Nga Skënder Minxhozi
Në ambjentin politik shqiptar ka një ethe të përgjithshme, që nuk lidhet edhe aq me pandeminë e Covid 19. Është një tjetër lloj eksitimi mendor që përshkon trutë e të gjithë atyre që rrinë prej shtatë vitesh në pritje të një ndodhie që do të sjellë përmbysjen e qeverisë që kanë mbi krye. Krejt legjitime për të gjithë ata që nuk e pëlqejnë Edi Ramën dhe partinë e tij dhe që presin të votojnë krahun tjetër, por po aq e shtirë dhe e sforcuar tek ajo pjesë e ngrehinës politike e mediatike, që nuk le rast periferik e të stisur, pa shfrytëzuar për të kënduar fitore.
Grinden Turqia me Greqinë për hidrokarbure në Egje, e prej këtij sherri rrjedh si një bisht komete teoria se Shqipëria i dha detin Athinës. Kur s’ka ende as trupë negociatore, as negociata me qeverinë aktuale greke dhe as ndonjë draft-marrëveshjeje për pjesën tonë të shelfit detar me fqinjin jugor.
Nga ana tjetër, humbet Gjukanoviç në Malin e Zi dhe kori i vajtojcave në Tiranë nisin këngën e humbjes edhe për qeverinë aktuale shqiptare. As e mendojnë fare se largimi i Gjukanoviçit në Mal të Zi, përkon në fakt me ikjen e një homologu të Berishës, e jo të Ramës. Ky është cikli politik që dëshmon humbja e Gjukanoviç. Kishte 30 vjet në qeverisje dhe prej dekadash ishte ndryshkur në pushtet. Por për tifozët politikë të Tiranës është mjaft përshëndetja në serbisht e kryeministrit shqiptar për njeriun e fortë të Podgoricës dhe për këtë shkak humbja e këtij të fundit është edhe humbje e Edi Ramës. Paçka se në republikën e vogël malazeze luhet prej vitesh një skenar i rrezikshëm gjeopolitik, paçka se fitimtarët e saposhpallur festonin pak orë më parë rrugëve të qyteteve malazeze me këngë nacionaliste proruse e proserbe.
Është kthyer në një sport kombëtar për opozitën, që të përjetojë gjithçka ndodh brenda dhe jashtë vendit, si preludin e një fitoreje që opozita në fakt duhet ta arrijë vetë, pa shqipen filoserbe të Dritan Abazoviçit dhe pa 12 miljet detare të Micotakisit.
Fabulat boshe të shitjes së detit, të “humbjes historike” të Gjukanoviçit apo të konsiderimit të koronavirusit si një shpikje e së majtës për t’i mbyllur gojën të djathtës, janë që të gjitha karta naive dhe pa peshë në atë që shqiptarët do të vendosin për qeverinë e tyre pas tetë muajsh. Zgjedhjet do të zhvillohen këtu dhe votuesit shqiptarë nuk do t’ja dinë as për fatin e klasës politike të malit të Zi, e as për teoritë konspirative me komplote detare.
Sapo kemi hyrë në shtator dhe është koha që debati politik të fokusohet aty ku janë hallet e krizat e shqiptarëve. Kjo qeveri do të përballet me bilancin e saj tetëvjeçar, ashtu si opozita do të ofrohet me programin e saj për katër vitet në vazhdim. Largimi i vëmendjes nga këto piketa vetëm sa e falsifikon dhe e bën pa peshë e pa përmbajtje debatin politik dhe ata që e prodhojnë atë. Rezultati i Podgoricës nuk vlen në Tiranë, ashtu si prefiksi telefonik ndryshon sapo kalon Hanin e Hotit. Eshtë të hiqni rrobat e plazhit e t’i drejtoheni shqiptarëve. Nëse keni gjë për të thënë, kuptohet…