MENU
klinika

Transferimi

Zyrtare, mbrojtësi kuqezi firmos në Serie A

14.09.2020 - 18:13

Akordi ishte arritur prej kohësh dhe sot, pas vizitave mjekësore, klubi I Serie A, Spezia ka zyrtarizuar shqiptarin Ardian Ismajli, që do të veshë fanellën bardhezi. 24-vjeçari shqiptar ka nënshkruar një kontratë tre-vjeçare me Spezia.

Njoftimi për blerjen e Ismajlit u bë nga klubi ligurian: “Ardian Ismajli është një lojtar i ri në Spezia Calcio! Mbrojtësi arrin përfundimisht nga Hajduk Split dhe ka nënshkruar një kontratë që do ta lidhë atë me klubin për tre vjet “.

Transferimi ka kushtuar 2 mln euro. Kryesisht qendror në mbrojtje, Ismajli gjithashtu mund të luajë si një mbrojtës i djathtë në rast nevoje. Ismajli është titullar edhe te Kombëtarja e Shqipërisë.

Në Kosovë nuk e kanë kapërdirë faktin se Ardian Ismajli zgjodhi të vishte fanellën kuqezi dhe jo atë të “Dardanëve”. Kjo kuptohet nga statusi në rrjetet sociale i babait të futbollistit, pak minuta pas firmës së tij me Spezian.

“Falënderimet e panumërta i takojnë të madhit Allah që na mbron nga kurthet e njerëzve të këqij. E në veçanti që na ndihmoi të shkojë Ardiani për Itali të kryejë testet mjekësore, nga njerëz që nuk ia duan të mirën këtij vendi, nga njerëz që kishin planifikuar t’ia shkatërrojnë karrierën.

Falë Zotit, na bëri të jemi gjakftohtë sepse ishte planifikuar edhe arrestimi i tij vetëm e vetëm që të mos e lejojnë fluturimin nga aeroporti i Prishtinës.

Kur e panë që nuk po biem në kurthet e tyre na urdhëruan që të largohemi nga aeroporti dhe të shkojmë në aeroportin e Tiranës me pretekstin sepse ju luani për Shqipërinë. Zot na mbro nga këta fanatikë, mbroje edhe popullin në përgjithësi. Ardian ty të urojmë suksese dhe realizimin e ëndrrave që me shumë sakrificë i ke kthyer në realitet”, shkruan Ilmi Ismajli.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN