MENU
klinika

Kusht prioritar i Bundestagut për negociatat

Aurela Anastasi për DW: Asnjë minutë për të humbur për Kushtetuesen

03.10.2020 - 14:38

Konstitucionalistja Aurela Anastasi në intervistë për DW mbi emergjencën e bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri, kusht prioritar i Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

DW: Presidenca dhe Parlamenti kanë hapur procedurat për dy vende vakante në trupën e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese.(GJK). A bëhet funksionale GJK nëse ky proces përfundon me sukses, me emërimin e dy gjykatësve kushtetues? Nëse kjo ndodh rriten gjasat të plotësohet në kohë, deri në fund të këtij viti, një nga kërkesat prioritare të Bundestagut gjerman dhe Këshillit Europian, që Shqipëria të meritojë hapjen me BE të negociatave të anëtarësimit.

Prof. Dr. Aurela Anastasi: Plotësimi i dy vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese është prioritet. Nuk ka asnjë minutë kohë për të humbur. Uroj që procesi të arrijë qëllimin dhe GJK t’i shtohen dy anëtarë të rinj. Nëse kjo ndodh atëhere numri i gjykatësve kushtetues arrin në 6, gjë që lejon shqyrtimin e çështjeve në themel dhe marrjen e vendimeve përfundimtare. Gjithsesi, përbërja e GJK-së vetëm me 6 anëtarë mbetet e brishtë, pasi trupa e plotë e gjykatësve kushtetues ka 9 anëtarë. Aktualisht, GJK operon vetëm me 4 anëtarë, ku një anëtareje i ka përfunduar mandati, por vazhdon detyrën deri sa të zëvendësohet. Duke pasur në konsideratë sa më lart, situata është e tillë ku përveç dy gjykatësve kushtetues, që pritet të emërohen në përfundim të procesit në fjalë, duhet të emërohen edhe 4 të tjerë për të arritur tek 9 anëtarë. Gjithashtu, mungesa e trupës së plotë të gjyqtarëve mund të vështirësojë arritjen e shumicave në marrjen e vendimeve. Madje, në ndonjë çështje, mund të shfaqen shkaqe ligjore që pamundësojnë pjesëmarrjen e të gjashtëve. Prandaj, mendoj se krahas procesit për emërimin e dy anëtarëve të GJK-së, të nisur nga Presidenca dhe Parlamenti, është i nevojshëm përshpejtimi i zgjedhjes së 3 anëtarëve, që vijnë nga Pushteti Gjyqësor, proces ky që lidhet ngushtë me plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë. Më tej, duhet të kryhet edhe procesi i zëvendësimit të gjyqtarëve që u ka mbaruar ose pritet t’u përfundojë mandati.

DW: Numri i mangët në trupën aktuale të GJK është kryesisht kosto e vetting-ut. Shifrat zyrtare flasin për 106 gjyqtarë të shkarkuar, të nxjerrë jashtë sistemit deri tani. A ka Shqipëria burime njerëzore për të mbushur vakumin që ka krijuar dhe do vazhdojë të krijojë vettingu prej skanimit të në vijim gjyqtarëve?

Prof. Dr. Aurela Anastasi: Largimi nga sistemi i drejtësisë i një numri të konsiderueshëm gjyqtarësh si rrjedhojë e vetting-ut, ndikon drejtpërdrejt në kandidimet që vijnë nga brenda gjyqësorit. Por rezulton që janë të pakët edhe kandidatët që vijnë nga jashtë gjyqësorit. Në të dyja rastet kërkohen kandidatë të kualifikuar, që përmbushin kriteret e parashikuara në Kushtetutë dhe ligj. Nga ecuria e deritanishme e zbatimit të Reformës në Drejtësi është krijuar përshtypja, se ajo është ngadalësuar prej mungesës së burimeve njerëzore. Por nëse shikohen shifrat e përgjithshme kjo përshtypje rezulton pa bazë. Ka një numër mbresëlënës studentësh të diplomuar në drejtësi, siç tregojnë shifrat nga analiza e arsimit juridik, të kryer në kuadër të Reformës në Drejtësi. Vetëm në vitin akademik 2013-14 rezultonin të regjistruar në shkollat e Doktoraturës të Arsimit Juridik Publik 373 kandidatë dhe në atë Privat 198 të tjerë. Ndërkohë ka më shumë se 11.000 avokatë të licencuar në të gjithë Shqipërinë, ku rreth 5000 prej tyre kanë përvojë pune më shumë se 15 vjet. Problemi qëndron tek përbërja mjaft heterogjene e juristëve. Ka juristë që kanë studiuar përpara viteve 90′, të tjerë të diplomuar në studimet afatshkurtra 6 mujore pas viteve ’90, juristë që vijnë nga universitete publike e shkolla të larta private me nivele të ndryshme dijesh, ashtu sikurse ka edhe juristë të diplomuar ose të kualifikuar jashtë vendit, madje edhe të afirmuar në nivele ndërkombëtare. Kjo përbërje heterogjene dhe problemet që ajo paraqet ka gjasa të ndikojnë në mospërmbushjen e kritereve. Ndërkohë, zbatimi i reformës në drejtësi ka evidentuar ose ka krijuar edhe faktorë të tjerë që nxisin kandidatët të shmangen nga gara si për shembull, verifikimi i pasurive të juristëve nga vetting-u, mund të ketë rritur ndrojtjen për të kandiduar.

DW: Çfarë mendoni për idenë e hedhur kohët e fundit lidhur me “ndryshimin/zbutjen” e kritereve në aplikimet për GJK?

Prof. Dr. Aurela Anastasi: Zbutja e kritereve kërkon ndryshime kushtetuese. Përpara se të shkojmë sërish në ndryshime kushtetuese duhet t’i jepet përgjigje pyetjes: a janë kriteret ato që pengojnë kandidimet? Apo ka faktorë të tjerë? Mendoj që kriteret nuk mund të ndryshohen a priori, nëse nuk janë identifikuar shkaqet reale të kandidimeve të pakta ose të mospërmbushjes së kritereve. Në rastin konkret të procesit për zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese konkurrohet për mandate kohore mjaft të shkurtra, që kanë mbetur të pakryera pas largimit të gjyqtarëve të mëparshëm dhe nxjerrjes së tyre jashtë sistemit të drejtësisë nga vetting-u. Vonesat e organeve të emërtesës në zëvendësimin e tyre e kanë shkurtuar edhe më tepër kohën e qëndrimit në detyrë të kandidatëve potencialë, madje tani mund të ketë mbetur ndoshta vetëm një vit. As logjika juridike, as ajo matematike nuk e pranon që juristët të kenë dëshirë dhe vullnet për të kandiduar për vende vakante për anëtarë të GJK-së për një kohë kaq të shkurtër. Në këtë situatë, organet e emërtesës duhet të marrin në konsideratë rekomandimin e Komisionit të Venecias, (KV) që këshillon të bëhen ndërhyrje, me qëllim që mandatet të jenë më tërheqëse për kandidatët.

Ky komision rekomandon që kjo situatë të zgjidhet me dispozita kalimtare në Kushtetutë, të cilat do të jenë të përkohshme, vetëm për të kapërcyer barrierat e sipërpërmendura. Mund të ketë edhe zgjidhje të tjera. Por duhet vepruar me shpejtësi, pasi mendoj që nuk ka kohë. Kam parasysh që disa nga kandidatët duhet t’i nënshtrohen verifikimit të pasurive, proces i cili kërkon kohë. Aktualisht, jemi në një terren të pasigurtë që mund të na ꞔojë në shtyrje ose rishpallje të procesit, deri në përfundimin e mandateve të vjetra dhe fillimin e mandateve të reja. Uroj që kjo të mos ndodhë. Një aspekt tjetër që lidhet me vlerësimin e përmbushjes së kritereve ka të bëjë me testimin e kandidatëve: në kushtet që jemi, mendoj se nuk duhet të zgjidhet një “test strikt” i shqyrtimit të plotësimit të kritereve, por një “test i arsyeshëm”. P.sh., një test i arsyeshëm mund të ndiqet nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për llogaritjen e viteve të përvojës në punë. Kam vërejtur se ka përvoja pune brenda dhe jashtë vendit, që nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk janë marrë parasysh ose nuk janë njësuar me punën e juristit, gjë që ka shkaktuar humbjen e disa kandidatëve me kualifikime të larta, madje edhe jashtë vendit. Mendoj, që ky qëndrim duhet të rishikohet. P.sh. ndjekja e studimeve të doktoratës duhet vlerësuar si një përvojë juridike në kërkim dhe në arsim.

DW: Mungesa e GJK ka sjellë edhe situata kontradiktore, të pazgjidhura ligjore, për ꞔështje me ndjeshmëri të lartë për qytetarët si p.sh e drejta kushtetuese për pronën, një tjetër kusht i Bundestagut gjerman për t’u plotësuar. A mund t’u rikthehet GJK kontradiktave të pazgjidhura ligjore për këtë të drejtë, kur ajo të bëhet funksionale?

Më lejoni të jem më eksplicite: disa vendime të Këshillit të Ministrave, (VKM), që janë në fuqi, e përjashtojnë “de facto”regjistrimin fillestar të pronave në emrin e pronarëve të tyre, proces që ka filluar ta kryejë Agjensia Shtetërore e Kadastrës, (ASHK). VKM në fuqi e nëntorit 2019, i konsideron shtetërore pronat e pronarëve në bregdetin e Jonit, që ndodhen në zonat e përcaktuara nga VKM si zona strategjike për investime private, jo publike. Në zbatim të kësaj VKM këto prona duhet t’i kenë kaluar tanimë Ministrisë së Turizmit, (MT) dhe të jenë regjistruar në kadastër si prona të kësaj Ministrie, të cilën VKM në fjalë e ngarkon me detyrën e dhënies së tyre një grupi investitorësh, të cilësuar strategjikë, për investime private. Çfarë pronash do të regjistrojë AKSH, në emrin e pronarëve legjitimë, kur në zbatim të VKM në fuqi këto prona duhet t’i kenë kaluar Ministrisë së Turizmit dhe duhet të jenë regjistruar si prona shtetërore? A mund të jenë edhe prona shtetërore, edhe prona të pronarëve, që i kanë trashëguar ato brez pas brezi?

Prof. Dr. Aurela Anastasi: Gjykatën Kushtetuese e presin një sërë ꞔështjesh që kanë nevojë të gjykohen prej saj. Çështjet e pronësisë vijojnë të kenë konflikte të juridiksionit kushtetues, të cilat duhet të shihen rast pas rasti. Sidoqoftë, në vija të përgjithshme theksoj se pavarësisht mungesës së seancës plenare të Gjykatës Kushtetuese, kolegji i seleksionimit të kërkesave funksionon dhe për më tepër, mjafton vetëm një gjyqtar që të regjistrojë kërkesat që i drejtohen asaj për gjykim kushtetues. Prandaj, të gjithë personat e interesuar, pronarët e pronave në zonat e shpallura strategjike, duhet të paraqesin kërkesat e tyre brenda afatit ligjor. Por, do të jenë në pritje të gjykimit, së paku, pasi të jetë krijuar minimumi i trupës së gjyqtarëve për të gjykuar në themel çështjen, pra 6 anëtarë. Si rregull, vendimet e gjykatës Kushtetuese kanë efekt nga dita e hyrjes së tyre në fuqi e në vijim. Kjo do të sillte një drejtësi kushtetuese shumë të vonuar. Mendoj se ndryshe nga drejtësia e zakonshme, drejtësia kushtetuese nuk është kurrë e panevojshme, edhe pse mund të vijë me vonesë. Megjithatë, i këshilloj qytetarët ankues që krahas kërkesës për Gjykatën Kushtetuese, t’i drejtohen me një kërkesë edhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Ka shumë gjasa që kjo e fundit t’i pranojë ato për shqyrtim, edhe pse gjykimi nga Gjykata Kushtetuese nuk ka përfunduar.

DW: Vonesa në bërjen funksionale të GJK ka sjellë ulje të besimit të qytetarëve tek reforma në drejtësi, ata nuk po shohin të përmbushen pritshmëritë e tyre nga drejtësia e re, mes të cilave edhe për një GJK funksionale. Si mund të rifitojë reforma në drejtësi besimin e qytetarëve?

Prof. Dr. Aurela Anastasi: Reforma në drejtësi është një nga momentet më të rëndësishme kushtetuese që populli shqiptar ka kaluar, që nga viti 1998 kur u miratua Kushtetuta, e cila pati një mbështetje të gjerë. Edhe pse kjo reformë nuk u miratua me referendum popullor, mbështetja popullore u duk qartë përmes sondazheve, konsultimeve, entuziazmit në media, pjesëmarrjes së grupeve të ndryshme të interesit, mbështetjes së faktorit ndërkombëtar. Kjo lidhet edhe me ndikimin që ka zbatimi i saj në proceset e integrimit të Shqipërisë në BE, që gjithashtu, gëzon mbështetje të gjerë popullore. Mendoj që jo vetëm presioni ndërkombëtar, por edhe kjo mbështetje masive, ishte një nga faktorët kryesorë të miratimit me unanimitet të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi në korrikun e 2016-ës.

Për fat të keq, ky entuziazëm ka rënë. Forcat politike nuk bashkëpunuan me njëra tjetrën sikurse ranë dakord për ndryshimet kushtetuese. Menjëherë pas miratimit të tyre pati edhe një sërë sulmesh që u ngritën kundër reformës në drejtësi. Këto janë arsye që kanë dobësuar besimin qytetar. Por mendoj që kjo rënie lidhet edhe me mungesën e besimit ndaj organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Reforma nuk ka të bëjë vetëm me ndryshim personash, por në radhë të parë, me ndryshim mentaliteti dhe filozofie për vetëqeverisjen e gjyqësorit. Në përmbushjen e kësaj pritshmërie organet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë po ecin shumë ngadalë. Madje, ka pasur raste, kur ndërhyrjet e politikës i kanë ngatërruar aq keq këto organe, saqë kanë marrë vendime jobindëse. Përpos kësaj, ato janë ende organe mjaft “të heshtura” në kuptimin e transparencës. Nuk po arrijnë të shkathtësohen si organe kolegjiale dhe nuk po arrijnë të kundërshtojnë hapur presionin që u vjen nga politika. Nuk kanë një plan se si të nxjerrin proceset nga ngërçet që krijohen herë pas here. Ka ende nevojë që ato të tregojnë se ndihen organe të qeverisjes po aq të rëndësishme, paralelisht, jo të varura nga organet e legjislativit dhe ekzekutivit. Këto organe “kanë nevojë për kurajë”, sikurse është shprehur kohët e fundit ish-Presidenti i Republikës, zoti Alfred Moisiu./DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN