Sot është afati i fundit për të vendosur rifillimin e punës së naftëtarëve të Ballshit dhe ata ndodhen pranë ambienteve të uzinës në pritje për të firmosur kontratat.
Një prej naftëtarëve, ka deklaruar se duhet një zgjidhje urgjente pasi ata do të çojnë fëmijët në shkollë dhe s’kanë të ardhura të tjera.
“Duke marrë shkasë nga lidhja telefonike që kemi bërë me drejtuesit e firmës, sot është afati i fundit që na është premtuar lidhja e kontratave individuale për punëtorët. Deri në këto momente ne na është thënë që një grup juristësh dhe ekonomistësh është nisur nga Tirana me qëllim lidhjen e kontratave.
Ne e theksojmë gjithmonë me forcë se kërkesat tona janë të panegociueshme deri në të gjitha pikat e arritshme, pra dhënia e pagave të prapambetura, rifillimi i punës dhe pagimi i sigurimeve shoqërore. Ne do të vazhdojmë në qëndresën tonë, pasi çdo familje naftëtari ndodhet në prag të fillimit të vitit shkollor dhe ne duhet t’i ulim fëmijët në bankat e shkollës. Mos pasja e të ardhura ekonomike bën që ne të jemi në vështirësi”, tha naftëtari për FaxNews.
Siç shprehen ata, janë në pritje të një grupi juristësh dhe ekonomistësh që janë duke ardhur nga Tirana, për firmosjen e kontratave dhe rifillimin e punës.