Dy shekuj më parë, carët rusë njoftuan me krenari se “çliruan” armenët nga sundimi i Turqisë Osmane dhe Iranit.
Fill pas Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësi Sovjetik, Joseph Stalin planifikoi të pushtonte dhe aneksonte Turqinë lindore për të “zgjeruar” Armeninë Sovjetike dhe për të fituar mundësinë për të hyrë në Mesdhe.
Rusia post-komuniste duket se po ndjek të njëjtin model të “mbrojtjes” së armenëve nga fqinji i tyre, Azerbajxhani ish-Sovjetik që flet turqisht dhe aleati i saj më i ngushtë, Turqia.
Dhe kur konflikti i ndezur para tre dekadash, rreth Nagorno-Karabakhut, një rajon malor i shkëputur i Azerbajxhanit i dominuar nga armenët etnikë që nga fillimi i viteve 1990, u rihap në fund të shtatorit, ishte Rusia ajo që ndërhyri si ndërmjetësuese e paqes.
Udhëheqësit armenë ende mendojnë se shpresat e tyre më të mira janë te Moska…
“Rusia mundi të luante rolin e saj të aleatit strategjik të Armenisë…në nivelin më të lartë,” tha Kryeministri armen, Nikol Pashinyan në një intervistë televizive më 14 tetor.
“Unë jam i sigurt se do të vazhdojë të luajë këtë rol që padyshim është në traditat më të mira të miqësisë së popullit armen dhe rus”.
Analistët armenë thonë se kombi i tyre së bashku me armenët etnikë të Nagorno-Karabakut, mban ekuilibrin gjeostrategjik pro-Moskës në rajonin e Kaukazit Jugor që shtrihet në Evropën Lindore dhe Lindjen e Mesme.
Për ta, shpërthimi më i madh i konfliktit në Nagorno-Karabakh që ka vrarë qindra ushtarë dhe dhjetëra civilë është një rifillim i thjeshtë i politikave “imperialiste” të Ankarasë dhe ndjenjat anti-armene që çuan në vrasjet masive të armenëve në Turqinë Osmane një shekull më parë.
Armenia dhe shumë kombe perëndimore e quajnë vrasjen e deri në 1.5 milion armenëve një “gjenocid”, ndërsa Turqia hedh poshtë akuza të tilla.
“Është rezistenca e armenëve që ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit gjeopolitik” në rajon, i tha Al Jazeera Boris Navasardian, një analist banues në kryeqytetin armen, Jerevan. “Përndryshe, bota do të përballej me një genocid tjetër, një shfarosja përsëri të armenëve dhe dëbimin e tyre nga Nagorno-Karabakhu dhe vendosja e dominimit të Turqisë mbi pjesën më të madhe të Kaukazit Jugor,” tha ai.
Por ditët ku carët e Rusisë kërkonin “kthimin” e Konstandinopojës tek të krishterët ortodoksë dhe dominimi i Turqisë Osmane mbi Lindjen e Mesme dhe Ballkan, kanë kaluar prej kohësh.
Këto ditë, konfrontimi midis Turqisë dhe Rusisë nuk ka nuanca të tilla. Rusia është përplasur me Turqinë në lidhje me Sirinë dhe Libinë, por një tjetër përballje e drejtpërdrejtë mes tyre nuk është duke ndodhur.
Dhe prirja pro-armene e Moskës nuk ka rezultuar në ndërprerje të lidhjeve të saj me Bakun. Presidenti i Azerbajxhanit, Ilkham Aliyev studioi diplomaci në një universitet prestigjioz rus dhe babai dhe paraardhësi i tij, Heydar Aliyev kaloi dekada duke punuar në Moskë si një oficer i lartë i KGB.
Por shumë azerbajxhanas e shohin preferencën e Moskës si pengesën kryesore në zgjidhjen e konfliktit më të vjetër në ish-Bashkimin Sovjetik. “Ishte Rusia ajo që ndihmoi në pushtimin e Nagorno-Karabakut dhe rajoneve përreth saj dhe gjatë gjithë këtyre viteve ka penguar Bakun për të zgjidhur konfliktin në mënyrë paqësore”, tha për Al Jazeera analisti me banues në Baku, Emil Mustafayev.
Ndërsa Ankaraja u zotua të mbështesë Azerbajxhanin, mikun e Turqisë, “deri në fund të okupimit”, Rusia duket se është e kufizuar në një rol dytësor, thonë disa vëzhgues.
Armenia dhe Rusia janë pjesë e një traktati sigurie të gjashtë kombeve ish-Sovjetike, i cili nuk përfshin Azerbajxhanin, ku vendet e pranishme duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin ushtarakisht në rast konfliktesh të armatosura.
Moska gjithashtu ka një bazë ushtarake në Armeni, por Kremlini nuk ka dërguar një ushtar të vetëm për të mbështetur armenët.
Pasi filluan luftimet, Rusia zhvilloi vetëm stërvitje të marinës në Kaspik, në veri të Bakut dhe tha se ato “nuk paraqesin ndonjë kërcënim dhe nuk vendosin kufizime në aktivitetet ekonomike të shteteve bregdetare të Kaspikut”.
Përpjekjet për paqe nga ana e Rusisë gjithashtu kanë dështuar. Dy armëpushime të ndërmjetësuara nga Moska të shkruara në 10 tetor dhe 18 tetor u prishën brenda disa orësh, por diplomatët rusë përjashtojnë një zgjidhje ushtarake të konfliktit.
“Ne qëndrojmë në këndvështrimin tonë për një zgjidhje paqësore, ndoshta nuk është e mundur, por mbetet mënyra e vetme,” tha Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov më 14 tetor. Disa e shohin këtë inerci politike si një shenjë dobësie.
“Moska pothuajse nuk llogaritet më, ajo duket si një fuqi në rënie dhe nuk tregon ndonjë parim, dhe janë parimet që luajnë një rol të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare,” tha Pavel Luzin, një analist i mbrojtjes banues në Rusi.
Mungesa e parimeve është veçanërisht e dukshme kur bëhet fjalë për shitjen e armëve. Moska për vite me radhë ka dërguar armë në Baku dhe Jerevan.
Azerbajxhani i pasur me naftë ka shpenzuar rreth 24 miliardë dollarë në blerjen e armëve midis 2008 dhe 2018, sipas Institutit Ndërkombëtar të Studimit të Paqes në Stokholm (SIPRI), që monitoron shpenzimet ushtarake në të gjithë botën.
Baku bleu tanke, APC, sisteme artilerie, raketahedhës të shumtë dhe dronë të prodhuar në Rusi, Bjellorusi, Turqi dhe Izrael. Jerevani ishte i shqetësuar nga padurimi i Rusisë për të furnizuar me armë.
“Kjo është një çështje shumë e dhimbshme për ne. Kombi ynë është shumë i shqetësuar për faktin se partneri ynë strategjik po i shet armë Azerbajxhanit”, tha Presidenti i Armenisë, Serxh Sarkisjan në 2014.
Kombi i tij me burime të varfra, kryesisht merrte armë më të lira dhe të vjetra ruse pa pagesë ose me kredi, duke shpenzuar vetëm 4 miliard ëdollarë në 2008-2018, por duke shpenzuar deri në një të pestën e buxhetit të tij vjetor të shtetit, tha SIPRI.
Një shpjegim tjetër i pavendosmërisë së Rusisë është kryengritja paqësore e vitit 2018 që rrëzoi Presidentin pro-rus dhe gjoja të korruptuar dhe vendosi Pashinyan në krye. Ai u përpoq të ndryshonte aleancat politike të Armenisë dhe kërkoi lidhje më të ngushta me Perëndimin.
“Armenia në thelb po paguan për qëndrimin e saj neoliberal të personifikuar nga Pashinyan,” i tha Al Jazeera Aleksey Kushch, një analist politik me banim në kryeqytetin e Ukrainës, Kyiv.
Konflikti aktual mund të ketë pasoja afatgjata për ndikimin e Moskës në Kaukazin e Jugut.
“Duke gjykuar nga deklaratat e Presidentit Aliyev se një epokë e re do të fillojë në rajon pas luftës, Baku më në fund ka arritur përfundime serioze rreth rolit të Rusisë dhe lidhjet e saj me Moskën nuk do të jenë të njëjtat,” tha analisti Mustafayev.
Përkthyer dhe përshtatur nga: Aljazeera/ F.H, konica.al