton se ndaj tij/saj nuk është marrë masa disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e aplikimit; një deklaratë për mungesën e konfliktit të interesit, që do të pohojë se kandidati nuk është palë ose përfaqësues ligjor në çështje që janë objekt hetimi nga BKH-ja dhe Prokuroria e Posaçme, si edhe nuk ka asnjë konflikt interesi, i cili do ta bënte të pamundur angazhimin e kandidatit në pozicionin e hetuesit. Pas kësaj, do të kryhen fazat e përzgjedhjes ku aplikantët do t’u nënshtrohen disa testimeve. Vetëm kandidatëve që do të kualifikohen për në fazën e intervistës do t’u kërkohet të dorëzojnë dokumentet në lidhje me procesin e verifikimit.

MESAZHI E DREJTUESES

Hapja e procesit të përzgjedhjes së hetuesve të Byrosë Kombëtarë të Hetimit u njoftua fillimisht nga vetë drejtuesja, Aida Hajnaj, përmes një mesazhi në faqen zyrtare të Byrosë. Sipas saj, përmes këtij procesi do të përzgjidhen 60 hetues që do të jenë pjesë e BKH-së. Kjo është një mundësi e mirë për të gjithë ata që kanë përvojën e duhur dhe përmbushin kriteret ligjore për arsimimin e duhur, integritetin, aftësitë mendore dhe fizike. “Ne synojmë të zgjedhim pjesë të ekipit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit profesionistët më të zotë, që garantojnë profesionalizëm dhe përkushtim në përmbushje të këtij misioni të lartë. Ekipi i ri do të punojë ngushtësisht dhe nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm për të hetuar veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe do të garantojë një strukturë të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm. Të gjithë kandidatët ftohen të marrin pjesë në një proces përzgjedhjeje të drejtë, transparent, të barabartë, që përfshin: aplikimin elektronik, provimin me shkrim të arsyetimit logjik, testin fizik, provimin me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve dhe nivelin e shkrimit e leximit, intervistën që mat aftësitë e komunikimit verbal, aftësitë për t’i komunikuar idetë me eficencë dhe verifikimin e thelluar të pasurisë dhe figurës. Kandidatët që do të identifikohen si më të mirët, duke ndjekur të njëjtin proces përzgjedhjeje si ai që zhvillohet sot për rekrutimet në FBI, do të verifikohen për plotësimin e kritereve të integritetit dhe do t’i nënshtrohen testimit të poligrafit. Procesi do të asistohet dhe monitorohet nga afër nga Komisioni Ndërkombëtar i Ekspertëve, çka garanton transparencë dhe objektivitet maksimal në këtë proces rekrutimi. Kandidatët fitues do t’i nënshtrohen një programi të gjatë trajnimi që do të sigurohet nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, me trajnerë të specializuar nga Byroja Federale e Hetimit (FBI)”, shprehet Hajnaj në mesazhin e saj.

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të trajnohen në Amerikë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej disa muajsh nëpërmjet videove të shumta ka mbështetur ngritjen e BKH-së, ndërsa ka bërë të ditur se qeveria amerikane do të mbështesë financiarisht këtë njësi. Sipas këtyre videove, hetuesit që do të jenë pjesë e Byrosë do të trajnohen në akademinë e FBI-së në Amerikë. “Byroja dhe FBIja janë të ngjashme”, shkruante Ambasada disa muaj më parë, ndërsa e shikon këtë organ si një garanci që askush nuk do të jetë mbi ligjin. Trajnimet e hetuesve të Byrosë do të ndiqen edhe nga një komision ndërkombëtar vëzhguesish, për të parë ecurinë e tyre dhe përgatitjet që do t’u bëhen. Ashtu si prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm, edhe hetuesit e BKH-së do t’u nënshtrohen kontrolleve të vazhdueshme të llogarive bankare dhe telefonit. Këto kontrolle, theksohet në video, do të bëhen me qëllim për të monitoruar dhe parë nëse hetuesit janë duke kryer punën me integritet dhe të pandikuar. Duke vënë në dukje se në të kaluarën ka qenë shumë e lehtë që me para dhe pushtet të mund të ndikoje në sistemin e drejtësisë për të marrë një vendim, me ngritjen e strukturave të reja, sipas SHBA-së, kjo nuk do të jetë më e mundur.

KRITERET PER APLIKIM DOKUMENTET

-Vërtetim zyrtar që vërteton vlerësimet për aftësitë e tij/saj profesionale, etike dhe integritetin moral.
-Vërtetim zyrtar që vërteton se ndaj tij/saj nuk është marrë masa disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e aplikimit.
-Një deklaratë për mungesën e konfliktit të interesit, që do të pohojë se kandidati nuk është palë ose përfaqësues ligjor në çështje që janë objekt hetimi nga BKH-ja dhe Prokuroria e Posaçme, si edhe nuk ka asnjë konflikt interesi, i cili do ta bënte të pamundur angazhimin e kandidatit në pozicionin e hetuesit.

FAZAT E PËRZGJEDHJES

-Provim me shkrim për të arsyetuarit logjik.
-Testim i aftësive fizike që mat forcën dhe rezistencën fizike (para këtij testimi fizik kandidati duhet të ketë me vete një raport mjekësor për aftësisë fizike të lëshuar nga specialisti kardiolog). –Një provim të zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si edhe nivelin e shkrimit dhe të leximit.
-Intervistë nga Komisioni i Përzgjedhjes në Prokurorinë e Posaçme që mat aftësitë e komunikimit verbal, si dhe aftësinë e aplikantit për të komunikuar idetë me eficencë. Kandidatëve që do të kualifikohen për në fazën e intervistës do t’u kërkohet të dorëzojnë dokumentet në lidhje me procesin e verifikimit dhe do t’i nënshtrohen testit të poligrafit.
-Në një fazë të mëvonshme, kandidati i nënshtrohet procesit të verifikimit nga Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve.
-Një vlerësim i plotë mjekësor që vërteton që aplikantët plotësojnë standardet e duhura shëndetësore për të përmbushur nevojat e punës.

PROCESI I VERIFIKIMIT

Kandidatët do të plotësojnë dhe do të dorëzojnë deklaratat për pasurinë dhe konfliktin e interesit në përputhje me ligjin. Kandidatët do të plotësojnë pyetësorin e sigurisë dhe do ta dorëzojnë në përputhje me ligjin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN