Zyra e shtypit të Presidencës ka transmetuar live në Facebook, një pjesë nga takimi mes kreut të shtetit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama për tu konsultuar për datën e zgjedhjeve.
Takimi ka zgjatur vetëm 15 minuta, ndërsa pas takimit përfaqësuesit e mazhorancës nuk kanë folur për mediat, ndërsa dihet qëndrimi i tyre për datën e zgjedhjeve, 9 maji.
Në hyrje të takimit Meta i parashtroi kryeministrit arsyet e këtij takimi, ndërsa tha se vendosja e datës nuk ka ndonjë rëndësi të madhe.
“Unë fillova të zhvillonim konsultimet për datën e zgjedhjeve, me qëllim për të ndihmuar sa më shumë për një proces gjithëpërfshirës, jo se vendosja e datës ka ndonjë rëndësi vendimtare por për të respektuar çdo ndjeshmëri apo edhe kalendarë të tjera sic janë festat zyrtare. Në këtë drejtim do të isha i interesuar të dëgjoja edhe mendimin tuaj si përfaqësues të PS dhe të mazhorancës”.
Kryeministri Edi Rama shoqërohej edhe nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.