MENU
klinika

Helena Kadare kujton takimin me Padren

At’ Zef Pllumi: Dantja e ka shkruar “Ferrin” për ne shqiptarët…

01.10.2020 - 11:29

        Më ka mbetur në mend fytyra e tij e qetë, pa asnjë shenjë të jashtme që të theksonte se ishim para njeriut të madh. Banonte në breg të lumit, në një shtëpi të madhe e të vjetër, ashtu siç i kisha përfytyruar shtëpitë e Francës së thellë nga leximet e shkrimtarëve të shekullit të kaluar. Meqenëse ai jetonte vetëm, me të motrën, pas bisedës së gjatë në bibliotekë, na ftoi të shkonim në restorantin e fshatit. Natyrisht njihej e adhurohej prej të gjithëve, por askush nuk e bënte të ditur me bujë këtë. E vetmja shenjë e dukshme ishte kujdesi i tyre i madh, për ta kënaqur sa më mirë atë dhe miqtë e panjohur, që ai kishte sjellë me vete. Kur u nisëm për të ikur, ai na përcolli vetë me këmbë deri në stacion të trenit, që ishte më shumë se një kilometer larg. Derisa treni mori rrugë ai qëndroi aty për të na dhënë një lamtumirë të fundit.

Duke kujtuar në këto shënime takimin e paharruar me Julien Gracq-un, pata dëshirën t’i kthehem përsëri personazhit të dashur të At Zef Pllumit. Kishin të përbashkët cilësimin „patriark“, megjithëse të përdorur në kushte krejt të ndryshme. Kujtimi i tyre më jep përherë po atë emocion që të shkaktojnë gjërat fort të dashura, për të cilat je i ndërgjegjshëm se, ashtu sikundër ylberët, s’do të vazhdojnë gjatë. E sjell në mendje Padren në një tubim që, në mos gaboj, duhet të ketë qenë dalja e tij e fundit në publik.


Me të njëjtin zhgun françeskan të lidhur me litar të bardhë, me të njëjtën mënyrë befasuese, me një hap të lehtë dhe aspak të ngecur nga pleqëria, ai u shfaq përpara qindra vetave në promovimin e librit të Is për Dante Aligierin, në një nga sallat e Pallatit të Kongreseve. Ishte i paharrueshëm çasti kur nga tribuna iu drejtua italianëve që merrnin pjesë në atë mbledhje: “Dantja nuk e ka shkruar Ferrin e Komedisë hyjnore për ju. Ai e ka shkruar atë për ne, shqiptarët”. Fjalët e tij e përshkuan sallën si një rrymë magnetike. Aq sa ç’ishin të pabesueshme, po aq tingëlluan profetike e të vërteta. Dantja për shqiptarët!!! Vetëm një njeri që kishte provuar burgjet e tmerrshme të komunizmit do të kishte të drejtë ta thoshte këtë.

 

(Shkëputur nga “Kohë e pamjaftueshme”)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Për tranzicionin politik në Shqipni

Disa mendime aktuale të At Zef Pllumit

Nderimi i fundit i figurave të shquara të Shkodrës...

Funerale madhështorë në objektivin e Marubit


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit