MENU
klinika

Ditari sekret

Zbulohen bisedat mes Hysni Kapos dhe Enver Hoxhës

08.09.2020 - 12:30

AFRIM IMAJ/ Dy ngjarje të panjohura nga viti i largët 1966 zbulohen për herë të parë nga shënimet në ditarin e Hysni Kapos: Dorëheqja e Beqir Ballukut si ministër i Mbrojtjes dhe kërkesa enigmatike e Mehmet Shehut për të zëvendësuar postin e Kryeministrit me atë të sekretarit të KQ-së për çështjet organizative.

Ish-numri dy i lidershipit komunist dhe krahu i djathtë i Hoxhës është mjaftuar me regjistrimin telegrafik të ngjarjeve të pazakonta, me të cilat është njohur gjatë komunikimit konfidencial me eprorin e tij. Të tjera detaje për dorëheqjet e panjohura dhe rrethanat që kanë kushtëzuar vendimin e dy funksionarëve të rëndësishëm për t’u vetëviktimizuar gjenden në dosjen e Kapos në formën e refleksioneve dhe sistemimin e të dhënave nga burime të besueshme mbi figurën e Ballukut dhe Shehut.

Në aq sa ka lënë të shkruar ish-sekretari i KQ-së, që drejtonte Sigurimin e Shtetit dhe organet e diktaturës, bëhet e ditur se ministri i Mbrojtjes e shikonte këtë zgjidhje si rrugën e vetme për të shmangur konfliktin e hershëm me gjeneralët karizmatikë, Dume e Çako, të cilët nuk i bindeshin.

Sakaq, tërheqja e papritur e Shehut nga posti i Kryeministrit, në shpjegimet e Kapos, që u referohet bisedave me Hoxhën, lidhet me rivalitetin me Ballukun dhe qejfmbetjet për mënyrën e vlerësimit të besueshmërisë dhe kontributit të tij nga udhëheqja e lartë e Partisë, që nënkuptonte Byronë Politike dhe Sekretariatin e KQ-së.

Bisedat konfidenciale të Kapos me Hoxhën zbulojnë kështu pjesën e panjohur të intrigave në majën e piramidës të regjimit komunist. Në numrin e sotëm zbardhim vetëm një fragment nga odiseja e përplasjeve misterioze që i përket vitit të largët 1966. Ditari i Kapos në vijim sjell të tjera episode nga përplasjet dramatike në radhët e liderëve politikë që drejtuan vendin me dorë të hekurt për gjysmë shekulli.

2 janar 1966

Ora 13:00 u takuam me shokun Enver dhe shoqen Nexhmije. Biseduam për mjaft çështje të punës së Partisë, të luftës kundër burokratizmit, biseduam për përpjekjen e revizionistëve sovjetikë bashkë me imperialistët amerikanë, për të gjetur rrugët e zgjidhjes së krizës në Vietnam. Revizionistët sovjetikë po bëjnë gjithçka u vjen për duarsh për të nxjerrë imperializmin amerikan nga situata e vështirë në Vietnam.

3 janar 1966

Dita e parë e punës në zyrë për vitin e ri 1966. Shumë punë, shumë probleme të vështira na dalin përpara. Ditën e parë të vitit të ri e fillova me Iliazin, drejtorin e ri të Drejtorisë së Bujqësisë. Ai filloi punën e re më 3 janar. U ktheva në shtëpi në orën 23:30

4 janar 1966

Do raportoj te shoku Enver. Sa besim dhe nder më ka bërë Partia ime e dashur që unë të punoj në aparatin e KQ, pranë shokut Enver! Shoku Enver ka qenë për mua mësuesi im, si shok, si prind i mirë. Ai sot erdhi në zyrën time kur ishim bashkë me Hakiun (Toskën) dhe biseduam si duhen vënë në lëvizje organizatat e partisë në dikasteret qendrore. Në orën 13:00 u bë mbledhja e Sekretariatit të KQ. Të gjithë sekretarët u ndanë për të shkuar në rrethe. Unë u caktova të shkoj në Vlorë, Fier dhe Berat. Në orën 17:00 prita një nga udhëheqësit e Partisë Revolucionare afgane, kongolezin Numengi Feliks.

14 janar 1966

Afër drekës shkova në Shtëpinë e Partisë. U takova me shokun Enver. Shoku Enver u interesua mbi problemet që kishin dalë në bazë. I raportova mendimet e mia mbi sa kisha parë e dëgjuar.

17 janar 1966

Mbas shumë ditësh punë në rrethe, sot, ditë e hënë, fillova punë në zyrë. Në orën 13:00, shoku Enver thirri sekretarët e KQ në zyrën e tij. Shtroi si çështje kryesore punën që do bëjmë për Kongresin e Partisë. Në orën 20:00 shkova në shtëpi i lodhur.

18 janar 1966

Gazeta “Zëri i Popullit” njoftonte mbi letrën e 11 agronomëve të Durrësit, të cilët iu përgjigjën me patriotizëm thirrjes së Partisë që të largohen nga zyrat në qytet dhe të shkojnë me punë në fshat. Shoku Enver, sa erdhi në zyrë, më telefonoi dhe më pyeti nëse e kisha lexuar gazetën “Zëri”.
Ishte i gëzuar nga ky akt, por i pëlqente që këtë iniciativë ta kishin marrë punonjësit e aparateve të Tiranës, pse këtu në Tiranë ka aparate të fryra, ka burokratizëm, këtu duhet shkurtuar me sëpatë të madhe.

21 janar 1966

Bashkë me Ramizin, Hakinë, Ritën, u mblodhëm për të diskutuar planin e punës së Byrosë Politike dhe të Sekretariatit të KQ. Kur ishim duke biseduar, erdhi shoku Enver. Na dha udhëzime të rëndësishme.

27 janar 1966

Në zyrë pata punë të zakonshme. Dëgjova delegacionin që u kthye nga Konferenca e tri kontinenteve, që u mbajt në Havanë. Foto Çami raportoi shumë çështje interesante. Revizionistët në Konferencë ishin demaskuar keq. Si kurdoherë, edhe këtu delegacioni ynë demaskoi politikën tradhtare të revizionistëve sovjetikë. Mora masat që më porositi shoku Enver për ardhjen e shokëve indonezianë nga Pekini në Shqipëri.

4 shkurt 1966

Ora 9:00 filloi mbledhja e Byrosë Politike. Mbaroi në orën 15:00.

7 shkurt 1966

Shoku Enver erdhi në zyrë dhe më thirri e biseduam për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me gabimet që janë bërë dhe qëndrimet burokratike që janë konstatuar në organet shtetërore dhe se si kjo çështje nga Mehmet Shehu është kuptuar gabim. Shoku Enver foli për përshtypjen që i kishte bërë propozimi i Mehmet Shehut për të ikur nga Kryeministria, për të ardhur në aparatin e KQ dhe të merrej me çështje organizative, propozim që tregon se nuk i ka kuptuar thellë gabimet.

Shoku Enver ishte mjaft i shqetësuar. “Unë, – tha, – ta them ty se nuk kam kujt t’ia them. Dhe kur ta them ty, sikur ia them vetvetes, ta dish mendimin tim”. Ora 10:00 na thirri në mbledhje mua, Beqir Ballukun, Ramizin dhe Rita Markon dhe na foli për letrën që duhet bërë për luftën kundër burokratizimit. Pasdite u mora me punë në zyrë.

23 shkurt 1966

Ora 9:00 filloi mbledhja e Byrosë Politike për shqyrtimin e riorganizimit të punës në aparatin e KQ. Shoku Enver bëri një analizë mbi karakterin e Ushtrisë Popullore dhe konceptit borgjez, mbi ushtrinë borgjeze-ushtrinë e gjeneralëve, marshallëve, kolonelëve dhe kastave e puçeve.

Ditari-Sekret-i-Hysni-Kapos1

28 shkurt 1966

Shoku Enver, në orën 20:30, më mori në telefon dhe më njoftoi se do të vijë pas darke. Erdhi. Ishte shumë i shqetësuar. Më hapi bisedën që kishte pasur në darkë me Beqir Ballukun. Më foli për atë që i kishte shtruar Beqiri. U trondita! Si është e mundur që Beqir Balluku të vijë me konkluzione kaq të gabuara, që përbëjnë një faj të rëndë?

Bisedova gjatë me shokun Enver për këtë çështje, analizuam shkaqet që e shtynë Beqir Ballukun të arrijë në ato konkluzione sa t’i kërkojë shokut Enver të shkarkohet nga detyra e ministrit të Mbrojtjes.
Ramë dakord me shokun Enver që çështja të shtrohej në kohën e duhur në Byronë Politike. Varet shumë nga Beqir Balluku, a do të thellohet, a do ta kuptojë gabimin. Në orën 23:00 u ndamë. E përcolla deri në shtëpi. Nuk fjeta gjithë natën.

1 mars 1966

Shoku Enver më thirri dhe më njoftoi se Beqir Balluku kishte kërkuar të takohej me të. E kishte pritur e dëgjuar. Dukej se Beqiri nuk ishte thelluar. Shoku Enver e kishte ndihmuar të reflektonte, të analizonte gabimet e tij. Kishte premtuar se do të thellohej. Të shohim!

2 mars 1966

Takim me Kadri Hazbiun. E dëgjova për procesin e Halim Xhelos. I dhashë udhëzimet përkatëse. Duket se edhe Kadriu nuk ka mendime të drejta për fërkimet në udhëheqjen e Ushtrisë, i shikon çështjet të njëanshme dhe me pasion. Nuk desha të futesha në këtë çështje pse mendova që mbi këtë do të diskutohej në kohën e duhur në Byronë Politike. I raportova shokut Enver mbi bisedimet me Kadrinë.

3 mars 1966

Me Sadik Bekteshin diskutuam instruksionin mbi punën e organeve politike dhe të Partisë në Ushtri, strukturën e re të Drejtorisë Politike dhe masat që janë marrë për mbledhjen me oficerët e ushtrisë në aparatin e KQ ditën e shtunë ku shoku Enver do të shtrojë reformat që duhen marrë në ushtri. Punova me Mihal Bishën dhe Gafur Çuçin për çështjen e shkurtimit të pagave të funksionarëve të lartë të Partisë dhe të shtetit. Takova Beqir Ballukun. Fola me të. Më pas u takova me shokun Enver dhe e informova për bisedën me Beqirin. Ishte dakord me këshillat që i kisha dhënë.

4 mars 1966

Në mbledhjen e KQ. Pasdite prita vizita në shtëpi me rastin e ditëlindjes.

5 mars 1966

Ora 9:00, në sallën e madhe në KQ, filloi mbledhja me 350 oficerë të Ushtrisë. Ajo u organizua me iniciativën e shokut Enver për të punuar vendimin e KQ për heqjen e gradave dhe vendosjen e komisarëve politikë në Ushtri. Pasi foli shoku Enver, e mori fjalën Ndreko Rinua. Diskutoi shumë mirë. Pastaj folën edhe 11 oficerë të tjerë, midis tyre Fahri Bubsi, Qamil Poda, Haki Gjondeda etj. Shoku Enver mori përsëri fjalën dhe shtroi çështje të rëndësishme politike, ideologjike e ushtarake.

10 mars 1966

(Në Vlorë) Para se të nisesha në Tiranë, m’u desh të bisedoja me Byronë e Partisë së rrethit, të shtroj mendimet e mia mbi gjithçka pashë gjatë tri ditëve të qëndrimit në Vlorë… Në qytet, ndryshe nga në fshat, ka mjaft të merakosur që nuk kuptojnë akoma rëndësinë e thirrjes së Partisë për të shkuar në prodhim dhe në fshat. Duhet punuar me ta që ta kuptojnë këtë moment historik dhe të shkojnë atje ku ka nevojë atdheu, ekonomia, Partia.

Të shumtë janë në Vlorë nga ata që zënë për palltoje këdo që vete nga Tirana në Vlorë, u shtrojnë kërkesa dhe ankesa. Këta tipa janë të pakënaqur. Shokët e Vlorës, të nisur nga qëllimi i mirë për të ndihmuar fshatin, për luftën kundër burokratizmit, më shumë u tërhoqën nga entuziazmi, i mori vala, sesa të punonin dhe të mendonin thellë për masat e marra. Ata dërguan në fshat dhe në prodhim kuadro, njerëz që nuk duheshin dërguar, boshatisën aparatin e Partisë dhe të pushtetit, lejuan të krijohej përshtypja në masa se duhej boshatisur aparati, zyrat, se kush punon në zyra është i keq, burokrat, aq sa punonjësit e administratës u vunë në një pozitë që ta quanin për turp se punojnë në zyrat e shtetit. Ky gabim i rëndë po i kushton shtetit, pse shumë punë çalojnë.

14 mars 1966

Shkova herët në zyrë, nxora shpejt disa çështje nga duart. Në orën 10:00 filloi mbledhja e mbyllur e Kuvendit. Ishte hera e parë që u bë një praktikë e tillë. Deputetët, më shumë se 15 veta, ngritën mjaft pyetje dhe kërkuan sqarime për çështje të ndryshme. Në orën 16:00 bëmë mbledhjen e aparatit të KQ-së.

VIJON

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB

Artistët vlerësojnë mikpritjen e publikut shqiptar

Muzika italiane Jazz, në Gjirokastër!

Një krijim mbi Historinë, Stilistin dhe Mjeshtërinë artizanale

“Ti, Xhubleta e Re!”