Masat bllokuese të vendosura në thuajse çdo cep të globit vijojnë të shkaktojnë problem në transportin e njerëzve dhe sidomos në turizëm, një prej sektorëve më të prekur nga kriza. Shifrat më të fundit të Instat sa i përket lëvizjes së shtetasve tregojnë se hyrjet e shtetasve të huaj por edhe shqiptarë në territorin e vendit kanë rënë me 43% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kështu, gjatë shtatorit regjistrohen 604.703 shtetas që kanë hyrë në Shqipëri, nga rreth 1 milionë e 63 mijë shtetas të shtatorit të vitit të kaluar. Sa i përket shtetasve të huaj, shtatori numëron rreth 377 mijë hyrje, kundrejt 591 mijë të së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Ndërkaq, sipas scan, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri në nëntëmujorin 2020 është 2.122.202, duke rënë me 61,1 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, çka tregon mjaft mirë impaktin e krizës në sektorin e transportit, por sidomos në turizëm.