Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nisur bisedimet tubacionin që lidh Detin e Kuq me Mesdheun. “Bloomberg” raporton se këto operacione, zyrtarët izraelitë i cilësojnë si ‘top sekret”.
Kompania ‘Europe Asia Pipeline Co’, e kontrolluar nga qeveria izraelite dhe kompania me qendër në Emirate ‘MED-RED Land Bridge Ltd’ kanë firmosur një memorandum mirëkuptimi për të bashkëpunuar për transportin e produkteve të naftës mes Gjirit Persik dhe tregjeve perëndimore.
Marrëveshja vjen pasi Emiratet e Bashkuara Arabe, prodhuesit e tretë të naftës në OPEC dhe Izraeli njoftuan në gusht se do të normalizonin marrëdhëniet mes tyre. Është diskutuar se dy vendet do të hapin ambasadat respektive, do të nisin fluturime direkte dhe do të nënshkruajnë edhe marrëveshje biznesi.
EAPC(Europe Asia Pipeline Co) operon në tubacionet ‘Eilat-Ashkelon’ të ndërtuara nga Izraeli dhe Irani në vitet ’60 . Kapaciteti i kësaj linje është 600,000 fuçi në ditë. Pjesa më e madhe e naftës që dërgohet nga Gjiri Persik në Europë kalon ose përmes Kanalit të Suezit ose përmes tubacioneve të Egjiptit. “Eilat Ashkelon Pipeline Co” apo siç quhej dikur EAPC zotërohej nga shteti i Izraelit dhe qeveria e Iranit.
Pas revolucionit islamik të Iranit në 1979 dy vendet u bënë armike. Megjithatë për disa vite Izraeli lejoi gjithsesi naftën iraniane që të transportohej në mënyrë sekrete përmes tubacioneve të saj. Marrëveshja e fundit, detajet financiare të së cilës mbeten ende të panjohura, do t’i lejojnë tregtarët që të transportojnë naftën nga rajonet e Mesdheut dhe Detit të Zi në Azi.
‘MED-RED Land Bridge’ është një konsorcium mes kompanive të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe atyre izraelite. Projekti i tubacionit mund të marrë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.