Një histori suksesi, pavarësisht ëndrrave të fëmijërisë. Fjala është për 26-vjeçarin David Nikolli, një nga sportistët shqiptarë që ka arritur të tregojë aftësitë e tij në shtetin fqinj të Italisë, por ndryshe nga shumë të tjerë, jo si futbollist.
Edhe pse kjo ka qenë ëndrra e tij kur vendosi të lërë Shqipërinë për të shkuar në Itali, Nikolli iu përkushtua atletikës. Në një rrëfim për gazetën më të madhe sportive italiane “Gazzetta Dello Sport”, Nikolli tregon aventurën e tij.
“Kur isha 16 vjeç, u nisa drejt Italisë për t’u bërë futbollist. Një rrugë e gjatë, duke kaluar shumë shtete të ish-Jugosllanisë. Doja të bëhesha dikushi në futboll. Me skuadrën e Sant’Angelo Lodigiano arrita deri në kategorinë ‘Eccellenza’. Madje isha edhe golashënuesi më i mirë në grup, por gjithnjë problem i lejes së qëndrimit më pengonte”, – thotë Nikolli.
Ndërkohë, gjatë kësaj kohe ka punuar shumë, deri në selinë më të madhe të Amazon në Itali. “Zgjohesha në 4 të mëngjesit, punoja deri në 3 pasdite dhe më pas nisa stërvitjen”, – shprehet Nikolli.
Tani merret me atletikë, prej gati 3 vitesh dhe garon për ekipin e Atletico Cento Torri në Pavia. “E nisa me 4-5 herë në javë dhe tani stërvitem e garoj çdo ditë”, – thekson Nikolli.
Atleti shqiptar, që garon kryesisht në 1500 metra, shprehet se ka si ëndërr të shkojë në Lojërat Olimpike. Distancë ku po përmirësohet vazhdimisht.
“Koha më e mirë është 3’39”19, por mund të rritem. Objektivi im është koha minimale që të çon në Olimpiadë, 3’35”00 dhe besoj se do ta arrij. Nëse do të kisha një sponsor, do të më ndihmonte akoma më shumë, edhe pse klubi ku garoj bën shumë për mua”, – përfundon David Nikolli.