MENU
klinika

Masat e marra nga qeveria

Denaj: Ulja e taksave për biznesin nxit formalizimin

17.10.2020 - 18:38

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë takimeve të me biznesin në Vlorë diskutoi mbi masat e marra nga qeveria për uljen e taksave.

Dy masat e fundit, si rritja e pragut të TVSH deri në 10 milionë lekë dhe heqja e tatimit mbi fitimin për bizneset me xhiro deri 14 milionë lekë, janë konsideruar masa lehtësuese për tatimpaguesit. Këto masa sipas ministres Denaj vjen si mbështetje për rimëkëmbjen e biznesit, i cili u godit nga pandemia e Covid-19.

Duke thënë se kjo nuk është një situatë e lehtë, ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj shtoi se qeveria do jetë pranë bizneseve për dëgjuar shqetësimet e tyre.

“Do të jetë një periudhë jo e lehtë, por Qeveria është pranë bizneseve për t’i dëgjuar dhe lehtësuar nga barra fiskale”, tha ajo .

Ministrja Denaj nënvizoi se heqja e tatimit mbi fitimin për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë do të ndihmojë edhe në fomalizimin e ekonomisë.

Por, lëvizjet e fundit të qeverisë Rama kanë hasur në kundërshtim të kreut të opozitës së bashkuar, Lulzim Basha.

Ky i fundit është shprehur se masat e reja, të cilat janë njoftuar nga vetë Rama nuk janë gjë tjetër, por thjesht një mashtrim i radhës i kryeministrit.