MENU
klinika

"Gati për bisedime"

Vuçiç: Nuk e njoh Kosovën pa kompromis

27.09.2020 - 18:40

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaron se është i gatshëm të ulet dhe të diskutojë se cili do të ishte kompromisi për të zgjidhur çështjen e Kosovës, por shtoi se për të kërcyer tango, nevojiten dy persona.

“Jemi gati për bisedime dhe për zgjidhje të vështira, sepse nuk ka zgjidhje të lehta”, është shprehur lideri serb.

“Ndryshe prej tyre, unë s’mund të luaj me lojën e hedhjes së fajit. Në Prishtinë duhet ta kuptojnë se vetëm kompromisi është zgjidhje ndryshe edhe sikur të marrin një çekiç dhe të më godasin në kokë, nuk do të ketë njohje të pavarësisë me forcë”, shtoi Vuçiç.

I pyetur se kush e ka propozuar idenë për të emërtuar Liqenin e Ujmanit (Gazivode) me emrin e presidentit amerikan, Donald Trump, ai u përgjigj se kjo ka ardhur nga serbët e Kosovës.

“Qytetarët tanë në Kosovë e duan Trump. Si ka mundësi që askush nuk e kupton këtë, ata kanë kaluar periudhën më të keqe gjatë administratës së kaluar.

Çfarë mendoni se do të ulemi në gjunjë para atyre që na kanë bombarduar? S’do ta bëjmë dhe nuk më vjen turp ta them këtë”, u shpreh Vuçiç.

Ai shprehur mirënjohje për Trump duke thënë se ishte i bindur që Presidenti amerikan do të vizitonte Serbinë.

Presidenti serb më tej bëri thirrje për bashkim të serbëve pasi koha e luftërave ka kaluar tashmë dhe në paqe duhet të mendojnë për të mirën e vendit.

“Ndaj është shumë e rëndësishme që të garantojmë paqen dhe të kemi më shumë fëmijë në të ardhmen. Serbia nuk ka të ardhme nëse ne nuk mendojmë për këtë gjë. Kur jeta është shumë e mirë, ne kemi numër të ulët fëmijësh”, deklaroi ai.