Ndonëse virusi Covid-19 po vijon të shkaktojë mesatarisht 5-6 viktima në ditë, mosha mesatare e jetëve të humbura gjatë gushtit dhe ditëve të para të shtatorit ka ardhur në rritje, çka tregon se është ulur vdekshmëria tek moshat e reja.
Sipas të dhënave të raportuara përditë nga Ministria e Shëndetësisë dhe të përpunuara nga “Monitor”, mosha mesatare e jetëve të humbura nga koronavirusi deri më 3 shtator, kur numëroheshin gjithsej 301 viktima ishte 67.9 vjeç.
Në krahasim me përpunimin e fundit të datës 28 korrik, kur mosha mesatare zbriti në 66.8 vjeç, teksa virusi filloi të zbriste te moshat e reja, ka një rritje me 1 vit.
Kjo është hera e parë që treguesi i moshës mesatare po vjen në rritje, pasi që kur filluan rastet e para të fataliteteve në prill, që prekën përgjithësisht të moshuarit mbi 70 vjeç, virusi filloi të vriste edhe më të rinjtë, sidomos përgjatë muajit korrik, kur mosha mesatare arriti në 66.8 vjeç dhe u shënuan shumë raste fatalitetesh pa sëmundje shoqëruese. (shiko grafikun: Mosha mesatare e jetëve të humbura nga Covid-19, në data të caktuara).
Ndonëse numri i rasteve ditore vijon të jetë i lartë, pandemia e ka reduktuar agresivitetin, pasi dëmi që po krijon në mushkëri ka pësuar ulje të moderuar javën e fundit pohoi mjeku pneumolog Luan Dyrmishi. Gjithashtu masat kufizuese në përdorimin e maskës në ambiente të brendshme dhe kufizimi i grumbullimeve në lokalet me muzike në zonat turistike ka ulur fluksin e infektimeve në moshat e reja, shtoi mjeku.
Fatalitetet në mosha të reja që u shfaqen në korrik e fillim gushti krijuan “panik” tek të rinjtë të cilët po mbrohen më shumë së fundmi tha mjeku.
Grup mosha 60-69 vjeç me fatalitetet më të mëdha
32% e vdekjeve nga pandemia janë të grup-moshës 60-69 vjeç, deri në 3 shtator, që ka shënuar dhe fatalitetet më të larta. Në 28 korrik, gati 38% të jetëve të humbura ishin nga kjo grup-moshë. (shiko grafikun: Vdekjet sipas grup-moshave, Shqipëria, % ndaj totalit)
Janë rritur ndërkohë humbjet e jetëve në moshat 70-79 vjeç, me gati 29% të totalit, nga 24% në 28 korrik.
Gjithsesi, në krahasim me Italinë, virusi në Shqipëri ka prekur edhe të rinjtë. Mosha mesatare në Itali është 80 vjeç, kundrejt gati 68 vjeç në Shqipëri.
Në Itali, sipas Il Sole24 ore, gati 60% e jetëve të humbura i përkasin moshës mbi 80 vjeç. Në Shqipëri, pesha përkatëse është vetën 17.6% (shiko grafikun: Vdekjet, sipas grup-moshave nga Covid-19, Italia dhe Shqipëria, deri 3 shtator)
Mjekët pohojnë se e para, në Itali numri i vdekjeve të vlerë absolute ka qenë shumë më e lartë se në Shqipëri. Së dyti, popullsia shqiptare ka një barrë më të lartë të sëmundjeve shoqëruese tek moshat e reja, ndryshe nga Italia që është një nga vendet me sistem të mirë shëndetësor, ku njerëzit jetojnë më gjatë në botë. Faktori i tretë është se Italia ka dhe një popullsi më të plakur.
Femrat vdesin më pak
Deri në 3 shtator, femrat përbënin 31% të jetëve të humbura nga Covid-19, në linjë me tendencën globale, ku gratë kanë shënuar rezistencë më të lartë ndaj koronavirusit, të lidhura kryesisht me hormonet femërore.
Mosha mesatare e femrave që kanë humbur jetën është 68 vjeç, pothuajse e njëjtë me atë të meshkujve.
Ndërsa mosha mesatare e meshkujve ka mbetur pothuaj e pandryshuar që nga fillimi i pandemisë, ajo e femrave është ulur ndjeshëm, nga 77 vjeç në fund të prill, në gati 68 vjeç në shtator (shiko grafikun Mosha mesatare e jetëve të humbura nga Covid-19, Shqipëria, sipas gjinisë). Monitor