MENU
klinika

Pika themelore e politikës së jashtme serbe

Vuçiç: Krenarë për marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën

24.09.2020 - 10:35

Gjatë adresimit në seancën e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se Kombet e Bashkuara duhet të përshtaten me rrethanat e reja dhe të jenë të gatshme për një përgjigje të përbashkët ndaj sfidave dhe problemeve të epokës moderne, transmeton Anadolu Agency.

Ai tha se pandemia e koronavirusit ka treguar qartë domosdoshmërinë e ekzistencës dhe forcimit të rolit të OKB-së, veçanërisht agjencitë dhe organizatat e saj të specializuara si Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

“Unë dua të falënderoj partnerët tanë evropianë, miqtë tanë kinezë si dhe miqtë tanë rusë”, tha Vuçiç, duke theksuar se Serbia gjithashtu u solidarizua dhe ofroi ndihmë për vendet e tjera.

Ai theksoi se anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian është prioriteti i politikës së jashtme të Serbisë, por që kjo nuk përjashton angazhimin për të zhvilluar bashkëpunim dhe thelluar marrëdhëniet me vendet e tjera në botë.

“Ne ushqejmë marrëdhënie partneriteti me vendet perëndimore, përfshirë bashkëpunimin gjithnjë e më intensiv me SHBA-të, por në të njëjtën kohë jemi krenarë për marrëdhëniet e shkëlqyera me Federatën Ruse dhe Kinën. Ne nuk e fshehim këtë, por jemi jashtëzakonisht krenarë për miqësitë tona”, tha ai, duke shtuar se forcimi i bashkëpunimit rajonal është një pikë themelore fillestare për politikën e jashtme të Serbisë.

Vuçiç potencoi se Serbia po përballet me problemin e ruajtjes së integritetit të saj territorial në lidhje me çështjen e Kosovës.

“Besojmë se pas një dialogu të gjatë dhe të vështirë do të mund të arrihet një zgjidhje, por të jeni të sigurt se Serbia nuk do të pranojë kurrë poshtërim. Për ne nuk është e pranueshme asgjë tjetër përveç kompromisit ndërsa me kompromis të dyja palët duhet të jenë të kënaqura ose të pakënaqura në mënyrë të barabartë”, tha Vuçiç.

Sipas tij, nënshkrimi i marrëveshjes në Washington është një hap i rëndësishëm në këtë kontekst.

“Dua të theksoj dhe vlerësoj rolin shumë konstruktiv dhe të rëndësishëm që administrata e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump luajti në arritjen e një marrëveshjes”, tha Vuçiç, duke shtuar se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës ishte mënyra e duhur për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, porse pika referuese nuk mund të jetë, siç tha ai, pavarësia poshtëruese dhe e papranueshme e Kosovës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN