Në orën 18:00, Shqipëria do të luajë në Lituani ndeshjen e katërt në grup për Ligën e Kombeve. Më shumë se për një “hakmarrje”, Kombëtares i duhen pikët e plota për vendin e pare.
Shqipëria pritet të luajë me skemën 3-5-2, por duke i dhënë besim sërish treshes Gjimshiti-Dermaku-Kumbulla në mbrojtje, e gjithashtu kapitenit Berisha në portë. Risitë e Rejës janë krahët e mesfushës, aty ku në të djathtë pritet të debutojë Albi Doka, ndërsa në të majtë ka balotazh mes Memollës dhe Lenjanit.
Mbrojtësi që u shpall kampion me Tiranën në sezonin e fundit dhe prej pak muajsh luan në Kroaci me HNK Goricën, ka një shans të artë, teksa zëvendëson Veselin.
Në seancën e fundit në “LFF Stadium”, trajneri kuqezi konfirmoi në mesfushë treshen Abrashi-Bare-Kallaku. Në fakt, i pari vinte nga një problem fizik që e detyroi të linte lojën para kohe në Kazakistan. Por, mesa duket ka shtrënguar dhëmbët dhe ka dhënë siguri.
Megjithatë, për kosovarin luftarak të mesfushës do të vendoset vetëm pak orë para ndeshjes, ndërsa në vend të tij është gati Qazim Laçi. Të paktën kjo është provuar në stërvitjen e djeshme. Sa i përket ofensivës me dy lojtarë të deklaruar, i sigurt është aktivizimi nga minuta e parë i Armando Brojës.
Sulmuesi i Viteses në Holandë ka fituar besimin e Rejës pas paraqitjes tri ditë më parë. Dilema e vetme mbetet “partneri” i tij, teksa ka një balotazh mes Taulant Seferit dhe Giacomo Vrionit. I pari duket më i avantazhuar për të qenë titullar. Ndërkohë, ulet në stol Rey Manaj.