MENU
klinika

“Skënderbeu ishte serb…”

Si e joshi elektoratin joshqiptar, Dritan Abazoviç?

01.09.2020 - 18:37

I ri, agresiv, ambicioz dhe shpesh me vetëbesim në kufijtë e arrogancës, aq sa para zgjedhjeve të 30 gushtit ishte gati të vinte dorën në zjarr se ai dhe lëvizja “URA” që drejton do të përcaktonte Qeverinë e re. Dritan Abazoviç ka profilin e një politikani të pashoq në Ballkan.

I lindur në Ulqin, 35-vjeçari ia doli mbanë që pasi e gërreu për vite me radhë pushtetin e Milo Gjukanoviçit, pushtet i akuzuar se është ngritur mbi korrupsionin, lidhjet me krimin e organizuar dhe nepotizmin për vite me radhë, ta rrëzonte atë duke realizuar atë që s’e ka bërë njeri në Mal të Zi në tre dekada.

Se deri ku shtrihen kufijtë e ambicies së Dritan Abazoviçit e tregon koha e shkurtër me të cilën ngriti karrierën e tij politike nga aktivist i përfshirë në lëvizjet qytetare serbo-malazeze në “kingmaker”. Ai refuzon edhe sot që të cilësohet politikan, pasi me këto fjalë identifikon klasën e vjetër të udhëheqësve malazezë, që i akuzon si të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.

Por me “piruetat” e bëra në harkun kohor të pesë viteve e kanë bërë më shumë se politikan. 35-vjeçari duket se ka gjetur formulën e një ekuilibri që deri para tij konsiderohej i paarritshëm; të bëjë bashkë malazezë, serbë dhe shqiptarë.

Malazezët e lodhur nga sundimi 30-vjeçar i Milo Gjukanoviçit i joshi me guximin e treguar me akuzat që bënte publike, si në rastin kur e akuzonte Gjukanoviçin në atë kohë Kryeministër, se kishte futur në xhepat e kompanive të zotëruara prej tij miliona dollarë para të taksapaguesve malazezë.

Në atë kohë nuk i kishte mbushur ende 30 vjeç dhe ishte deputet i partisë “Mali i Zi Pozitiv”. Pati guximin që t’i drejtohej Gjukanoviçit në sallën e Parlamentit për një skandal për të cilin të gjithë kolegët ishin në dijeni, por askush nuk e përmendte publikisht. Nga akuzat e tij, Milo Gjukanoviç e humbi durimin dhe në debat e sipër i kthehet duke i thënë “Turp të kesh! Faqezi!”, duke nënkuptuar se 35-vjeçari kishte tradhëtuar elektoratin shqiptar.

Pikërisht përplasja e fortë me Gjukanoviçin u hamendësua më vonë edhe si shkak i përçarjes së partisë “Mali i Zi Pozitiv”. Abazoviç, së bashku me disa drejtues serbë të kësaj partie, kërkonin një ballafaqim të drejtpërdrejtë dhe agresiv me Gjukanoviçin, deri në rrëzimin e tij. Kjo binte ndesh me “pragmatizmin” e shumicës në këtë fraksion politik, që çoi në largimin e Abazoviçit dhe themelimin prej tij dhe një grupi bashkëpunëtorësh serbë dhe malazezë të lëvizjes qytetare “URA”.

Programi i “URA”-s përafron më shumë me programin e social-demokratëve të Gjukanoviçit. Megjithatë, Abazoviç orientoi katër mandatet e fituara drejt nacionalistëve malazezë dhe partive serbe, në një lëvizje që më shumë se parimore duket se është kushtëzuar nga basti që i riu i kishte vënë vetes për të rrëzuar Gjukanoviçin. Qeveria e re do të ngrihet me ekspertë, sipas kushtit të vendosur prej tij, duke e lënë politikën në Parlament.

Jo aq e papritur

Zgjedhja e bërë prej Dritan Abazoviçit ka lënë jo pak të habitur. Edhe vetë koalicioni nacionalist e proserb, të paktën publikisht, nuk e ka pritur këtë. Por, kjo lëvizje nuk duket edhe aq e papritur për profilin e 35-vjeçarit, që noton prej më shumë se një dekade në ujërat shpesh të trazuara të politikës malazeze.

Me deklaratat dhe qëndrimet e mbajtura në të shkuarën ai ka synuar gjithmonë që të dalë mbi të gjitha etnitë në Mal të Zi. Nuk e kërkoi asnjëherë votën e shqiptarëve si shqiptar, ndoshta duke llogaritur peshën e vogël elektorale dhe përçarjen e madhe të tyre. Por, fitoi besimin e malazezëve të lodhur nga regjimi i Gjukanoviçit dhe simpatinë e serbëve me disa deklarata kontraverse.

Mes tyre është edhe deklarata e bërë për Skënderbeun, me rastin e vendosjes së monumentit të tij në qytetin e Ulqinit, vendlindja e Dritan Abazoviçit. Deklaronte me bindje se Ulqini nuk kishte nevojë për një monument të tillë, por zhurmën e shkaktoi kur nënkuptoi se Skënderbeu ishte serb.

“Edhe fëmijët në çerdhe e dinë që ata që kanë baba dhe mama serbe, nuk mund të jenë shqiptarë”, u përgjigjej ai akuzave që i vinin nga shqiptarët e Malit të Zi dhe jo vetëm mbi një deklaratë të bërë në televizionit malazez se Skënderbeu ishte serb.

Deklarata e tij nuk ishte e pallogaritur. Ajo mbërrinte pak kohë pasi opozita proserbe e akuzonte se kishte për qëllim përçarjen e elektoratit serb dhe për sulme ndaj Kishës Serbe të Malit të Zi. Me këtë deklaratë ia doli mbanë që të qetësojë serbët, por ndoshta edhe t’i përçajë ata, duke siguruar një grusht të mirë votash në zgjedhjet e fundit.

Qëndrimet dashamirëse ndaj serbëve i përforcoi me bërjen publike të idesë së tij për marrëdhëniet me Serbinë dhe për ligjin e miratuar nga Gjukanoviç që sekuestron pronat që kleri fetar në Mal të Zi nuk është në gjendje që të provojë me dokumentacion zotërimin e tyre historik. Abazoviç premton shfuqizimin e këtij ligji dhe kalimin e një ligji tjetër për lirinë e besimit fetar, që premton se do të jetë “i standardeve europiane”.

Po ashtu, në një deklaratë të bërë jo shumë kohë më parë shprehej se Mali i Zi duhet të përpiqej që të ndërtonte politika të fqinjësisë së mirë me të gjithë fqinjët e vet, por sidomos me Serbinë që e shihte si “më të afërt”.(SI)