MENU
klinika

Balla, pjesë e ceremonisë

Përkujtohet 111-vjetori i mbajtjes së Kongresit të Elbasanit

10.09.2020 - 10:06

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka marrë pjesë në ceremoninë e përkujtimit të Kongresit të Elbasanit, mbajtur 111 vjet më parë. Balla tha ndër të tjera se Elbasani është kryeqyteti i arsimit në Shqipëri.

Teksa u ndal në fillimin e vitit të ri shkollor, Balla tha se ky vit do të nisë me sfida të mëdha.

“Këtë vit shkollat do të nisin me sfidën e madhe të ruajtjes së shëndetit të fëmijëve, mësuesve, por edhe familjeve të tyre. Hapja e shkollave është domosdoshmëri dhe menaxhimi që bashkitë, në bashkëpunim me strukturat e tjera të kujdesit shëndetësor, po i bëjnë situatës, është për t’u vlerësuar”, tha Balla.

Balla tha se ndihet i nderuar që mbaj një fjalë përshëndetëse në një ceremoni solemne që lartëson vlerat e kryeqytetit të arsimit në Shqipëri, sikurse është Elbasani.

“Nuk është rastësi dhe as risi që sa herë përmendet emri i Elbasanit, përmendet edhe togfjalëshi, djepi i arsimit.

Ky togfjalësh rrjedh nga një traditë e gjatë dhe shumë cilësore në arsim që një qytet si Elbasani ka pasur të lehtë ta krijojë me kolosë të mëdhenj si Kostandin Kristoforidhi apo Alensandër Xhuvani me mësues të tjerë të shquar, me patriot e atdhetarë që rrugën e arsimit shqip e kanë shtruar me sakrifica, mundim, por edhe me besë shqiptari.

Çdo qytet shqiptar, për arsimin shqip, i detyrohet Kongresit të Elbasanit. Kjo ngjarje është një vulë në histori që sot mbush plot 111 vite”, tha Balla në fjalën e tij.

Ceremonia u përshëndet nga Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, historianë dhe të pranishëm të tjerë të cilët vlerësuan kujtimin e këtyre datave madhore të historisë së arsimit shqip.