Përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare në Këshillin Politik Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili kanë mbajtur një konferencë për shtyp në selinë blu, në kohën kur kryeministri Rama paralajmëroi që nesër do të votohen në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi u shpreh se ky hap që pritet të ndërmerret nga mazhoranca shkatërron marrëveshjen dhe konsensusin e arritur në Këshillin Politik. Ai shton se ky “truk” po bëhet me qëllim që kryeministri Rama të reduktojë sa më shumë hendekun e humbjes në zgjedhjet parlamentare, të cilat do mbahen më 25 prill të 2021.
“Me votimin e nesërm, të bazuar mbi miratimin e njëanshëm, Rama shkatërron marrëveshjen e 14 janarit, konsensusin e Këshillit Politik dhe 5 qershorin. Duke ndërhyrë drejtpërdrejt në elementë të 5 qershorit. U miratuan më 30 qershori, dhe parlamenti i bëri ligj më 23 korrik. Ndërhyrjet e nesërme do të krijojnë konfuzion, si do të funksionojë sistemi zgjedhor. Bëhet se si Rama të reduktojë humbjen e tij në zgjedhjet e ardhshme. Asnjë truk nuk do të ndalë atë që më 25 prill do te jetë fundi politik, dhe fitoren e opozitës”, tha ai.
Ai u shpreh i bindur se sido që ta bëjë sistemin kryeministri Edi Rama, opozita e bashkuar do të fitojë me rezultat të thellë në zgjedhjet parlamentare.
“Opozita e bashkuar tashmë ka shpjeguar qartë qëndrimet e saj për sa i përket të gjithë kësaj tentative të Edi Ramës për të ndryshuar rregullat, me një qëndrim të vetëm që mos të humbasë zgjedhjet aq thellë, pasi me rregullat aktuale i humbet. Ajo që është e qartë është se sido që ta bëjë sistemin, opozita fiton zgjedhjet e ardhshëm. Angazhimi ynë është që në zgjedhjet e ardhshme, rezultati të jetë i thellë që mos t’i lërë shteg Edi Ramës për të ndryshuar sistemin në çdo formë që ai dëshiron”, tha Bylykbashi.
Për përfaqësuesin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Këshillin Politik, Petrit Vasili, çdo akt i nesërm për të kaluar ndryshimet në Kodin Zgjedhor në mënyrë të njëanshme do të bllokpojë hapjen e negociatave dhe integrimin në Bashkimin Europian.
“Çdo akt i nesërm nuk është as më shumë e as më pak, përgjegjësi shumë e rëndë për sot dhe për nesër, përgjegjësi nga e cila Edi Rama nuk mund të shmanget dot, pasi në mënyrë të vullnetshme, në funksion të një strategjie të mirë përcaktuar, varros integrimin europian të vendit. Me votimin e nesërm hapje negociatash nuk ka. Armiku i integrimit, që mbajti 3 vite pezull integrimin, për një kryetar qarku në Fier, shfaqet sërish sot me një strategji të re, por me një qëllim të vjetër: pengimin absolutisht me çdo kusht të integrimit europian të vendit”, u shpreh Vasili.
Gjithashtu z. Vasili thotë se axhenda e kryeministrit Edi Rama është tërësisht anti-perëndimore.
“Pra axhenda e Edi Ramës është anti-perëndim, anti-NATO dhe është e drejtuar në një drejtim krejtësisht negativ, të pa njohur, drejt realiteteve informale, drejt informaliteteve të ngarkuara me pisllëk politik, por që janë e kundërta e asaj që shqiptarët kanë kërkuar, kërkojnë e për të cilën luftojnë”, shtoi Vasili.
Gjatë konferencës për mediat, Oerb Bylykbashi dhe Petrit Vasili u shprehën se nenet e Kodit Zgjedhor, të cilat pritet të votohen nesër në Kuvend bien ndesh me rekomandimet e OSBE-ODIHR.