MENU
klinika

Kapiteni Meçollari:Si ndryshon harta e 2009

Prapaskenat/ Çfarë e pengon Greqinë të futet me 12 milje në detin territorial të Shqipërisë

01.09.2020 - 20:21

Kapiteni i rangut të parë, Artur Meçollari, ka shpjeguar hartën e ndarjes së kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë në Jon, nëse do të aplikohej e drejta për t’u zgjeruar me 12 milje.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Meçollari ka treguar se aplikimi i këtij parimi që buron nga Konventa e Montego Bay mund të bëhet vetëm në rastet kur distanca e brigjeve mes dy vendeve është më shumë se 24 milje.

Sipas ish-zëvendëskomandantit të Forcës Detare, kufiri i detit territorial nuk mund të shkojë përtej vijës delimituese të vendit fqinj, përballë ose për krah. Duke ilustruar hartën e punuar nga ai për gazetën “Panorama”, Meçollari thotë se nëse Greqia do të aplikonte 12 miljet detare në ndarjen e kufirit detar me Shqipërinë, atëherë ajo do të merrte edhe gjithë rrethin e Sarandës dhe jo vetëm detin.

Po ashtu, sipas tij, edhe Shqipëria nga ana tjetër, me aplikimin e 12 miljeve do të shkonte deri në mes të ishullit të Korfuzit. Për shkak se brigjet mes Shqipërisë dhe Greqisë në pjesën e tyre më të madhe janë më pak se 24 milje larg, Meçollari thotë se përcaktimi i vijës delimituese mes dy vendeve mund të bëhet vetëm me një marrëveshje, duke përdorur vijën e mesit si parim për ndarjen e ujërave territoriale.

I vetmi rast sipas kapitenit Artur Meçollari, kur deti territorial i një vendi mund të cenojë vijën delimituese, është atëherë kur dy vendet bëjnë marrëveshje për një gjë të tillë.

Më tej, në intervistën e tij ai thotë se gjithë kjo çështje që është krijuar në javën e fundit, më shumë është e lidhur me politikën e brendshme greke, por edhe me tensionet në rritje të muajit të fundit me Turqinë, pikërisht për ndarjen e kufirit detar në pjesën lindore të detit Egje, por edhe të Mesdheut.

Po flitet gjerësisht dhe ka një shqetësim të gjerë lidhur me zgjerimin e gjerësisë së detit territorial të Greqisë me 12 milje detare në detin Jon. Çfarë thotë Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit për këtë çështje?

Shqetësimin e qytetarëve e konsideroj të ligjshëm. Natyrisht, ata kanë të drejtë të shqetësohen për fatin e vendit të tyre. Historia e Shqipërisë së 100 viteve të fundit, por edhe marrëveshja detare me Greqinë e vitit 2009, e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, na mëson se duhet të jemi vigjilentë, profesionistë dhe të orientuar nga interesi kombëtar.

Sot, për fat të mirë, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, orientues dhe detyrues për të gjithë. Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit ose siç njihet UNCLOS 1982, filloi të firmoset në Montego Bay të Xhamajkës më 10 dhjetor 1982. Ajo ishte produkt i një pune 13-vjeçare të përfaqësuesve të pothuajse të të gjitha vendeve anëtare të OKB-së. UNCLOS 1982 hyri në fuqi më 16 nëntor 1994 dhe sot, pjesa më e madhe e shteteve anëtare të OKB-së janë palë e saj.

Natyrisht, ka shtete që nuk e kanë ratifikuar, si SHBA dhe Turqia, por ajo tashmë është në fuqi. Neni 3 i UNCLOS 1982 i jep të drejtën çdo shteti bregdetar të shpalli gjerësinë e detit territorial, por jo më shumë se 12 milje detare, kjo e matur nga vija bazë, e cila mund të jetë normale (bregu i detit), e drejtë (që në zhargonin e përditshëm është një vijë imagjinare që bashkon kepet më të dala në breg) dhe e kombinuar (me të dyja metodat).

Zgjerimi i gjerësisë së detit territorial shkakton spostimin e “kufirit të jashtëm të detit territorial”, që sipas nenit 4 të UNCLOS 1982 është një vijë imagjinare e baraslarguar nga vija bazë, aq sa është gjerësia e detit territorial të shpallur.

Kufiri i jashtëm i detit territorial kufizon atë me detin ndërkombëtar dhe jo me detet kombëtare të shteteve fqinje, në krah apo përballë. Kjo do të thotë që zgjerimi i detit territorial mund të bëhet në ato hapësira gjeografike ku bregdeti i shtetit fqinj, në krah apo përballë, është më e madhe se 24 milje detare dhe ky zgjerim bëhet me shpallje nga shteti bregdetar.

Ky deklarim i Greqisë për zgjerimin e detit territorial në 12 milje detare po interpretohet si zgjerim i ujërave greke drejt ujërave shqiptare…

Kjo gjë nuk ka asnjë mundësi të ndodhë. UNCLOS 1982 është e qartë për këtë. Sipas nenit 15 të saj, nuk lejohet shtrirja e detit territorial përtej vijës delimituese. Për këtë, neni shprehet se “asnjë nga dy shtetet nuk do të ketë të drejtën …… për të zgjeruar detin territorial përtej vijave të mesme, pikat e së cilës janë të baraslarguara nga pikat më të afërta të vijave bazë, nga të cilat matet gjerësia e detit territorial të dy shteteve”. Mirëpo, Konventa po në këtë nen lejon që shteti bregdetar mund të shtrijë detin territorial përtej kësaj vije “përveç kur është bërë një marrëveshje ndërmjet tyre”, pra jo në mënyrë të njëanshme, siç parashikon neni 3 i UNCLOS 1982 zgjerimin e detit territorial. Neni 15 e bën këtë parashikim kur shtetet vendosin me vullnetin e tyre dhe me marrëveshje të shkëmbejnë sipërfaqe të deteve territoriale respektive përtej vijës delimituese. Ky shkëmbim mund të ndodhë për t’i krijuar akses një shteti bregdetar pa dalje në detin ndërkombëtar (rasti Kroaci-Slloveni) ose arsye të tjera. Sllovenia nuk ka dalje të lirë në detin ndërkombëtar dhe anijet e saj ushtarake, por edhe joushtarake, duhet të kalojnë nëpër detin territorial të Kroacisë ose Italisë. Në këto rrethana, anijet sllovene duhet të kalojnë në përputhje me regjimin e kalimit paqësor. Kur ka kërcënim të sigurisë kombëtare, shtetet bregdetare gëzojnë të drejtën e pezullimit të përkohshëm dhe jodiskriminues të kalimit paqësor për anijet ushtarake, por edhe joushtarake. Për të evituar këto situata dhe për të garantuar lirinë e lundrimit dhe lëvizshmërinë operacionale të anijeve të saj ushtarake, Sllovenia ka kërkuar që të bëjë kompensim të deteve territoriale me Kroacinë, duke krijuar një korridor të lirë nëpër detin territorial të Kroacisë. Kjo kundërshti vijon qysh prej 25 vitesh. Edhe pse Sllovenia e fitoi në Gjykatën e Arbitrazhit, Kroacia ka vendosur të mos e zbatojë vendimin.

Nëse kjo është e qartë, përse gjithë ky keqkuptim?

UNCLOS 1982 është një kuadër ligjor ndërkombëtar kompleks dhe tepër voluminoz. Ai është i shkruar në formë narrative, por kur trajtohen çështjet e përcaktimit të hapësirave detare (me shpallje apo delimitim) në mënyrë të njëanshme, me marrëveshje apo vendim gjykate, ato kthehen në vija imagjinare në det, shpesh të kërkuara edhe me koordinata gjeografike. Njohja dhe zbatimi i kësaj konvente nuk është thjesht një çështje juridike, por kërkon edhe njohuri e kulturë detare. Gjeometria e hapësirave detare është komplekse. Hapësirat detare në shumë raste, edhe pse përfaqësojnë regjime juridike të ndryshme, mbivendosen nga pikëpamja gjeografike në një hapësirë tredimensionale. Të gjitha hapësirat detare të shtetit bregdetar maten ose delimitohen nga vija bazë, e cila ka një ndikimin thelbësor. Interpretimi me pragmatizëm i dispozitave të UNCLOS 1982 për vijën e drejtë bazë sjell përfitime për shtetin bregdetar. Paradoksalisht, në janar të vitit 2008, në mes të negociatave, u shfuqizua ligji nr. 8771 “Për kufirin shtetëror në RSH” dhe rrjedhimisht, edhe vija e drejtë bazë e Shqipërisë. Shqipëria me vullnetin e saj ndryshoi rregullat në mes të lojës, duke shkaktuar dëme të ndjeshme për Shqipërinë në marrëveshjen e vitit 2009. Vija e drejtë bazë e Shqipërisë, ndërtuar në vitin 1970, modifikuar në vitin 1976 dhe depozituar në OKB në vitin 1990, është një nga produktet shkencore më të arrira të specialistëve detarë dhe juristë në Shqipëri. Më poshtë kam prezantuar në skemë ilustruese, e cila nuk duhet të konsiderohet si hartë për qëllime delimitimi. Nëse do të supozonim se zgjerimi i gjerësisë së detit territorial shtrihet përtej vijës delimituese, këtë e shpjegon skema e mëposhtme. Skema tregon se si do të shtrihet deti territorial i Greqisë (12 milje detare) duke nisur në mes të gjirit të Borshit dhe duke përfshirë të gjithë Rrethin e Sarandës. Kurse Shqipëria do të shtrihej (12 milje detare) duke përfshirë pothuajse pjesën më të madhe të pjesës veriore të ishullit të Korfuzit. Kjo skemë provon se në asnjë rast, zgjerimi i detit territorial, i shpallur nga shteti bregdetar në mënyrë të njëanshme, nuk mund të shtrihet përtej vijës delimituese të detit territorial.

Grupi i mëparshëm negociator pretendon se gjatë negociatave kishin marrë në konsideratë gjerësinë e detit territorial të Greqisë 6 milje detare. Si është e vërteta?

Siç e shpjegova, gjerësia e detit territorial nuk ndikon në përcaktimin e vijës delimituese të deteve territoriale midis dy shteteve. Kjo, pasi vija delimituese është vijë me distanca të barabarta nga brigjet respektive, e modifikuar për rrethana të veçanta ose tituj historikë sipas rastit. Detet territoriale delimitohen deri në distancën 12 milje detare nga brigjet e të dy shteteve, pavarësisht gjerësisë së shpallur të deteve territoriale. Kjo është e shprehur në UNCLOS 982, por dhe në praktikën ndërkombëtare, me qëllim për t’iu lejuar shteteve të ndryshojnë gjerësinë e detit territorial sipas vullnetit, pa cenuar marrëveshjet e arritura. Në vitin 2009, vija delimituese midis Shqipërisë dhe Greqisë e detit territorial u përcaktua deri në distancën 12 milje detare nga dy bregdetet, që i korrespondonte pikës 139 të vijës së marrëveshjes. Kur u hartua ajo marrëveshje, Greqia kishte shpallur gjerësinë e detit territorial 6 milje detare dhe Shqipëria zero milje detare. Pavarësisht metodologjisë së përdorur, me këtë raport të gjerësive të deteve territoriale u përcaktua vijë delimituese, e pandikuar nga këto gjerësi.

SKEMA, SI NDAHEN KUFIJTË DETARË

Kufijtë detarë dhe ndarja e tyre janë normuar ndërkombëtarisht nga Konventa UNCLOS e Montego Bay në vitin 1982. Ajo është ratifikuar nga pjesa më e madhe e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Përjashtim bën vetëm SHBA-ja dhe Turqia, të cilat nuk e kanë ratifikuar këtë Konventë.

Si ndikon shpallja e gjerësisë së detit territorial të Greqisë në marrëdhëniet me Turqinë?

Zgjerimi i gjerësisë së detit territorial, për aq kohë sa bëhet në përputhje me dispozitat e UNCLOS 1982, është çështje e vullnetit të brendshëm të shtetit bregdetar. Në ndryshim nga deti Egje, për zgjerimin e gjerësisë së detit territorial në Jon dhe Mesdheun Qendror, për aq sa e njoh këtë çështje, nuk parashikohen kufizime nga traktati i vitit 1931. Çështja është se me çfarë lidhet qëllimi i Greqisë me këtë zgjerim: të heqë dorë nga pretendimet për zgjerim në detin Egje, apo ta shtyjë këtë objektiv në kohë? Kam bindjen se pavarësisht çfarë synon Greqia, regjimi detar në detin Egje do të jetë pjesë e axhendës së bisedimeve të ardhshme me Turqinë për regjimin detar në Mesdheun Lindor. Gjithsesi, pretendimet e Greqisë për zgjerim në detin Jon dhe Mesdheun Lindor janë një raport i saj me të drejtën ndërkombëtare.

A kanë ndikim në punën e grupit negociator kundërshtitë detare midis Turqisë dhe Greqisë?

Një nga parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare është që marrëveshjet midis shteteve nuk duhet të cenojnë interesat e shteteve të tjera. Marrëveshja e ardhshme duhet të jetë neutrale lidhur me kundërshtitë, që shtete të ndryshme kanë me njëri-tjetrin. Gabimi i bërë në marrëveshjen e vitit 2009 nuk duhet të ndodhë më. Ky fakt është evidentuar edhe në vendimin e GJK-së, i cili ka cilësuar edhe nenin 2 të marrëveshjes problematik në lidhje me Kushtetutën. Në marrëveshjen e vitit 2009, titulli i marrëveshjes fshihte thelbin e marrëveshjes, duke evidentuar delimitimin e shelfit kontinental, ndërsa rreth 80% e vijës delimituese ishte për detin territorial. Po ashtu, neni 2 i marrëveshjes përcaktonte regjimin juridik të palëve përtej vijës delimituese. Juridiksioni i shteteve në hapësirat detare, përtej vijave delimituese, është marrëdhënie midis shtetit bregdetar dhe të drejtës ndërkombëtare. Titulli i marrëveshjes së arritur në vitin 2009, i kombinuar me nenin 2, në thelb ishte ndërhyrje në interesat e palëve të tjera (direkte ose indirekte) me një marrëveshje dypalëshe.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN