MENU
klinika

"Të vetmet armë janë këto..."

Pipero: Nuk pres mrekulli nga kurimi me plazmë, as nga vaksina

17.09.2020 - 10:30

Mjeku Pëllumb Pipero nuk pret ndonjë mrekulli nga përdorimi i plazmës së gjakut dhe as nga vaksina, në betejën me Covid-19.

Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Arena”, Pipero u pyet lidhur me trajtimin me plazmë. Por ai tha se nuk dihet nëse ky lloj trajtimi do të jetë efektiv dhe madje as vaksina sipas tij nuk do bëjë ndonjë mrekulli.

Sipas tij në luftën kundër Covid-19, të vetmet “armë” që do kemi në dorë janë maska, distanca dhe higjiena personale.

“Historia e Covid-19 ka dëshmuar se sa herë jemi nxituar sa herë për të marrë vendime politike, jo vetëm këtu por në rang global, kemi gabuar. Ne nxituam për hidroksilklorokinën, për antiviralët, bëmë të njëjtën gjë me plazmën hiperimune dhe po bëjmë të njëjtën gjë me vaksinën.

Janë marrë vendime në emergjencë e sipër dhe shkencërisht të padokumentuara deri në fund. Edhe sa i takon plazmës hiperimune, edhe tek ne është përdorur që në fillim. Më kanë pyetur edhe herë tjetër dhe nga plazma hiperimune nuk pres ndonjë çudi për shumë arsye.

Në fillim pati optimizëm, por me kalimin e kohës është vërtetuar se aty-aty shkon përfitimi. Kësisoj unë them që edhe plazma hiperimune mbetet në të njëjtat pritshmëri. Jo se nuk është e dobishme, jo se nuk ndihmon por nuk bën ndonjë mrekulli.

Në këtë kënvështrim, ne mbetemi ende në kuadrin e një trajtimi gjithëpërfshirës por gjithsesi ende mbështetës, pra jo anti Covid-19. Nuk pres mrekulli të madhe nga plazma, as nga vaksina.

Unë mendoj se ne do të kemi një vaksinë para fundit të vitit ose në fillim të vitit që vjen. Por nuk është problemi të kemi një vaksinë, problemi është që para se të jetë efektive, sa e sigurt është vaksina.

Për të provuar sigurinë e një vaksine, së paku pas prodhimit duhen 6 muaj prova klinike. Ndaj në këtë histori e para është maska, së dyti distanca dhe së treti higjiena personale. Pra kujdesi personal është i pari dhe mjekimi mbështetës është i dyti”, u shpreh Pipero.