Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit shtator, totali i depozitave të përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë arriti në 1 trilionë e 78 miliardë lekë ose rreth 8.7 miliardë euro.
Depozitat regjistruan një rritje të mëtejshme prej 8.2 miliardë lekësh (rreth 65 mln euro) krahasuar me gushtin.
Me bazë vjetore krahasimi, depozitat shënuan një rritje prej 66 miliardë lekësh ose rreth 6.5 përqind.
Gjatë shtatorit, depozitat u rritën pothuajse në masë të barabartë si në lekë, ashtu edhe në valutë, me një shtesë prej afërsisht përkatësisht 4 miliardë lekësh tek të dy grupet.
Depozitat në valutë huaj dhe kryesisht në euro vazhdojnë të dominojnë, me rreth 54 përqind të totalit.
Edhe për shtatorin rritja erdhi kryesisht tek llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat, në dëshmi të faktit se shqiptarët përgjithësisht preferojnë t’i mbajnë fondet e tyre në formë likuide dhe të mund t’i tërheqin në çdo kohë.
Sipas specialistëve kjo zgjedhje lidhet si me normat e ulëta të interesit për depozitat me afat, ashtu edhe me pasigurinë që ka përcjellë kriza në radhët e familjeve dhe bizneseve shqiptare, shkruan revista ekonomike “Monitor”.