MENU
klinika

“Plani Marshall” i Donald Trump

SHBA 13 miliardë dollarë investime për Kosovën dhe Serbinë

22.09.2020 - 19:26

Një plan i ri Marshall për Kosovën dhe Serbinë.

Kështu po cilësohet nga ekspertët amerikanë marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nga Serbia dhe Kosova. Dy javë pas paktit të ndërmjetësuar nga presidenti Donald Trump, një delegacion amerikan vizitoi Kosovën të hënën, duke sjellë me vete një zarf të majmë me para për Prishtinën zyrtare. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti duket se ka hedhur hapin e parë për implementimin e paktit të Shtëpisë së Bardhë, duke nënshkruar marrëveshja me drejtorin ekzekutiv të Korporatës Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC), Adam Boehler, i cili kryesonte delegacionin që vizitoi Kosovën.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe njeriu që bëri të mundur këtë marrëveshje, i dërguari i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Sipas dokumentit të nënshkruar, Kosova do të marrë zarfin e parë të investimeve nga Korporata Financiare amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, edhe pse Grenell kishte premtuar se paratë do të vinin më vonë.

Duke folur nga Prishtina, zyrtarët amerikanët kanë premtuar mbi 1.2 miliard dollarë investime për projektin e “Autostradës së paqes” dhe ndërtimit të një piste skish në Brezovicë. Duke folur për investimet amerikane, Grenell ka thënë se projektet infrastrukturore dhe ekonomike janë provë e përkushtimit të presidentit Trump ndaj rajonit.

“Nuk do të ishim këtu po të mos ishte presidenti Trump. Pas marrëveshjes presidenti na mblodhi dhe na tha: Tani duhet të shkoni ta zbatoni atë që u nënshkrua në Uashington”, ka thënë Grenell. “Zbatimi i saj është duke ardhur. Dua t’iu flas njerëzve që nuk janë të politizuar, atyre që kanë vështirësi të paguajnë faturat apo ata që kanë braktisur vendin”, ka theksuar zyrtari amerikan

Sipas tij, brenda 30 ditëve Departamenti Amerikan i Energjisë do realizojë një studim fizibiliteti për të hulumtuar resurset e Kosovës, duke filluar nga liqeni i Ujmanit, në funksion të krijimit të vendeve të punës.

Shumë ekspertë po flasin për një tjetër Plan Marshall për Kosovën, pasi Shtetet e Bashkuara po investojnë plot 13 miliard dollarë në Serbi dhe Kosovë, shumë që nuk ishte parë që pas Luftës së Dytë Botërore. Çeqet me para duket se do të shkojnë për ndërtimin e autostradës Beograd-Prishtinë, rrugëve hekurudhore, financimin e prodhuesve të vegjël dhe shfrytëzimin e Ujmanit.

Sipas ekspertëve, Trump huazoi përvojën e paraardhësve të tij, ish-presidentëve Harry Truman dhe Dwight D. Eisenhower, të cilët ndihmuan në ndërtimin e një marrëdhënie të veçantë midis Francës dhe Gjermanisë Perëndimore të pasluftës për të penguar zgjerimin e Bashkimit Sovjetik në Europë.

Amerikanët blenë besimin e udhëheqësve të Republikës së Katërt në Francë dhe arritën të ndërtojnë ura ekonomike me armikun e betuar. Nga viti 1948 deri në 1951, Shtetet e Bashkuara i dhanë Francës mbi 4.5 miliardë dollarë sipas Planit Marshall dhe e bindi të pranonte të bashkohej me zonën e okupimit të Gjermanisë Perëndimore (SHBA ndau mbi 2.8 miliardë dollarë për gjermanët).

Më pas, francezët vendosën marrëdhënie diplomatike me Republikën Federale të Gjermanisë (FRG), të krijuar në 1949. Pastaj, në 1951, Franca, Gjermania, vendet e Beneluksit dhe Italia krijuan Bashkimin Europian, duke krijuar Komunitetin Europian të Qymyrit dhe Çelikut në 1951, duke e vënë theksin tek përfitimet që mund të sjellë thellimi i bashkëpunimit ekonomik.

Cilat janë investimet amerikane?

Pjesa më e madhe e fondeve për Kosovën do të shkojnë për infrastrukturën. Kryeministri Hoti i premtoi delegacionit ameriakan nisjen e punës për autostradën Prishtinë – Merdare – Nish, projekt ky që mund të vazhdohet në kuadër autostradës që aktualisht lidh Kosovën me Shqipërinë. Në të ardhmen, ai mund të lidhë të treja vendet.

Pjesa tjetër do të shkojë për transportin hekurudhor në Kosovë, i cili është një prej sistemeve më të dobëta në rajon. Aktualisht, në qarkullim janë vetëm dy linja, aj Prishtinë – Hani i Elezit dhe ajo Prishtinë -Pejë. Të dy linjat bëjnë vetëm transportin e mallrave.

Për më tepër, SHBA do të angazhohen të gjejë zgjidhje të përbashkët për opsionet për lidhjen e infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë, me një port të detit të thellë në Adriatik. Nëse porti i zgjedhur është Durrësi, atëherë rruga hekurodhore do të kalojë edhe në Shqipëri, duke lidhur në mënyrë të drejtëpërdrejtë Prishtinën dhe Beogradin.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, bashkë me Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas kësaj marrëveshje, SHBA do të nisë financimin e bizneseve për ta bërë ekonominë e Kosovës sa më konkuruese.

Korporata Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit dhe EXIM do të sigurojë financimin për të mbështetur kreditë e kërkuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë. Madje një prezencë ndërkombëtare e Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit Ndërkombëtar do të vendoset me orar të plotë në Beograd, Serbi.

Po ashtu, një pjesë e fondeve do të shkojnë që Serbia dhe Kosova të hapin dhe Pikën Përbashkët të pikës kufitare në Merdare.

Kosova dhe Serbia do të punojnë po ashtu me Departamentin e Energjisë për të gjetur zgjidhje për ndarjen e së Liqenit të Ujmanit, si një furnizim i besueshëm i ujit dhe energjisë.(SI)