MENU
klinika

Rezervimet e vjeshtës u anuluan 100%

“Turizmi humbi 1.3 miliardë euro nga pandemia”

04.09.2020 - 11:46

Ndryshe nga viti i kaluar, ku jo vetëm bregdeti por edhe kryeqyteti gëlonte nga turistet e huaj, mungesa e tyre për shkak të pandemisë e ka vënë në vështirësi të mëdha sektorin.

Mesa duket as turizmi patriotik nuk do të arrijë të kompensojë humbjet e mëdha të industrisë, që mban një peshë të konsiderueshme në ekonominë e vendit.”=

Mungesa e vizitorëve të huaj pritet t’i kushtojë vendit rreth 1.3 miliardë euro humbje në të ardhura.

Është ky vlerësimi që bën kryetari i Shoqatës së Tur Operatorëve Besnik Vathi, sipas të cilit situata paraqitet dramatike edhe për të ardhmen, teksa rezervimet për vjeshtën janë anuluar në masën 100%.

“Turizmi drejt kolapsit. Humbjet llogariten në rreth 1.2-1.3mld euro, rezervimet janë anuluar plotësisht për vjeshtën. Prurjet e vizitorëve nga Kosova nuk rikuperojnë dot humbjet”, tha Besnik Vathi, Kryetari i shoqatës së Tur Operator.

Kriza e koronavirusit ka prekur të gjithë hallkat e zinxhirit të industrisë turistike, që nga strukturat akomoduese, lokalet e deri te shitësit e vegjël.

” E kemi ndjerë shumë mungesën e turistëve të huaj dhe emigrantëve. Po hasim vështirësi edhe në pagesën e detyrimeve pasi nuk ka fuqi blerëse as për të mbuluar shpenzimet”, tha një shitëse.

Situatën e vështirë në terren e mbështesin edhe shifrat zyrtare. Sipas institutit të Statistikave, për 7-mujorin e këtij viti kanë hyrë 1.1 milionë vizitorë të huaj, duke shënuar një rënie 64.7% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.