MENU
klinika

Historitë e tmerrshme nga pavijonet me pacientë në prag të vdekjes

‘The Economist’: Trauma kolektive që po shkakton Covid

12.09.2020 - 07:36

Për banorët e Parque das Tribos, makthi nisi kur ‘cacique’, ose shefi i tyre lokal, vdiq nga COVID-19. Messias Kokama ishte përballur me politikanë, sipërmarrës dhe banda droge për të transformuar një zonë me pluhur në periferi të Manaus, një qytet me 2 milionë banorë në thellësi të Amazonës braziliane, ku kanë gjetur strehë rreth 600 familje autoktone nga 35 grupe etnike. Ai ishte 53 vjeç dhe tha se nuk kishte frikë nga virusi. Vdekja e tij, më 13 maj, e tronditi komunitetin, shkruan The Economist.

Në atë kohë, spitalet në Manaus po largonin njerëzit dhe në varreza po gërmoheshin varre masive. Ambulancat nuk vinin në Parque das Tribos (“Parku i Fiseve”) sepse qyteti dhe agjencia federale indigjene pretendonin se banorët autoktonë të qytetit ishin përgjegjësi e institucioneve të tjera. Neglizhenca e thelloi hidhërimin e banorëve. Çdo disa ditë, nga një i moshuar gulçonte për ajër.

Ata që ktheheshin nga spitali tregonin histori të tmerrshme me pavijone të akullt, të mbushur me pacientë në prag të vdekjes dhe mjekë që nuk flisnin gjuhën e tyre. Një banor u arratis nga njësia e kujdesit intensiv. “Ai tha se do të preferonte të vdiste në një hamak sesa i rrethuar nga tuba”, tha nusja e tij, Cláudia Baré. Pesë javë më vonë, vdiq.

Tashmë pandemia është qetësuar në Parque das Tribos. Varrimet në Manaus kanë rënë nga më shumë se 150 në ditë në normën para-pandemike prej rreth 35. Pushuesit e kanë mbushur sërish plazhin Ponta Negra në brigjet e Rio Negro. Vështirë të mund të imagjinohet se vetëm dy muaj më parë, në këtë port mbërrinin anije me pacientë me COVID-19 të cilët kishin vdekur gjatë udhëtimit. Megjithatë, kaosi i muajve të fundit po i hap vendin një krize të dytë. Trauma dhe vështirësitë e vazhdueshme nuk kapërcehen kaq shpejt. Vajza e zotit Kokama, Mirian, po trajtohet për depresion.

Djali i tij, Miqueias, i cili është 33 vjeç dhe zuri postin e shefit lokal, ka probleme me pagjumësinë.
Për disa, gjysma e dytë e vitit 2020 do të sjellë një lehtësim shumë të nevojshëm. Tani për tani, numri i infeksioneve të reja globale ka mbetur në vend. Në shumë shtete, ka rënë në mënyrë dramatike. Megjithatë, në vendet e goditura më tepër, rimëkëmbja e plotë do të kërkojë më tepër sesa thjesht mbajtjen nën kontroll të virusit.

Në një botë të paralizuar nga vdekja, të mbijetuarit janë kudo: pacientë nga kujdesi intensiv që u përballën me tmerrin e COVID-19 në formën e tij më të egër, mjekët dhe infermierët që u kujdesën për ta, të afërmit e detyruar të vajtojnë nga WhatsApp dhe Zoom dhe familje që humbën të afërmit e tyre. Profesionistët e shëndetit mendor thonë se që nga Lufta e Dytë Botërore, asnjë ngjarje nuk ka traumatizuar në të njëjtën kohë, kaq shumë njerëz, në kaq shumë vende. Mënyra sesi do t’ia dalin mbanë njerëzit në muajt dhe vitet e ardhshme, do të varet pjesërisht nga mënyra se si do të reagojnë shtetet – dhe më e rëndësishmja, komunitetet e tyre.

  • Stres masiv

Në vitin 1972, në një minierë qymyri në West Virginia, shpërtheu një digë dhe 132 milionë litra llum u derdhën në luginën e Buffalo Creek, duke vrarë 125 njerëz dhe duke shkatërruar me mijëra shtëpi. Avokatët e viktimave punësuan sociologun Kai Erikson, për të studiuar pasojat e përmbytjes. Ajo nuk kishte shkatërruar vetëm objektet fizike, por edhe marrëdhëniet, rutinën, traditën dhe besimin. Ai e quajti këtë shkatërrim një “traumë kolektive”.

Sipas zotit Erikson, përvojat traumatike natyrisht që i dëmtojnë individët. Por ato gjithashtu mund të ndryshojnë edhe dinamikën e grupeve. Njerëzit nuk i besojnë më njëri-tjetrit. Bëhet më e vështirë që të mbledhësh njerëzit së bashku dhe më e lehtë të hapësh plagë të reja. Nëse nuk bëhet asgjë për të zgjidhur problemin, kjo mund të dëmtojë përgjithmonë një shoqëri – dhe madje ta shkatërrojë atë. Në Buffalo Creek, shpërfillja e hidhërimit të banorëve dhe neglizhenca në masë, rrënuan disa qytete.

Megjithëse termi mund të ketë qenë i ri, përvoja e traumës kolektive nuk ishte aspak e re. Trauma masive tani është identifikuar në kontekstin e luftërave, katastrofave natyrore dhe sulmeve terroriste. Studimet tregojnë se njerëzit dhe komunitetet zakonisht janë shumë elastikë. Megjithatë, ekspozimi ndaj vdekjes i vë ata në rrezik më të madh ndaj vuajtjeve të rënda. Dhuna dhe katastrofat për shkak të neglizhencës – si përmbytja e Buffalo Creek ose shpërthimi më 4 gusht në një depo në Bejrut që vrau rreth 150 njerëz – kanë më shumë të ngjarë të shkaktojnë trauma sesa “aktet e Zotit”, si uraganet apo tërmetet.

Pandemitë nuk hyjnë në asnjërën prej këtyre kategorive. Gjatë shpërthimit të virusit SARS (sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes) në Hong-Kong në vitin 2003, gati 40% e popullsisë përjetoi rritje stresi, 16% shfaqi shenja traume dhe vetëm 25% besonin se kishin shumë shanse për të mbijetuar nëse do të prekeshin nga sëmundja, edhe pse shkalla e vdekshmërisë ishte rreth 10%.

Një përmbledhje e studimeve që përfshijnë pacientët e trajtuar për virusin SARS, zbuloi se një e treta vazhdoi të zhvillonte simptoma të çrregullimit të stresit post-traumatik (PTSD), që përfshijnë ripërjetimin e ngjarjeve të rënda në tru dhe pagjumësi. Por, epidemitë e kaluara nuk e reflektojnë siç duhet COVID-19. Shtrirja e tij në të gjithë globin dhe ndikimi në thuajse çdo aspekt të jetës, e bëjnë këtë virus më të ngjashëm me një luftë botërore.

Gjatë dy Luftërave Botërore, nuk janë kryer studime të mëdha psikologjike, megjithëse Holokausti u kthye në ngjarjen që simbolizon më tepër vdekjen dhe vuajtjet masive. Në fillim të viteve 2000, studiuesit zbuluan se rreth gjysma e të mbijetuarve të Holokaustit vuanin ende nga çrregullimi PTSD. Shumë prej tyre kishin çrregullime të tjera si skizofreni.

Edhe nga europianët jo-hebrenj që kishin qenë fëmijë gjatë luftës, 10-40% ende shfaqnin simptoma të PTSD. Studimet kanë treguar se “trauma e trashëguar” mund t’u transmetohet edhe brezave pasardhës, ose sepse fëmijët janë të rrethuar me kujtimet e prindërve, ose ngaqë e trashëgojnë përmes gjeneve.

Vuajtjet e shkaktuara nga COVID-19 nuk u afrohen aspak tmerreve të Holokaustit. Sidoqoftë, Krzysztof Kaniasty, një psikolog dhe ekspert i katastrofave, thekson se pandemia paraqet gati të gjithë faktorët e rrezikut për PTSD. Ajo ka shkaktuar vdekje të papritura, ngjarje që ndryshojnë jetën, përçarje sociale në shkallë të gjerë dhe stresues kronikë, si pasiguria dhe problemet më të shpeshta të jetës së përditshme.

Personat më fatlumë do të vuajnë paksa nga një apo dy pasoja të tilla. Megjithatë, më shumë se në çdo pikë të historisë së kohëve moderne, me miliona njerëz janë ndikuar nga të gjitha efektet. Në studimin e parë në shkallë të gjerë të një vendi të zhvilluar të goditur nga COVID-19, botuar në korrik nga Psychiatry Research, 29% e 15,530 britanikëve të anketuar, plotësuan kriteret për një çrregullim të përgjithshëm psikiatrik.

Në Spanjë, mungesa e pajisjeve mbrojtëse ka shkaktuar që gati një e gjashta e infeksioneve nga COVID-19 të jenë punonjës të shëndetësisë, dhe më shumë se gjysma tregojnë shenja të PTSD. Një studim tjetër zbuloi se 86% e banorëve të Bangladeshit po përjetojnë stres të lidhur me COVID-19, duke rezultuar në pagjumësi, nervozizëm dhe probleme familjare.

Ka shenja shprese. Në një plan afatgjatë, njerëzit ia dalin mbanë më mirë kur perceptojnë mbështetje të fortë sociale, pas një katastrofe dhe nuk ia dalin mbanë mirë kur ndihen të lënë pas dore, ose të përjashtuar. “Komunitetet e forta ndihmojnë në lehtësimin e efekteve të rënda traumatike”, thotë Joshua Morganstein nga Uniformed Services University në Bethesda, Maryland.

Studimet e tij për punëtorët e shëndetësisë në Florida, pas uraganeve të viteve 2004 dhe 2005, zbuluan nivele më të ulëta të PTSD dhe depresionit në ata njerëz që jetonin në vende me qarqe sociale të ngushta, të cilat janë më të afta të organizohen në kohë krizash.

  • Kushte të pafavorshme për të mësuar

Më 21 shkurt, në Itali u diagnostikua rasti i parë i COVID-19 në një spital të vogël në Codogno, një qytet i qetë me rrugë të shtruara me kalldrëm, jo shumë larg lumit Po. Banorët e tij përjetuan me të shpejtë një dramë që e kishin parë vetëm në filma. Në “zonën e kuqe” të sapodeklaruar, u imponuan bllokimet e rrugëve dhe banorët u dyndën nëpër farmaci për të blerë pajisje mbrojtëse personale (PPE), të cilat mbaruan shpejt. “Ishte si një luftë me një armik të padukshëm”, thotë Rosa Cavalli, familja e së cilës zotëron një farmaci.

Por brenda pak ditësh, 100 njerëz nisën të punonin si vullnetarë në një qendër operacioni të drejtuar nga Shërbimi i Italisë për Reagimin ndaj Katastrofave. Stacioni lokal i radios, që u quajt “Radio Zona e Kuqe”, filloi të publikonte buletine dy herë në ditë, për të hedhur poshtë lajmet e rreme dhe teoritë e konspiracionit. “Kishte një moment fillestar çorientimi”, thotë Nicoletta Porcu, një psikologe që u bë pjesë e një grupi krizash së bashku me kolegët. Por mbështetja në masë ndihmoi që qyteti të dalë më i fortë nga trauma.

Sipas profesorit Kaniasty, “mbështetja” në formën e një dhurimi është më pak e rëndësishme për rezultatet psikologjike sesa “mbështetja e perceptuar”, pra ndjesia se njerëzit mund të mbështeten te fqinjët e tyre. Teksa qyteti Codogno doli nga karantina në qershor, shkalla e pajtueshmërisë me rregullat e distancimit social – e nevojshme për rimëkëmbjen – ishte jashtëzakonisht e lartë. Famullitari Iginio Passerini, u befasua kur një djalë i ri, gjatë rrëfimit, renditi në listën e mëkateve faktin se kishte ulur maskën e fytyrës kur ndodhej jashtë.

Tragjeditë në masë mund t’u mësojnë njerëzve si t’i shmangin ose t’i zbusin ato në të ardhmen. Kjo mund të shpjegojë pse banorët e Hong-Kongut i mbanin maskat, edhe përpara se të raportohej ndonjë rast i COVID-19. Shumica e lidhin këtë me përvojën e tmerrshme me virusin SARS, kur u bënë mjaft gabime tragjike. Por kjo ngriti gjithashtu profilin e mjekëve. Një numër rekord studentësh aplikuan për të studiuar mjekësi. Qeveria shtoi reparte izolimi në spitale, specialistë të trajnuar për infeksione dhe pajisje mbrojtëse.

Investime të tilla sollën përfitime këtë vit. Asnjë vdekje nga COVID-19 nuk u raportua për punonjësit e spitaleve në Hong-Kong. Përgjigjja ndaj pandemisë rriti popullaritetin e qeverisë jopopullore, por një ligj polemik mbi sigurinë ka ulur sërish besimin e publikut dhe mund të rrezikojë strategjinë e testimit në masë.

COVID-19 është më i lehtë për t’u trajtuar sesa disa trauma. Ai lëviz më ngadalë dhe është më i shpërndarë sesa një katastrofë natyrore, duke u dhënë kohë qeverive për reagim. Ndryshe nga një luftë apo një sulm terrorist, nuk ka asnjë armik të drejtpërdrejtë njerëzor për të fajësuar. Disa gjejnë ngushëllim në faktin se e gjithë bota po e kalon këtë vështirësi në të njëjtën kohë.

Kur Wayne Bai, një punëtor në një kompani telekomunikacioni në Wuhan, duhej të nisej për një udhëtim biznesi një ditë pasi u hoq karantina në qytet, atij iu refuzua një dhomë në shtatë hotele. Por kjo bezdi u shua teksa virusi u përhap në të gjithë globin.

Kjo përhapje universale natyrisht që ka disavantazhet e veta. Së pari, vendet e varfra nuk mund t’u drejtohen atyre të pasura për para ose furnizime. Punëtorët e ndihmës, të cilët zakonisht mbërrijnë pas katastrofave, do të kishin qenë shumë të nevojshëm në Guayaquil, Ekuador, ku shërbimet e varrimit u ndërprenë në fund të marsit, duke çuar në grumbullimin e trupave të pajetë në shtëpi.

Zaida Roviras i kujtohet kur po përpiqej të ngushëllonte një 70- vjeçar, i cili kishte kaluar katër ditë me trupin e të vëllait në një dhomë të përbashkët. Në spitalin Guasmo, të afërmit duhej të futeshin në kontejnerë frigoriferi për të parë qindra kufoma të paidentifikuara. Më shumë se 70 kanë mbetur ende të paidentifikuara. Vetëm kohët e fundit, stafi nisi të mbledhë mostra të ADN-së, pasi pranoi se dërgimi i fotove të trupave të pajetë për identifikim në WhatsApp, mund të ketë sjellë gabime në identifikim.

Qendra Guayaquil me 2.7 milionë banorë, po numëron ende të vdekurit. Ata mund të arrijnë në 10,000, një nga nivelet më të larta të vdekjeve se çdo qytet i madh. Megjithatë, ky lajm u shpërfill nga mediat në prill dhe zona është detyruar t’i zgjidhë vetë problemet e saj. Shumica e anëtarëve të familjes nuk kanë marrë mbështetje psikologjike. Kjo na sjell në një tjetër karakteristikë të rëndësishme të COVID-19 – barra e shëndetit mendor bie në mënyrë të pabarabartë në pjesë të ndryshme të botës.

Vuajtjet përkeqësohen në zonat që nuk arritën të zbatojnë mësimet e marra nga traumat e mëparshme. Pjesët e New Orleans ku afro-amerikanët vdiqën nga COVID-19 me ritme dy deri në tri herë më të larta se të bardhët, ishin të njëjtat zona të shkatërruara nga Uragani Katrina në vitin 2005. Për më tepër, politikat raciste të strehimit i kanë shtyrë pakicat në zona të prapambetura.

Tani, një pjesë më e madhe e pakicave punojnë në profesione më të rrezikuara, si pastrues spitalesh apo punëtorë dyqanesh. Ata gjithashtu kanë më shumë probleme ekzistuese shëndetësore si diabeti, shpesh të shkaktuara nga aksesi i ulët në kujdesin shëndetësor.

  • Gjurmët e dhimbjes

Udhëheqja e mirë mund t’i bashkojë njerëzit në kohë krize. Ndërsa udhëheqja polarizuese ka efektin e kundërt. Në Brazil, presidenti Jair Bolsonaro ka përsëritur pretendimin e homologut amerikan se rënia ekonomike nga COVID-19 është një traumë më e madhe se numri i të vdekurve. Në të dyja këto shtete, distancimi social është kthyer në një deklaratë politike. Edhe kur spitalet ishin të mbushura plot në Manaus, më pak se gjysma e njerëzve qëndronin në shtëpi.

Guvernatori lokal u përpoq ta portretizonte veten si person i përgjegjshëm, por njerëzit nuk patën më besim tek ai, pasi sekretarja e tij e shëndetësisë u arrestua për akuzat se ishte përfshirë në një kompani që krijonte aparate të rreme për frymëmarrjen, të cilat i mohon. Korrupsioni ishte edhe më i qartë në Guayaquil. Avokati i Popullit po heton raportimet se personeli i morgut u ka kërkuar të afërmve 700 dollarë për kthimin e trupave, megjithëse shumica e pjesëtarëve të familjes janë tepër të traumatizuar për të ngritur padi.

Kaosi në majë e bën më të vështirë përballjen me një realitet të ashpër. Disa njerëz e humbin besimin fare. Psikologët që krijuan një linjë telefonike ndihme në Manaus, u befasuan kur zbuluan se edhe telefonuesit, të cilët e kishin humbur të afërmit nga COVID-19, e minimizonin rolin e virusit, duke pretenduar se sëmundjet e tjera ishin shkaktaret e vërteta të vdekjes.

Shumë besojnë se duhen fajësuar teoritë e konspiracionit në internet, si për shembull njëra që pretendon se shteti e ka ekzagjeruar numrin e të vdekurve për të marrë më shumë para federale dhe një tjetër që pretendon se arkivolet në varret masive ishin mbushur me gurë. Sônia Lemos, e cila drejtoi linjën telefonike, tha se vendasit po kalonin në kolektiv një periudhë shkëputje nga realiteti. “Është një mekanizëm mbrojtës që i shpëton njerëzit nga ndjenja e përgjegjësisë”.

Ekziston një rrezik që ndarjet politike, distancimet sociale dhe problemet ekonomike, me kalimin e kohës do të çojnë në një humbjen e bashkimit, në të njëjtën mënyrë si zhvendosja pas përmbytjes së Buffalo Creek “e ktheu në të përhershme atë që mund të kishte qenë thjesht një gjendje kalimtare tronditjeje”. Komunitetet nuk mund të vajtojnë së bashku, sepse katastrofa po vazhdon dhe kërcënimi ende nuk është zhdukur, thotë Judith Lewis Herman, profesore e psikiatrisë në Shkollën Mjekësore të Harvardit. Ajo vë në dukje tre fazat e shërimit: rivendosjen e sigurisë, përkujtimin dhe vajtimin dhe rilidhjen me të tjerët. Distancimi social i ndërlikon të gjitha.

Prandaj, ashtu si vetë pandemia, pasojat psikologjike do të kërkojnë vlerësim dhe përshtatje. Shumë mjekë janë ende të përqendruar në shpëtimin e jetëve, por qeveritë dhe profesionistët e shëndetit mendor duhet të fillojnë të mendojnë për ndërhyrjet “psiko-sociale”. “Njësitë e urgjencës mjekësore dhe psikologjike” në Francë, ofrojnë një model që mund të ndiqet. Ato nisën si përpjekje për t’iu përgjigjur shqetësimeve të shëndetit mendor pas një sulmi terrorist në vitin 1995.

Njerëzve u ofrohet mbështetje e menjëhershme psikologjike pranë vendit të ngjarjes, ashtu siç do t’u ofrohej shërbimi paramjekësor. Katër vjet pasi u vranë 86 njerëz në Nisë nga një sulm terrorist, qyteti i është kthyer normalitetit, thotë Frédéric Jover, psikiatri i cili drejtonte njësinë asokohe. Por rrugët e zbrazëta këtë pranverë rikthyen kujtime të trishta. Qyteti i Nisës riaktivizoi njësinë për të ndihmuar njerëzit që po përjetonin vështirësi, për shkak të humbjes së një të afërmi, ankthit dhe izolimit.

Fakti që COVID-19 është më i ngadaltë se një bombë ose një përmbytje, u jep qeverive dhe organizatave joqeveritare një mundësi për të identifikuar dhe për të trajtuar problemet e shëndetit mendor përpara se të jetë tepër vonë. Të nxitur nga protestat kombëtare kundër racizmit dhe dhunës policore, grupet e avokatisë në Luiziana po propozojnë politika për një rimëkëmbje nga COVID-19, “të bazuar në drejtësinë racore dhe ekonomike”. Departamenti i Shëndetësisë së Nju Jorkut po mban takime virtuale për afro-amerikanët, duke përfshirë edhe webinar-e për ndihmën psikologjike.

Por nuk do të jetë e lehtë për të mbështetur rritjen e kohëve të fundit në organizimin e komunitetit dhe rrjetet e ndihmës së ndërsjellë (si grupet WhatsApp për të sjellë ushqime për njerëzit e moshuar) që janë shfaqur në të gjithë vendin. Lodhja dhe harresa mund të çojnë në përkeqësimin e rrjeteve sociale, thotë Sarah Lowe nga Shkolla e Shëndetit Publik në Yale. “Shpesh njerëzit ende janë në proces rimëkëmbjeje në kohën kur ndërpriten burimet”. Një nga studimet e saj zbuloi se një vit pas Uraganit Sandy, i cili goditi Nju Jorkun në vitin 2012, rezultatet e shëndetit mendor ishin të ngjashme në të gjitha grupet demografike. Por dy vjet më vonë, të varfrit kishin mbetur me pasoja më të rënda psikologjike.

Vendet e varfra shpenzojnë shumë më pak në shërbimet e shëndetit mendor dhe qytetarët e tyre kanë më pak burime për marrjen e ndihmës. Kështu që shërimi duhet të vijë nga komuniteti. Kjo do të kërkojë krijimin e hapësirave – fizike ose virtuale – që njerëzit të bashkohen. Në Parque das Tribos, zonja Baré organizoi një grup WhatsApp për të shpërndarë shporta ushqimi.

Një infermiere lokale e përdori kohën e lirë për të shkuar derë më derë për të kontrolluar rastet e COVID-19 dhe e bindi qytetin për të instaluar një stacion shëndetësor të lëvizshëm. Familja e zotit Kokama bëri kërkesë në gjykatë që të mund të merrnin sërish trupin e tij për një ceremoni prej 30 minutash, me arkivol të mbyllur.

Miqtë dhe fqinjët e tij u mblodhën një ditë të diel, hera e parë që nga funerali, duke u ulur në karriget e lëndinës për të parë grupet lokale të kërcimit që performonin për të mbledhur para në Facebook Live. “Kjo është ende një thirrje për ndihmë”, tha Luciana Vasconcelos teksa pikturonte fytyrën e mikut të saj kuqezi. Ajo shtoi se Parque das Tribos i detyrohet për ekzistencën e tij një lloj traume kolektive: njerëz endacakë që u larguan nga pylli për në qytet, në kërkim të një jete më të mirë.

Nga një altoparlant u dëgjua një lirikë tradicionale me ritme moderne, dhe një celular i vendosur në një trekëmbësh filmonte valltarët, disa me bluza të thjeshta, të tjerë me tespihe, por të gjithë kishin një pamje që reflektonte shpresë të madhe.

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!