Komisioni Europian publikoi dje progres-raportin për Shqipërinë për vitin 2020, i cili do t’i dorëzohet Këshillit Europian për t’i propozuar datën e zhvillimit të Konferencës së Parë Ndërqeveritare, që do të shënojë nisjen e bisedimeve mes Brukselit dhe Tiranës zyrtare për përafrimin e legjislacionit.
Raporti vjen në një situatë të tensionuar politike në vend, kur Presidenti dhe opozita kanë akuzuar maxhorancën se shkeli marrëveshjen konsensuale të 5 qershorit për Kodin Zgjedhor, pas votimit të së hënës në Parlament. Por raporti nuk e ka të përfshirë në radhët e tij këtë situatë konfliktuale politike, pasi ka mbajtur shënime për periudhën kur në Këshillin Politik diskutoheshin propozimet e ndryshme për Kodin Zgjedhor. Por ajo që bie në sy është fryma pozitive që raporti prezanton për hapat pozitivë të bërë nga Shqipëria dhe institucionet e saj në përmbushjen e kushteve të vëna nga Këshilli Europian për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.
Fjalia “… duke përmbushur kështu kushtin për Konferencën e Parë Ndërqeveritare…” përmendet 7 herë në raportin e sivjetmë të KE-së në lidhje me kushtet e përmbushura nga qeveria shqiptare dhe institucionet e vendit për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare dhe që lidhen me marrëveshjen e 5 qershorit, Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, nisjen nga puna të SPAK-ut dhe emërimin e drejtoreshës së BKH-së, vijimin e qëndrueshëm të vetingut të gjyqtarëve, si dhe me përpjekjen e autoriteteve shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Komisioni Europian është në pritje të funksionimit të plotë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, si dy nga kushtet e vendosura nga Këshilli Europian në mars të këtij viti.
KRITERET POLITIKE
Më 5 qershor 2020, Këshilli Politik arriti një marrëveshje të rëndësishme për futjen gradualisht të një administrate zgjedhore të depolitizuar, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ ODIHR-it. Palët ranë gjithashtu dakord për të futur identifikimin elektronik të të gjithë votuesve (aty ku teknikisht është e mundur), për të ristrukturuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe që Kolegji Zgjedhor të përbëhet nga gjyqtarë të verifikuar. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor u miratuan nga Parlamenti më 23 korrik 2020, në përputhje me marrëveshjen e 5 qershorit 2020, duke përmbushur kështu kushtin për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Përveç kësaj, më 30 korrik Parlamenti miratoi disa ndryshime në Kushtetutë në lidhje me sistemin zgjedhor. Këto ndryshime nuk kanë lidhje me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Diskutimet mbi zbatimin e këtyre ndryshimeve në Kushtetutë vazhdojnë si në Parlament, ashtu dhe mes partive në Këshillin Politik.
GJYKATAT
Sistemi gjyqësor i Shqipërisë ka njëfarë niveli përgatitjeje, është mesatarisht i përgatitur. Zbatimi i një reforme gjithëpërfshirëse dhe të plotë të drejtësisë ka vazhduar pa ndërprerje, duke rezultuar me një progres të mirë në përgjithësi. Këshilli i Lartë Gjyqësor përfundoi zgjedhjen e tre kandidatëve jomagjistratë për Gjykatën e Lartë, të emëruar më 11 mars 2019, duke mundësuar kështu funksionimin e njërës prej dhomave të Gjykatës dhe duke përmbushur kushtin përkatës për Konferencën e Parë Ndërqeveritare.
Procesi i përzgjedhjes për anëtarin e katërt jomagjistrat është pranë përfundimit. Kandidatët e tjerë për magjistratë janë në proces promovimi nga radhët e sistemit gjyqësor. Shqipëria po bën përparim për rindërtimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ka emëruar tre anëtarë të rinj. Kjo ka hedhura bazën që Gjykata Kushtetuese të rifitojë funksionalitetin – një kusht për Konferencën e Parë Ndërqeveritare pranë përmbushjes – dhe të rrisë besimin e publikut.
Në dhjetor 2019, Gjykata kishte në detyrë një gjyqtar nga nëntë, si rezultat i vetingut. Gjykata tani ka katër anëtarë. Pati një mosmarrëveshje në lidhje me procedurën e emërimit të njërit prej gjyqtarëve të fundit të emëruar. Komisioni i Venecias ka nxjerrë një opinion mbi këtë çështje, duke u siguruar autoriteteve shqiptare udhëzimet e nevojshme për të përfunduar emërimet e mbetura në Gjykatën Kushtetuese. Me katër anëtarët aktualë, Gjykata ka kuorumin minimal për të gjykuar mbi pranueshmërinë e çështjeve. Procesi i përzgjedhjes për tri poste të lira është në vazhdim.
SPAK
Krijimi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfundoi në vitin 2019 me emërimin në dhjetor të Kryeprokurorit të Posaçëm. Me trembëdhjetë nga pesëmbëdhjetë prokurorë të posaçëm të emëruar, Zyra e Prokurorisë së Posaçme (SPO) është plotësisht funksionale. Më 30 korrik 2020, Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëroi gjithashtu Drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (NBI), i cili ka nisur kryerjen e funksioneve të tij. Zhvillimet e mësipërme përmbushin kushtin për Konferencën e Parë Ndërqeveritare.
VETINGU
Rivlerësimi i përkohshëm i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vetingut) ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme, duke vazhduar të prodhojë rezultate të prekshme, si dhe duke përmbushur kështu kushtin për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Nën kujdesin e Komisionit Europian, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka vazhduar ta mbikëqyrë procesin. Deri tani janë përpunuar më shumë se 286 dosje, duke çuar në 62% shkarkime, kryesisht për çështje që lidhen me pasuri të pajustifikuara apo dorëheqje. Gjatë periudhës së izolimit nga COVID-19, institucionet e vetingut kanë vazhduar të kryejnë një numër aktivitetesh të rëndësishme hetimore në distancë. Institucionet e vetingut rifilluan dëgjimet publike në qershor 2020.
KORRUPSIONI
Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në luftën kundër korrupsionit. Në periudhën raportuese është bërë progres i mirë. Autoritetet shqiptare kanë forcuar kapacitetet operacionale, koordinuese dhe monitoruese në luftën kundër korrupsionit, duke përmbushur kështu kushtin për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Shqipëria ka vazhduar përpjekjet e saj drejt krijimit të një historiku të qëndrueshëm në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve të korrupsionit. Ndonëse vetingu i anëtarëve të gjyqësorit është një proces administrativ është e rëndësishme të vlerësohen rezultatet konkrete të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit.
Këto kanë përfshirë shkarkimin nga detyra të një numri gjyqtarësh të rangut të lartë, duke përfshirë nivelin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Në vitin 2019 pati dy dënime përfundimtare për korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të tjerë të gjyqësorit.
Në vitin 2019, pati 262 dënime të shkallës së parë që përfshinin zyrtarë të rangut të ulët apo të mesëm, përveç 294 dënimeve të shkallës së parë në vitin 2018. Në vitin 2019, pati 246 dënime përfundimtare në nivelin e Apelit, që përfshinin zyrtarë të rangut të ulët apo të mesëm, përveç 289 dënimeve përfundimtare në vitin 2018.
Janë bërë përpjekje të mëtejshme për krijimin e një historiku të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit, ndonëse ky mbetet një objektiv afatgjatë që ende kërkon të tjera përpjekje të strukturuara dhe të vazhdueshme. Ndërsa numri i hetimeve në vazhdim mbetet i lartë, deri më sot dënimet përfundimtare në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten të kufizuara.
KRIMI I ORGANIZUAR
Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në luftën kundër krimit të organizuar. Shqipëria ka bërë përparim të mirë në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, përfshirë përmes bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së dhe përmes planit të veprimit për trajtimin e rekomandimeve të Task-Forcës së Veprimit Financiar (FATF), duke përmbushur kështu kushtin për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Operacionet policore për shpartallimin e organizatave kriminale janë intensifikuar më tej dhe është bërë përparim i mirë. Ashtu si në vitet e kaluara, edhe në vitin 2019 Shqipëria tregoi një angazhim të fortë dhe të vazhdueshëm për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Shqipëria mundësoi futjen e një mekanizmi monitorimi mjaft ndërhyrës nga një vend i tretë (mbikëqyrje ajrore nga Guardia di Finanza italiane, bashkëfinancuar nga BE-ja).
ANTISHPIFJA
Për sa i përket lirisë së shprehjes, vendi ka njëfarë niveli përgatitjeje / është mesatarisht i përgatitur. Në dhjetor 2019, Parlamenti miratoi një sërë ndryshimesh në ligjin e medias, që synojnë të rregullojnë mediat në internet dhe disa aspekte të shpifjes, për të cilat në qershor të vitit 2020 Komisioni i Venecias nxori një mendim. Ndryshimet nuk janë në lartësinë e standardeve ndërkombëtare dhe parimeve të lirisë së medias dhe ngrenë shqetësime në lidhje me rritjen e censurës dhe vetëcensurës, si dhe në lidhje me pengesat e mundshme ndaj lirisë së shprehjes në vend. Përfaqësuesit e shumicës qeverisëse janë angazhuar publikisht të vazhdojnë më tej sipas udhëzimeve të Opinionit të Komisionit të Venecias. Aktualisht paketa antishpifje po rishikohet në dritën e Opinionit të Komisionit të Venecias.