Socialistët e Dibrës kanë ndezur motorët për zgjedhjet e ardhshme parlamentare për të siguruar mandatin e tretë qeverisës të Partisë Socialiste në krye të punëve të Shqipërisë.
Drejtuesja politike për Qarkun Dibër njëkohësisht edhe Ministre e Mbrojtjes Olta Xhaçka zhvilloi takime me asambletë e 4 bashkive të qarkut, Dibër, Mat, Bulqizë dhe Klos ku u diskutua me të zgjedhurit dhe strukturat lokale të PS-së, rreth masave organizative dhe parapërgatitore për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Drejtuesja politike Olta Xhaçka theksoi se në këto 8 vite qeverisje, shumica e shqiptarëve besoi tek PS si forca e vetme politike që ndërton shtet dhe garanton plotësimin e aspiratës për integrim europian.
Gjithsesi,- theksoi Xhaçka, kjo nuk duhet të vetëkënaqë asnjë socialist duke lënë pas dore organizmin dhe përmirësimin e strukturave të PS.
“Serioziteti, ndershmëria, profesionalizmi, korrektësia dhe puna janë garancia më e mirë për një mandat të tretë qeverisës të PS dhe thellim të rezultatit të saj në katër bashkitë e qarkut”, u shpreh Xhaçka, teksa nënvizoi se puna e çdo socialisti në këtë fushatë është një gur themeli për reformat e mëdha dhe projektet transformuese gjatë mandatit të tretë qeverisës.