alEpidemiologu Ilir Alimehmeti shprehet se vaksina e gripit është shumë e rëndësishme në momentin në të cilin ndodhemi pasi e ul riskun e infektimit me COVID-19 me 25-30 %, ndërsa ul vdekshmërinë nga kjo koronavirusi me 15 %. Epidemiologu tha se shtrimet në spital janë rritur ndjeshëm dhe për këtë duhet treguar mjaft kujdes.
“Shtrimet në spital janë duke u rritur, nuk ka boom të rritjes por po rriten prandaj duhet të tregojmë kujdes. Në terapi intensive ka një përqindje të vogël dhe ky numër është në varësi të rasteve që janë në total. Për vaksinën e gripit ka disa diskutime të gjitha pozitive në lidhje me vaksinë e gripit, ku na mbron nga gripi ku kemi 4 viruse që qarkullon në hemisferën tonë. Kjo eliminon gripin dhe ndihmon në uljen e vdekshmërisë. Personat që vaksinohen brenda një vit ka një ulje të riskut për t’u infektuar nga COVID-19 me 25-30 % sipas studimeve dhe kanë ulje të vdekshmërisë për rreth 15 %”, tha Alimehmeti për Report Tv.
Kushdo që është infektuar nga COVID-19 dhe është shëruar ka krijuara antitrupa në imunitetin e tij, që sipas Alimehmetit këto antitrupa zgjasin nga 3-5 muaj, por imuniteti ka aftësi kujtese dhe kur riinfektohesh e ka më të lehtë të luftojë këtë virus në shumicën e rasteve.
“E dimë që antitrupat janë nga 3 deri në 5 muaj si mesatare dhe pastaj bien dhe kjo është e natyrshme për çdo lloj virusi. Ajo që imuniteti ka plus sistemi krijon qeliza kujtese dhe në momentin që hyn për herë të dytë i njëjti virus fillon aktivizohet dhe e lufton më shpejtë këtë virus duke mos krijuar raste të rënda. Kemi 6 raste të dokumentuar në botë për riinfektim”, tha Alimehmeti.
Në lidhje me mbajtjen e maskave me detyrime dhe në rrugë, epidemiologu tha se kjo është një masë shtesë por jo se të mbron 100 %. E vetmja gjë që të mbron nga COVID-19, tha Alimehmeti është distanca.
“Maskat kanë efikasitete në spitale, efikasitet ekziston edhe pse më i ulet në ambiente të mbyllura, por distanca është kyçe dhe maska është e nevojshme. Efikasiteti i maskës jashtë është më i ulët dhe shmangia e grumbullimit është ajo që duhet. Mbajtja e maskës jashtë është një masë plotësuese por nuk siguron mbrojtje 100 %, distanca siguron mbrojtje 100%”, përfundoi epidemiologu.