Të dhënat më të fundit të Bankës Botërore në raportin mbi statistikat e borxhit 2020 tregojnë se financat publike të Shqipërisë deri para tërmetit dhe pandemisë ishin në përmirësim të ndjeshëm. Pavarësisht se statistikat nuk përfshijnë vitin aktual, ku si pasojë e dy krizave të rënda, borxhi publik vlerësohet të jetë rritur me rreth 13 pikë përqindje në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, pasqyrojnë pikërisht impaktin e këtyre dy krizave në financat dhe ekonominë tonë.
Në 2019 borxhi i jashtëm ka qenë në ulje krahasuar me atë paraardhës. Sipas Bankës Botërore, në 2019, stoku total i borxhit të jashtëm të Shqipërisë vlerësohet në 9.6 mld dollarë, nga rreth 9.8 miliardë që ishte në vitin 2018. Me një projeksion të thjeshtë, me borxhin publik që parashikohet të shkojë në rreth 81.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit, në 2020 dhe 2021, totali i borxhit të jashtëm të shkojë në rreth 11.5 mld dollarë, pra në rritje me rreth 2 mld dollarë si pasojë e pandemisë dhe e tërmetit, ndërkohë që borxhi publik do të ngjitet në rreth 12.4 mld dollarë nga rreth 10.4 që ishte në fund të 2019-ës, bazuar në projeksionet e bankës botërore.
Në raportin periodik të publikuar një javë më parë, Banka Botërore e vlerësonte borxhin publik të vendit tonë në 81.3% të PBB-së këtë vit dhe atë të ardhshëm. Sa i përket borxhit të jashtëm në 2019-ën, sipas të dhënave të Bankës Botërore, rezulton se rreth 7.3 mld janë borxh afat-gjatë, rreth 1.8 mld borxh afat-shkurtër dhe rreth 448 mln dollarë nga FMN.