MENU
klinika

ANALIZA/ Tre arsye

Përse qeveria e re e Malit të Zi mund të destabilizojë Ballkanin Perëndimor?

17.09.2020 - 14:21

Muajin e kaluar, zgjedhjet e përgjithshme të Malit të Zi prodhuan një rezultat të papritur, i cili mund të rezultojë shumë domethënës për peizazhin politik të Ballkanit Perëndimor.

Për herë të parë në 30 vjet partia e Milo Gjukanovicit (PSD) nuk do të hyjë në qeveri. E udhëhequr nga presidenti i vendit, Milo Gjukanoviç, DPS ka dominuar skenën politike kombëtare që nga zgjedhjet e para shumë partiake të Malit të Zi në 1990. Në vend të kësaj, tre koalicione të gjera, me platforma të ndryshme politike, kanë grumbulluar 41 vende në parlament, duke formuar një shumicë qeverisëse.

Ata tashmë kanë nënshkruar një marrëveshje mbi parimet për koalicionin e ri, i cili do të përbëhet nga jo më pak se 20 parti. Narrativa mbizotëruese e këtyre tre blloqeve politike është ndryshimi, por një vështrim nga afër i partive dhe udhëheqësve të tyre jep një pamje më komplekse, një që mund të rezultojë në destabilizimin e Malit të Zi.

Nga këto tre blloqe, më i madhi (ZBCG) është një koalicion i gjerë i partive populiste etno-nacionaliste, klerike, konservatore me një platformë pro-serbe, pro-ruse, anti-NATO dhe euroskeptike. Shumica e udhëheqësve të tyre kryesuan fushatën në favor të mbajtjes së Bashkimit Shtetëror me Serbinë gjatë referendumit të vitit 2006. 27 deputetët e tyre vijnë kryesisht nga Fronti Demokratski (DF), një koalicion dy udhëheqësit e të cilit, Milan Knezevic dhe Andrija Mandic, secili mori pesë vjet burg për krijimin e një organizate kriminale që qëndronte pas grushtit të shtetit të dështuar të mbështetur nga Rusia në prag të zgjedhjeve parlamentare të tetorit 2016. Kisha Ortodokse Serbe dhe mediat pro-qeveritare në Serbi mbështetën hapur fushatën zgjedhore të DF. Kjo u shoqërua me një ndërhyrje të fuqishme kibernetike nga Serbia në rrjete të ndryshme sociale.

Blloku i dytë më i madh në shumicën e re përqendrohet rreth një partie relativisht të re populiste, Demokrate Crne Gore (DCG), e udhëhequr nga Aleksa Becic. Ndërsa ky bllok portretizohet nga shumë si opozitë qytetare, udhëheqësi është një nga zërat kryesor në favor të bashkimit me Serbinë dhe një aleat besnik i Sllobodan Millosheviç deri në rrëzimin e tij në vitin 2000. Megjithëse Becic është përpjekur ta paraqesë veten si qytetar dhe pro-Europian, për katër vitet e fundit anëtarët e partisë së tij refuzuan të zinin vendet e tyre në parlament, në kundërshtim me thirrjet e BE për ta bërë këtë. Kjo më pas i lejoi ata të shmangnin detyrimin për të mbajtur një pozicion mbi pranimin e Malit të Zi në NATO. Kjo gjithashtu i lejoi ata të qëndronin hapur në krah të Kishës Ortodokse Serbe gjatë protestave anti-qeveritare.

Një parti tjetër në këtë bllok është Demos. Udhëheqja e saj u nda nga partitë e krahut të djathtë aktualisht në bllokun më të madh të përshkruar më sipër. Demos është një parti konservatore e skajshme e udhëhequr nga Miodrag Lekiç, i cili ishte ambasadori Jugosllav në Itali nën Millosheviçin dhe dikur ishte udhëheqësi i DF dhe kandidati i asaj partie për zgjedhjet presidenciale në 2012. Ai mbetet një nga kritikët më të zëshëm të qeverisë në largim vendimi për tu lidhur me sanksionet e BE-së kundër Rusisë.

Koalicioni i tretë dhe linja kryesore e shumicës së ardhshme qeverisëse në parlament, është lëvizja URA, e udhëhequr nga shqiptari Dritan Abazoviv. Ajo është një parti qytetare dhe pro-europiane. Ajo ka vetëm katër deputetë, të cilët u zgjodhën në 5.2 për qind të votave. Pritja e ekspertëve është që Abazovic të mbajë nën kontroll dy parti më të mëdha.

Zyrtarisht, krerët e tre partive që dominojnë secilin bllok kanë rënë dakord mbi një grup minimal parimesh si themel i koalicionit të tyre qeverisës. Ata janë zotuar zyrtarisht të mos tërheqin njohjen e Malit të Zi për Kosovën ose të largohen nga NATO dhe të formojnë një qeveri ekspertësh që do të vazhdojë procesin e pranimit në Bashkimin Evropian.

Megjithatë nuk është aspak e qartë sesi do t’i arrijë këto qëllime një qëveri me prejardhje ideologjike konfliktuale, të cilat në shumë mënyra bien në kundërshtim me platformat e dy blloqeve më të mëdha. Pyetja kryesore nuk është nëse koalicioni do t’i përmbahet zotimit të tij për të qëndruar në NATO dhe për të vazhduar të njohë, por nësern mund të përdorë pushtetin për të miratuar një politike pro-serbe, pro-ruse, anti-NATO dhe anti-perëndimore.

Së pari, do të jetë kritike të shikohen emërimet në sektorin e sigurisë. Nëse DF merr kontrollin e saj mbi këtë ministri, qeveria e re mund të jetë e prirur të thellojë lidhjet me shërbimet e sigurisë serbe dhe ruse. Nën një skenar të tillë, qeveria mund të minojë në mënyrë efektive detyrimet e anëtarësimit në NATO nga brenda organizatës.

Së dyti, duke pasur parasysh orientimin e theksuar ideologjik të partive më të mëdha drejt Serbisë dhe Rusisë, është e paqartë që qeveria e re me të vërtetë do t’i përmbahet angazhimeve ndërkombëtare të Malit të Zi. Nën qeverinë e mëparshme, përafrimi i politikës së jashtme të Malit të Zi me BE ishte përparësi. Duke marrë parasysh historikun e DF dhe partive aleate për të mbështetur rreshtimin e Malit të Zi me Serbinë, nuk ka gjasa që ata të mbajnë kursin e fundit të politikës së jashtme të Malit të Zi. Kjo mund të ndikojë në çështje të tilla si rinovimi i sanksioneve kundër Rusisë mbi Krimenë, ose pajtueshmëria me politikat e BE-së për Ukrainën, Kosovën dhe çështje të tjera rajonale. Premtimi i qeverissë për të mos revokuar njohjen e Kosovës mund të minohet në mënyrë efektive nëse qeveria e re ndërpret praktikën ekzistuese të mbështetjes së aplikimit të Kosovës për t’u bashkuar me organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare.

Së treti, qeveria e re ka premtuar të revokojë Ligjin mbi Lirinë e Fesë, i cili, ndër të tjera, kërkon që Kisha Ortodokse Serbe të regjistrohet zyrtarisht. Kisha Ortodokse Serbe është i vetmi institucion fetar që nuk është regjistruar si i tillë në Malin e Zi. Ajo operon në një vakum ligjor ndërsa pretendon pronësinë mbi sipërfaqe të mëdha toke dhe pasurish të patundshme dhe operon hotele, restorante, agjenci udhëtimesh, por nuk ka status zyrtar. Kjo zonë ligjore gri ka shumë të ngjarë të mbetet e paprekur nën mbrojtjen e qeverisë së re. Për më tepër, sipas Strategjisë së Qeverisë Serbe të vitit 2011, Kisha Ortodokse Serbe ka një rol qendror në ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve midis Serbisë dhe Serbëve që jetojnë në Mal të Zi. Në Bosnjë dhe Kosovë, kjo është përkthyer në ndërhyrje politike nga qeveria e Beogradit, e cila ka minuar kohezionin politik dhe shoqëror në të dyja vendet. Prirje të ngjashme mund të shfaqen në Malin e Zi nëse qeveria e re, duke punuar me Kishën Ortodokse Serbe, krijon një pikë hyrëse për Beogradin për të ushtruar kontroll mbi punët e brendshme të Malit të Zi.

Perspektivat janë shumë të pakta që URA dhe blloku i saj i vogël i partive pa përvojë do të veprojnë kontrollojnë dy blloqet e tjera. Një skenar i mundshëm është që ata të përfundojnë duke lënë koalicionin, i cili mund të dobësojë partinë dhe aleatët e saj përballë zgjedhjeve të reja që do të pasonin në mënyrë të pashmangshme dhe të krijojnë kështu pasiguri edhe më të madhe në lidhje me rrugën perëndimore të Malit të Zi.(si)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN