Projekti më i madh dhe prestigjoz është stadiumi “Air Albania”, që është e para arenë e mbuluar në vend dhe stadiumi me kapacitetin më të madh i ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri.
Gjithsesi, një tjetër stadium modern dhe me standarte të larta mund t’i shtohet kryeqytetit. Presidenti i Tiranës, Refik Halili e kishte zbardhur prej kohësh se është bërë një projekt për stadiumin e ri të Tiranës, por në dokumentarin për 100-vjetorin e klubit ka vendosur të zbulojë pamjet e projektit.
Bëhet fjalë për një investim gjigant, që e kalon shifrën e 30 milionë eurove. Është projekt për një stadium 100% të mbuluar me kapacitet 14 mijë vende.
I gjithi bardheblu dhe i dedikuar vetëm për klubin e Tiranës. Vetë presidenti i kampionëve të vendit flet për stadiumin e ri dhe shprehet se është një projekt totalisht i detajuar dhe pret vetëm miratimin nga autoritetet shtetërore për të nisur punimet.
Indirekt zbulohet se do të jetë një stadium i investuar nga vetë klubi dhe sponsorat e tij dhe përfitimet nga biletat dhe reklamat do të jenë sërish vetëm të Tiranës.
Ajo çka bie në sy është edhe një fushë stërvitore anës stadiumit, çka nëse realizohej do të ishte një investim mjaft i menduar. Mbetet të shihet sesa kohë do të marrë nisja e punimeve të këtij stadiumi, që do ishte vlerë e shtuar për gjithë vendin e veçanërisht për klubin e Tiranës.