MENU
klinika

Sipas kushteve të përcaktuara me ligj

Sa përfitoni nëse shtyni moshën e pensionit?

24.09.2020 - 13:14

Nëse keni arritur moshën e daljes në pension pleqërie, por vendosni të shtyni përfitimin e tij, duke vijuar ende të punoni, mund të siguroni edhe një shtesë, që jepet për çdo muaj që nga momenti i shtyrjes së datës së pensionit.

Ekspertët e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se kjo shtesë llogaritet të jetë në masën 0.5 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë që ju do të merrnit. Ndërkohë që përllogaritja e kësaj shtese konfirmohet pasi të jenë bërë të gjitha rritjet apo indeksimet që masa e pensionit ka pësuar gjatë muajve që keni ndërprerë përfitimin e tij.

“Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes”, sqarojnë ekspertët e sigurimeve shoqërore.

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, pension pleqërie ka të drejtë të përfitojë çdo person i që ka plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror dhe ka mbushur moshën e përcaktuar sipas nenit 92 të këtij ligji. Ndërsa nënat që kanë lindur 6, apo më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension pleqërie më herët nga kategoritë e tjera, përkatësisht kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vite të konfirmuara si vjetërsi pune.

Pensioni i plotë i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, sipas nenit 92, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë një për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas nenit 59, të ligjit të ndryshuar të sigurimeve shoqërore. Në çdo rast, shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.

Skema e sigurimeve shoqërore lejon edhe përfitimin e reduktuar të pensioneve të pleqërisë. Kështu, cdo person i siguruar ka të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension dhe kanë plotësuar vitet e sigurimit të kërkuara, si dhe nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar.

Duhet të dini se pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë, të këtij neni, është 0,6 për qind në muaj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN