Banka Botërore ka miratuar 12 miliardë dollarë për t’iu ndihmuar shteteve në zhvillim që të blejnë dhe shpërndajnë vaksina për koronavirus, teste dhe trajtime tjera, me qëllim të mbështetjes së vaksinimit të rreth 1 miliard njerëzve.
“Zarfi” prej 12 miliardë dollarëve është pjesë e një pakete më të madhe të Grupit të Bankës Botërore prej rreth 160 miliardë dollarëve, për t’iu ndihmuar shteteve në zhvillim që të luftojnë pandeminë me koronavirus, ka thënë kjo Bankë përmes një deklarate.
Banka Botërore ka thënë se programet e saj urgjente për këtë pandemi janë shtrirë në 111 shtete. Qytetarët në shtetet në zhvillim po ashtu duhet të kenë qasje në vaksinën efektive kundër koronavirusit, është thënë në deklaratë. “Ne jemi duke zgjeruar dhe zmadhuar qasjen e përgjigjes së shpejtë ndaj emergjencës së COVID-19, në mënyrë që shtetet në zhvillim të kenë qasje të drejtë dhe të barabartë në vaksina”, ka thënë presidenti i kësaj Banke, David Malpass.
“Qasja në vaksina efektive dhe forcimi i sistemeve të ofrimit të shërbimeve, janë çelës për ndryshim të kursit të pandemisë dhe për t’iu ndihmuar shteteve, që po përballen me katastrofa ekonomike dhe ndikim fiskal, të ecin tutje drejt rimëkëmbjes”, ka thënë mes tjerash ai. Zhvillimi i vaksinës po konsiderohet kyç për ndalje të përhapjes së koronavirusit, i cili ka lënë të vdekur më shumë se 1 milion njerëz dhe ka sëmurë 38 milionë të tjerë, ndërkohë që ekonomitë e shkatërruara po përballen me miliona të papunë.