MENU
klinika

"Është fshehur prej kohës një anë e frikshme"

Dasho thirrje Ministrisë: Sa përqind e shqiptarëve vdesin në reanimacion?

07.10.2020 - 09:22

Specialisti i Shëndetit Publik Erion Dasho i ka bërë thirrje ministrisë së Shëndetësisë dhe komitetit të ekspertëve të mos “fshihen më pas “të shëruarve” dhe “heronjve”, por duhet të japin llogari sa përqind e shqiptarëve të shtruar me COVID në repartet e reanimacionit vdesin”.

Po ashtu Dasho kërkon të sqarohet si qëndron kjo shifër në raport me spitalet e vendeve të tjera.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, eksperti thotë se në pjesën më të madhe të vendeve të zhvilluara, ditë-qëndrimi mesatar në repartet e reanimacionit është mbi 5 ditë.

“Në se kjo do të ishte e vërtetë edhe në Shqipëri, atëherë vdekshmëria në repartet tona të reanimacionit do t’i afrohej 100%-it”.

POSTIMI I PLOTE

VDEKSHMËRIA NGA COVID-I NË SHQIPËRI

Përgjatë gjithë epidemisë, transparenca e ministrisë dhe komitetit lidhur me menaxhimin e situatës ka qënë në nivele skandaloze. Komunikimi i hapur dhe i ndershëm me publikun i ka lënë vendin shpesh propagandës së paturpshme.

Për sa i takon trajtimit, çdo ditë raportohen dhjetëra “të shëruar” prej COVID, duke harruar se këta persona shërohen sepse e tillë është ecuria natyrore e sëmundjes, ku 80% deri 85% e pacientëve shërohen pa patur nevojë për asnjë mjekim përveç çajit dhe paracetamolit.

Ndërkohë është fshehur prej kohësh një anë e frikshme e menaxhimit të sëmundjes në Shqipëri, ajo e vdekshmërisë në repartet e reanimacionit. Le të shohim shifrat:

Çdo ditë ministria njofton atë që quhet censusi i shtratit, pra numri i personave të shtruar në spital, në reanimacion dhe të intubuar. Në se shohim censusin e reparteve të reanimacionit, nga data 1 korrik deri më sot në Shqipëri janë raportuar 1,607 ditë qëndrimi në repartet e reanimacionit të dy spitaleve COVID 1 dhe 2. Përgjatë të njëjtës periudhë janë raportuar 335 humbje jete.

Ministria nuk raporton ditë-qëndrimin mesatar në repartet e reanimacionit, prandaj këtë parametër le ta marrim të ndryshueshëm:
1. Ditë-qëndrim mesatar 2 ditor: vdekshmëri 41.7%!
2. Ditë-qëndrim mesatar 3 ditor: vdekshmëri 62.5%!
3. Ditë-qëndrim mesatar 4 ditor: vdekshmëri 83.4%!
4. Ditë-qëndrim mesatar 4.8 ditor: vdekshmëri 100%!!!

Në pjesën më të madhe të vendeve të zhvilluara, ditë-qëndrimi mesatar në repartet e reanimacionit është mbi 5 ditë. Në se kjo do të ishte e vërtetë edhe në Shqipëri, atëherë vdekshmëria në repartet tona të reanimacionit do t’i afrohej 100%-it.

Këtu po flasim për persona që shtrohen në reanimacion dhe jo për persona të intubuar. Për krahasim, edhe për personat e intubuar, vdekshmëria në vendet e zhvilluara tashmë është nën 50%.

KËTO SHIFRA MERITOJNË VËMENDJE DHE ANALIZË PROFESIONALE IMEDIATE!

Ministria dhe komiteti nuk mund të fshihen më pas “të shëruarve” dhe “heronjve”, por duhet të japin llogari sa përqind e shqiptarëve të shtruar me COVID në repartet e reanimacionit vdesin dhe se si qëndron kjo shifër në raport me spitalet e vendeve të tjera!

Kjo është transparenca minimale që ministria dhe komiteti i detyrohen shqiptarëve, sidomos atyre që kanë humbur familjarët, miqtë dhe të afërmit!