MENU
klinika

Çfarë po ndodh në Krujë?

Banorët grumbullohen përpara Bashkisë

19.10.2020 - 11:41

Ditën e sotme banorët e Krujës, banesa e të cilëve u dëmtua nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, kanë protestuar përpara Bashkisë së këtij qyteti. Banoret shprehen se atyre iu ishte premtuar se nëntorin e 2020-tës ata do futeshin nëpër banesat e tyre, por kjo gjë nuk ka ndodhur.

Ata thonë se ka kaluar një vit dhe asnjë pallat nuk është shembur akoma, e jo më që të ri nisë rindërtimi.

“Ne kemi probleme me shtëpinë, pasi nuk kemi asnjë lloj projekti, i vetmi qytet që nuk po fillon asnjë lloj gjëje.”-thotë njëri nga banorët.

Banorët shprehen se nuk e përballojnë jetesën me qira, pasi qiraja është më e lartë se bonusi dhe ambientet për familje me shumë anëtarë është e vështirë që të gjenden. Ata shprehen se janë detyruar që të ndahen, ku një pjesë e familjes jeton në një shtëpi dhe pjesa tjetër në një shtëpi tjetër.

“Fushë Kruja ka filluar, Thumana ka filluar, në nuk kemi asgjë as me kryetarin e Bashkisë, as me nënkryetarin. Si është e mundur që të fillojë Thumana dhe Fushë-Kruja dhe Kruja jo. Këtu ka diçka sepse këtu nuk ka asnjë projekt. Populli nuk del se ka frikë se i heqin bonusin a i heqin prej pune, nuk e di. Ne s’po kërkojmë as bukë as gjë, ne po kërkojmë shtëpiat që na i prishi. Nuk na i prishi shteti, por shteti ka marrë gjithë ato lekë nga bota, për çfarë i ka marrë, a i ka marrë me na i bë shtëpitë. Bonusin e qerasë e marrim, nuk kemi problem me të, po akoma nuk po fillojnë shtëpitë. Ose nuk na duan, ose e kanë inat Krujën, nuk e di se çfarë bëhet. Faji është i dy partive bashkë që u bashkuan dhe na bënë me Fushë-Krujën bashkë. Çfarë pune kishim ne me Fushë-Krujën bashkë, ishim mirë. Se është turp gjithë ky siklet, nuk ka një drejtues, gjithë ky qytet ka njerëz intelektual sa të duash, drejtora, nëndrejtora, të gjithë janë prej Fushe, asnjë nuk kemi krutanë. Turpi më i madh, gjithë ky qytet”, shprehet një banor.

“Kam shkuar në Bashki më ka pritur një gocë, e më tha që nuk ka ardhur kryetari Turbushi, po 15 ditë nuk vinte Turbushi këtu. Janë tallur se kë ka dashur me i dhënë para u ka dhënë sa ka dashur, e u ka dhënë milionat. Unë kam pasur jetima në shtëpi dhe nuk ka ardhur kush me më pa as jetimat, as ndihma s’më kanë dhënë. Asnjë rrugë zgjidhje nuk kam pasur”, tha një tjetër banore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zhdëmtimi, nga 100-500 mijë lekë

Dëmshpërblimi për tërmetin caktohet nga bashkitë!