MENU
klinika

As martesa, as fëmijët

Zbulohet “sekreti”… Çfarë na bën të lumtur?

14.09.2020 - 15:04

        Nuk ka rëndësi nëse me asgjë tjetër, veç çantës së shpinës ose përmes një rezervimi në një hotel luksoz – të gjitha përvojat e udhëtimit ndikojnë pozitivisht në shëndetin mendor, duke rritur konsiderueshëm endorfinën, hormoni i lumturisë.

Madje, për disa njerëz, gëzimi që ngjall në të vërtetë udhëtimi, mund të tejkalojë ngjarje të tjera të rëndësishme të jetës, si martesa ose ardhja në jetë e një fëmije.

Hulumtimi i kryer nga një agjenci udhëtimi online “Booking.com”, konfirmoi se njerëzit i vlerësojnë aq shumë udhëtimet, saqë këto të fundit kryesuan listën e faktorëve më të rëndësishëm që na lumturojnë në jetë!

Më poshtë, gjeni rezultatet e këtij studimi:

Udhëtimet janë një mundësi absolute, për t’u ndier të lumtur

Sipas “Booking.com”, në intervistën me 17,000 vetë që vinin nga 17 vende të ndryshme. Të anketuarit konfirmuan se, shumë pak gjëra mund t’i zëvendësojnë pushimet, kur bëhet fjalë për lumturinë. Për shembull, 77 për qind e tyre, thanë se organizojnë një udhëtim të shkurtër, kur janë të mërzitur dhe duan të ndryshojnë këtë gjendje jo të mirë shpirtërore.

Udhëtimi mund t’ju bëjë më të lumtur se ndoshta, disa ngjarje të tjera të rëndësishme të jetës

Pjesa më intriguese e këtij studimi është se njerëzit pohuan se i vlerësojnë udhëtimet më shumë sesa ngjarjet e rëndësishme në jetën e tyre.
Rreth 49 për qind e të anketuarve thanë se, kur planifikuan dhe shkuian me pushime janë ndier edhe më të lumtur sesa në ditën e dasmës!

Pothuajse gjysma e të intervistuarve, deklaruan se një darkë me partnerin, nuk i lumturon aq shumë sa një udhëtim, ndërsa 45 për qind e tyre pohuan se as fejesa, nuk u kishte dhuruar aq shumë entuziazëm sa udhëtimet.

As blerjet, nuk mund t’ju gëzojnë kaq shumë

Gjithashtu, rezultoi se njerëzit e vlerësojnë më shumë përvojat e reja sesa posedimin e shumë gjërave materiale. Thuajse 70 për qind e të anketuarve thanë se të shkosh me pushime është një kënaqësi që zgjat shumë më tepër sesa lumturia që të dhuron blerja.

Duket, sikur njerëzit janë gati të sakrifikojnë rehatinë për hir të përvojave të reja. Për shembull, 56 për qind e të anketuarve preferojnë të shkojnë me pushime sesa të blejnë rroba ose pajisje të reja, ndërsa 48 për qind, janë të gatshëm të shtyjnë rregullimet në shtëpi, për të vizituar vende të reja.

Edhe planifikimi i një udhëtimi, ndikon pozitivisht në gjendjen shpirtërore

Çuditërisht, për 72 për qind të të anketuarve, mjafton vetëm të fillojnë të planifikojnë një udhëtim, për t’u ndier më të lumtur. Për shembull, gati 80 për qind, ndihen të ngazëllyer kur, thjesht shikojnë një hartë dhe zgjedhin vendet që dëshirojnë të vizitojnë.
Sakaq, 6 nga 10 të anketuar, ndjejnë shumë kureshtje kur lexojnë komentet e hoteleve të ndryshme në rrjetet sociale dhe përfytyrojnë udhëtimet në të ardhmen.

Sidoqoftë, duket se kombinimi i përkryer janë blerjet dhe udhëtimet. Më shumë se gjysma e të anketuarve, pohuan se të blesh rroba për pushime, ishte një nga lumturitë më të mëdha!