Historiani i njohur, Pëllumb Xhufi, e konsideron zgjidhjen më të mirë dërgimin e çështjes së detit me Greqinë në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë.
Xhufi kujton marrëveshjen e 2008-ës të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në unanimitet, të cilën e cilëson të pështirë, ndërsa shton se me dërgimin e saj në Hagë “u shmang nënshkrimi me ngut e nën presion i një marrëveshjeje kaq të rëndësishme e serioze që implikon drejtpërdrejt sovranitetin e autoritetin e shtetit shqiptar”.
I pyetur për ligjin e luftës, të cilin ministri i Jashtëm grek e cilësoi anakronizëm, Xhufi shprehet se “ligji i luftës duhet hequr pa kushtëzime, pa kompensime dhe në mënyrë integrale, duke zhbërë edhe pasojat e tij ligjore, siç është ligji shtesë për bllokimin e pasurive të qytetarëve shqiptarë në Greqi”.
Shqipëria dhe Greqia vendosën që çështjen e detit, atë të përcaktimit të zonave ekskluzive ekonomike, ta zgjidhin në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Si e vlerësoni këtë vendim, dhe sipas jush, mund të konsiderohet zgjidhja më e mirë?
Duke konsideruar rrethanat, mendoj se ishte zgjidhja më e mirë. Në radhë të parë u shmang nënshkrimi me ngut e nën presion i një marrëveshjeje kaq të rëndësishme e serioze që implikon drejtpërdrejt sovranitetin e autoritetin e shtetit shqiptar. Nuk u përsërit historia e pështirë e vitit 2008 dhe kjo nuk është pak.
Së dyti, u shmang rreziku i përfshirjes së Shqipërisë në një realitet konfliktual që është krijuar pikërisht tani në Mesdhe midis partnerëve të rëndësishëm të vendit tonë, Greqisë e Turqisë, për të njëjtën çështje të ndarjes së kufirit e të zonave ekonomike detare. Një nënshkrim i mundshëm pikërisht tani i marrëveshjes, siç me forcë e kërkonte pala greke, do ta rreshtonte Shqipërinë në një konflikt që nuk është yni.
Së treti, kalimi i çështjes te Gjykata Ndërkombëtare shmang rrezikun e nënshkrimit të një marrëveshjeje, e cila në çdo rast do të favorizonte njërën palë, palën greke. Kjo, siç e tregoi precedenti i shëmtuar i marrëveshjes Bakojanis-Basha e vitit 2008, do të tentonte gjithçka, duke shfrytëzuar edhe pozicionin e vet si anëtar i BE-së e i NATOs, për të imponuar kohët, ritmin dhe vetë përmbajtjen e këtij edicioni të dytë të marrëveshjes në fjalë.
Mendoj se Greqisë i interesonte një “ujdi” si ajo e vitit 2008 dhe jo një marrëveshje e drejtë, aq më pak një marrëveshje me supervizion ndërkombëtar. Kujtoni hollësirat e negociatave të vitit 2008, të nxjerra në dritë nga “wikileaks”-i, kur negociatorët grekë i propozonin bashkëbiseduesve shqiptarë që t’i mbyllnin fët e fët negociatat, “together”, pa vënë në dijeni aleatët e mëdhenj. Në marrëdhëniet e saj me Tiranën në këto 30 vjetët e fundit, Athina e ka bërë të qartë që nuk e dëshiron përfshirjen e palëve të treta në kontestet greko-shqiptare, ajo është e sigurt se mund t’ia imponojë palës shqiptare vullnetin e vet dhe nuk është se e ka gabim. Ia ka arritur kësaj thuajse gjithmonë me politikanët tanë.
Së fundi, kalimi i debatit mbi ndarjen e detit mes Shqipërisë e Greqisë në Gjykatën Ndërkombëtare, si instancë e fundit, i jep fund edhe një situate paradoksale e irrituese në emergjencë pandemie, kur pikërisht autorët e ujdisë së turpshme të vitit 2008 kanë rrëmbyer flamurin e mbrojtjes së integritetit territorial. Nuk mund të mbrohet integriteti territorial, e në përgjithësi interesat e Shqipërisë, kur je me integritet personal të cenuar. Në fund, nuk mund ta le pa thënë, se për një marrëveshje të drejtë është e interesuar në një plan strategjik e afatgjatë edhe vetë Greqia. Siç e tha në një rast Presidenti Obama, “marrëveshjet e mira bëjnë miq të mirë”. Në të kundërtën, marrëveshjet e këqija veç mbjellin keqkuptime, urrejtje e konflikte.
Dhe në fakt, rezultati final i ujdisë së vitit 2008 ishte komprometimi i marrëdhënieve greko-shqiptare, bllokimi i tyre, nxitja e një klime mosbesimi. Në fund të fundit, rezultat i një klime të tillë në marrëdhëniet shqiptaro-greke është edhe kjo zgjidhje sui generis, duke iu drejtuar gjykatës, siç në jetën e përditshme ndodh me një çift që i drejtohet gjykatës kur ka humbur besimin në mundësinë e bashkëjetesës. Dua të besoj se për nevojën e ndryshimit të qasjes në marrëdhëniet me Shqipërinë tashmë duhet të jetë bërë e ndërgjegjshme edhe qeveria greke. Madje e uroj një gjë të tillë.
Sipas mediave greke do të ketë një periudhë të ndërmjetme, gati dyvjeçare, ku palët do të negociojnë, dhe nëse nuk do të arrijnë dot në një marrëveshje, vetëm atëherë do t’i drejtohen bashkërisht Gjykatës së Hagës. Kjo do të kërkonte ringritjen e grupit të negociatorëve dhe përfshirjen e Presidentit të Republikës. Ku duhet të ketë kujdes Shqipëria në këto negociata?
Sigurisht, Gjykata Ndërkombëtare nuk mund të marrë rolin që pati në 1913-ën Konferenca e Londrës, apo në 1919- ën Konferenca e Paqes e Versajës, të cilat vendosën, si i vendosën, kufijtë e sotëm të Shqipërisë. Mendoj se në Gjykatë palët do të çojnë vetëm çështjet e kontestuara, të cilat janë identifikuar e do të identifikohen ndërkohë nëpërmjet takimeve të grupeve negociatore. Për to, Gjykata do të ofrojë zgjidhjet e mundshme, duke pajtuar qëndrimet e palëve me Ligjin Ndërkombëtar të Detit, përkatësisht me përcaktimet e Konventës së Montego Bay-t të vitit 1982. Dhe këtu del pyetja se si do të paraqitet qeveria shqiptare në këtë fazë të re të këtij procesi të vështirë? Do të paraqitet me të njëjtin grup negociator, apo do të reflektojë ndaj defekteve që tregoi ndaj këtij problemi vendimtar? Do të zbatojë të njëjtën praktikë pune të përjashtimit nga procesi, deri edhe Presidentin e Republikës, duke ruajtur me tepri “konfidencialitetin” e bisedimeve e duke lënë në errësirë të plotë opinionin, që thuajse gjithmonë vihet përpara “faktit të kryer” për probleme të tilla kardinale?
Një tjetër çështje e deklaruar me solemnitet në konferencën e përbashkët Rama-Dendias ishte dhe heqja e ligjit të luftës, që për ministrin grek u konsiderua anakronizëm. Pse mendoni se Greqia në këtë moment dhe me këtë qeveri do ta konsiderojë realisht këtë çështje, të cilën nuk ka guxuar asnjë qeveri që nga 1990-a?
Le t’i japim Çezarit atë që është e Çezarit. Kujtoj që ishte një qeveri socialiste ajo që në vitet ’90 zbuloi se “ligji i luftës me Shqipërinë” mbahej akoma në fuqi nga shteti fqinj. Ashtu siç dua të kujtoj që ishte qeveria e parë Rama ajo që arriti ta rifusë çështjen e thekshme çame në axhendën e bisedimeve dypalëshe me Greqinë dhe, ritheksoj, ishte po PS-ja ajo që, si në opozitë, ashtu edhe në qeveri, u mundua ta fusë në binarë të drejtë çështjen e marrëveshjes së detit. Dhe duhet pranuar, se me këto hapa politika shqiptare ka pushuar për një çast së punuari për zbatimin e axhendës së huaj dhe ka filluar të mendojë për axhendën shqiptare në marrëdhëniet me shtetin fqinj. Abrogimi i ligjit të luftës është padyshim një prioritet i prioriteteve në marrëdhëniet shqiptaro-greke.
E ka thënë këtu e dhjetë vjet më parë një autoritet i politikës së jashtme greke, ambasadori i Greqisë në Tiranë e më vonë në Washington, Aleksandros Mallias: “Fshirja e atij ligji famëkeq është parakusht për fillimin e një marrëdhënie të re (new deal) mes dy vendeve tona”. Ka shenja për të shpresuar se Kryeministri i ri i Greqisë, z. Mitsotakis, është bindur se është në interes edhe të Greqisë të ndryshojë qëndrim ndaj fqinjit të Veriut. Si djalë i ish-Kryeministrit Konstantin Mitsotakis e vëlla i zonjës Bakojanis, ai mban mbi shpatulla peshën e rëndë të politikës së shantazhit e të imponimit që ka karakterizuar politikën e Athinës ndaj Shqipërisë në këta 30 vjetët e fundit.
Ndaj, them, premtimi për abrogimin më në fund të ligjit të luftës me Shqipërinë premton për një qëndrim të ri të qeverisë greke. Veçse duhet sqaruar se Shqipëria dhe qytetarët shqiptarë kanë qenë viktimë e padrejtë e atij ligji. Mbreti i Greqisë e nxori dekretin për gjendjen e luftës me Shqipërinë në vitin 1940, kur Shqipëria ishte një vend i pushtuar dhe kur nga territori i saj Musolini ndërmori agresionin kundër vendit fqinj. Këmbëngulja greke për ta shpallur e për ta mbajtur aq gjatë në fuqi ligjin e luftës tregon se politika greke nuk e paska konsideruar Shqipërinë vend të pushtuar më 1940-ën dhe qeverinë kuislinge të Mustafa Krujës, që iu bashkëngjit politikës së Italisë fashiste, e paska konsideruar dhe e konsideron një qeveri të ligjshme!
Nëse është kështu, edhe qeveria kuislinge shqiptare duhet të kishte sajuar më 1943-shin një ligj lufte me Greqinë, sepse trupat gjermane që hynë në Shqipëri në verën e atij viti erdhën pikërisht nga Greqia, ku gjithashtu kishte një qeveri kuislinge kukull të gjermanëve, të drejtuar nga K. Rallis. Grekët vërtet mbahen si krijuesit e shkencës historike, por kjo s’do të thotë se marrëdhëniet e tyre me historinë janë gjithnjë të ndershme e të panjolla. Në këtë kuptim, duke përshëndetur deklaratën e qeverisë greke për heqjen e ligjit të luftës, nuk mund të mos na bëjë përshtypje ftesa e ministrit Dendias, që qeveritë greke e shqiptare të punojnë “së bashku” (together) për arritjen e këtij objektivi.
Jo, ligji duhet të zhbëhet në mënyrë të njëanshme nga pala greke, si përgjegjësi ekskluzive e saj. Aq më pak, nuk duhet trajtuar ai hap si pjesë e “paketës” së problemeve për t’u zgjidhur mes dy vendeve. Ligji i luftës duhet hequr pa kushtëzime, pa kompensime dhe në mënyrë integrale, duke zhbërë edhe pasojat e tij ligjore, siç është ligji shtesë për bllokimin e pasurive të qytetarëve shqiptarë në Greqi. Mbi këtë çështje nuk ka asgjë për të dyshuar, për të diskutuar, madje as edhe për të festuar. Mirë është që heqja e ligjit të turpshëm të luftës të bëhet pa zhurmë e pa bujë, siç përgjithësisht veprohet me gjërat e turpshme.
Ministri i Jashtëm grek, Dendias, nuk e fshehu entuziazmin kur tha se Shqipëria ka avancuar mirë në çështjet e minoriteteve (duke pasur parasysh një projektligj që përcakton një minoritet me 300 firma anëtarësh apo dhe ligjin e censusit, ku do të lejohet të deklarohet në mënyrë vullnetare etnia dhe besimi fetar). Mendoni se këto hyjnë te presioni që Greqia bën para Konferencës së Parë Ndërqeveritare të BE-së me Shqipërinë?
Unë nuk di nëse projektligji idiot, që u mundëson 300 vetëve të kërkojnë statusin e pakicës kombëtare, ka kaluar në Kuvend. Për të nuk u bë fare zhurmë. Atë projektligj e gatoi qeveria, por me sa pamë, për të heshti si peshku edhe opozita. Uroj që të mos paraqitet fare në Kuvend. Edhe pa të, në fushën e të drejtave të minoriteteve, Shqipëria, ashtu si edhe Kosova, mbajmë rekordin absolut në botë. Në vitin 2017 qeveria Rama nxori ligjin që u njihte statusin e pakicës kombëtare edhe grupeve, që përndryshe njihen si grupe gjuhësore ose kulturore.
Një “mirësi” e tillë habiti edhe vetë Departamentin e Shtetit të SHBA-së, i cili jo pa habi e evidentoi një fakt të tillë në raportin e tij të vitit 2019. Tani, me këtë projektligj të ri, që i njeh statusin e “pakicës kombëtare” një grupi prej 300 personash që e kërkojnë një gjë të tillë, qeveria e ka zgjidhur fare qesen. Por do të thosha, se edhe i ka hapur punë vetes. Sepse kombësia nuk shpiket e nuk ndërrohet, siç mund të ndodhë me besimin. “Kombësia është një çështje fakti, jo një çështje zgjedhjeje”, thotë ligji ndërkombëtar. Parashikoj që autoritetet tona do të kenë mjaft kokëçarje me censusin e ri, i cili me siguri do ta trajtojë problemin e deklarimit të kombësisë me shumë “sportivitet”.
Sepse të dhënat e atij censusi do të duhet të kolaudohen me të dhënat e zyrave të gjendjes civile. Kështu, nëse dikujt i ka shkrepur në kokë të ndërrojë kombësinë, do të duhet të llogarisë se mund të ballafaqohet me ligjin. Gjithsesi, kjo është një çështje që i përket së ardhmes. Deri kur t’i vijë koha, uroj që te ligjbërësit e politikëbërësit tanë të ketë triumfuar arsyeja./Panorama