MENU
klinika

Ja ç'pritet

BE diskuton sot për dialogun Kosovë-Serbi

12.10.2020 - 11:03

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian mblidhen sot më 12 tetor për të diskutuar një sërë çështjesh, duke përfshirë dialogun Kosovë-Serbi, sanksionet e mundshme ndaj Rusisë për rolin e saj të pretenduar në helmimin e politikanit të opozitës, Aleksei Navalny dhe situatën në Bjellorusi.

I dërguar i Posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak do t’u raportojë ministrave të vendeve anëtare për rrjedhën e dialogut dhe problemet, në të cilat ka hasur deri më tani.

Ndërsa, në lidhje me helmimin e Navalnyt, Franca dhe Gjermania javën e kaluar paraqitën propozime për të vendosur sanksionet ndaj individëve rusë, përgjegjës për helmimin e tij dhe ndaj një njësie të përfshirë në programin që prodhon një agjent nervor nga grupi Noviçok.

Propozimi i sanksioneve erdhi pasi Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), më 6 tetor, konfirmoi gjetjet e laboratorëve të specializuar në Gjermani, Francë dhe Suedi se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor nga grupi Noviçok.

Ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë gjithashtu përgjigjen e bllokut ndaj zhvillimeve në Bjellorusi, duke përfshirë sanksionet e mundshme ndaj Lukashenkos dhe individëve të tjerë. Më parë në tetor, BE-ja sanksionoi 40 zyrtarë të Bjellorusisë për rolin e tyre në një shtypje brutale të protestuesve dhe opozitës si dhe mashtrimeve gjatë zgjedhjeve të 9 gushtit.