MENU
klinika

Nga Aljazeera

Vijon lufta në Nagorno-Karabakh pas bisedimeve në Uashington?

24.10.2020 - 16:46

Azerbajxhani raportoi lsërish uftime brenda dhe përreth Nagorno-Karabakut pavarësisht se Pompeo zhvilloi bisedime me të dy palët në Uashington, DC.

Përplasjet shpërthyen midis forcave etnike azerbajxhanase dhe armene rreth Nagorno-Karabakut një ditë pas bisedimeve në Uashington, DC në përpjekje për t’i dhënë fund luftimeve më vdekjeprurëse në enklavën malore në më shumë se çerek shekulli.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit raportoi dje se kishte luftime përreth Nagorno-Karabakut, një pjesë e Azerbajxhanit që është e populluar dhe e kontrolluar nga armenët etnikë.

Më 23 dhe 24 tetor, operacionet vazhduan në Aghdere, Khojavend, Fizuli, Hadrut dhe Gubadli, u tha nga Agjencia shtetërore Anadolu e Turqisë.

Bombardimet e mëdha detyruan banorët e Stepanakert, kryeqyteti rajonal i Nagorno-Karabakut, të zhvendosen në strehimore kundër bombave ndërsa ekipet e urgjencës nxituan të shuajnë zjarret.

Autoritetet e Nagorno-Karabakut thanë se qytete të tjera në rajon ishin gjithashtu në shënjestër të zjarrit të artilerisë azerbajxhanase.

Gazetari i Al Jazeera-s, Rory Challands, duke raportuar nga Goris në Armeni, tha se kishte një sulm azerbajxhanas në Stepanakert natën e së premtes.

“Sirenat filluan afërsisht në orën 21:00 në qytet dhe pak më vonë, breshëri raketash po binin nga qielli”, tha ai. “Për shkak të sirenave, njerëzit u fshehën në strehimore. Nuk kishte asnjë raport të viktimave.”

Zyrtarët në Azerbajxhan pretenduan se qyteti Terter dhe zonat në rajonin Gubadli u vunë nën bombardimet armene të shtunën herët, duke vrarë një të ri. Ata thanë se një djalë 13-vjeçar vdiq sot nga plagët që mori në një bombardim në Ganja, qyteti i dytë më i madh i Azerbajxhanit.

Të Premten, Sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo u takua me ministrat e jashtëm të Azerbajxhanit dhe Armenisë në një përpjekje të re për t’i dhënë fund gati një muaj gjakderdhjesh në këto vende.

Dështimi i dy armëpushimeve me ndërmjetësimin e Rusisë tashmë e kishte zbehur mundësinë e një fundi të shpejtë të luftimeve që shpërthyen më 27 shtator.

Forcat azeriane thonë se armenët kanë përfituar territore duke përfshirë kontrollin e plotë mbi kufirin me Iranin, gjë që Armenia e mohon.

Administrata armene etnike e Nagorno-Karabakut thotë se forcat e saj kanë tërhequr sulmet.

Presidenti, Ilham Aliyev i tha gazetës franceze Le Figaro se Azerbajxhani ishte gati të ulej për negociata por fajësoi veprimet e Armenisë për luftimet e vazhdueshme.

“Ne jemi gati të ndalemi edhe sot,” tha Aliyev. “Por, për fat të keq, Armenia shkeli ashpër armëpushimin … nëse ata nuk ndalen, ne do të shkojmë deri në fund me synimin për të çliruar të gjitha territoret e okupuara.”

Presidenti i SHBA Donald Trump tha se “progress pozitiv” ishte bërë në lidhje me këtë çështje, por nuk e sqaroi më shumë dhe nuk pranoi të thoshte nëse kishte folur me udhëheqësit e secilit vend.

Ministri i Jashtëm armen Zohrab Mnatsakanyan u tha gazetarëve se bisedimet me Pompeon ishin “shumë të mira”, duke shtuar se puna për një armëpushim do të vazhdonte.

Fuqitë botërore duan të parandalojnë një luftë më të gjerë që mund të përfshijë Turqinë, e cila ka shprehur mbështetje të fortë për Azerbajxhanin dhe Rusinë, e cila ka një pakt mbrojtje me Armeninë.

Pak para bisedimeve në Uashington, Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan u tha gazetarëve në Stamboll se ai shpresonte se Moska dhe Ankaraja mund të punonin së bashku në zgjidhjen e konfliktit.

Dallimet në lidhje me konfliktin kanë acaruar më tej marrëdhëniet midis Ankarasë dhe aleatëve të saj të NATO-s, me Pompeon që akuzon Turqinë për nxitjen e konfliktit duke armatosur palën azeriane. Ankaraja mohon se ka ndezur konfliktin.

Kryeministri armen, Nikol Pashinyan tha se ai nuk shihte zgjidhje diplomatike të konfliktit në këtë fazë dhe Aliyev i ka përshkruar perspektivat e një zgjidhjeje paqe si “shumë të largëta”.

Përkthyer dhe përshtatur nga: Aljazeera/ F.H, konica.al 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN