Një nga autorët më të trazuar të letërsisë botërore, Fyodor Mikhailovich Dostoevsky njihet për krijimin e personazheve të “goditur” nga sistemi politiko-social në të cilin jetonin. Personazhet e romaneve dhe tregimeve të tij janë një pasqyrë e dallimit të dukshëm ekonomik në Rusinë e viteve kur jetoi edhe vetë autori. Ai lindi më 11 nëntor 1821 në një nga lagjet e varfëra në periferisë të Moskës. Me letërsinë u njoh që në moshë të hershme për shkak të lezimeve që i bënte dadoja e tij kur ai ishte vetëm tre vjeç. Më tej u njoh me Biblën në moshën 4-vjeçare me të cilën e ëma Maria i mësoi shkrim dhe këndim. Momente këto vendimtare në jetën e shkrimtarit të ardhshëm që u bë i tillë për shkak të vështirësive ekonomike dhe në përpjekje për të mbijetuar.
Dostojevski, njihet si një shkrimtar me besim të fortë në fenë ortodokse dhe besimi i tij shfaqet edhe në personazhet e krijuar nga autori. Shenjat e para të epilepsisë tek ai u shfaqën në qershor të 1839-ës kur edhe mësoi për vdekjen e babait.
Ndërsa kjo sëmundje reflektohet edhe në personazhet e autorit. Dostojevski shkroi romanin e tij të parë në 1845 dhe e titulloi “Njerëz të varfër”, një vepër që pati sukses të menjëhershëm. Në vitin 1849 ai u akuzua për leximin e veprave të Belinsky, duke përfshirë Letrën e ndaluar të Gogolit dhe për qarkullimin e kopjeve të këtyre dhe veprave të tjera. Dostojevskit iu përgjigj këtyre akuzave duke deklaruar se ai i lexoi esetë vetëm “si monument letrar, as më shumë e as më pak”. Sidoqoftë, ai dhe shokët e tij “komplotistë” u arrestuan më 23 Prill 1849 me kërkesë të Kontit A. Nicolas I.
Ata u mbajtën në fortesën Peter dhe Paul e cila strehonte të burgosurit më të rrezikshëm. Çështja u diskutua për katër muaj dhe ndaj tyre u caktua dënimi me vdekje. Pas marrjes së vendimit të burgosurit u dërguan në Semyonov Place në Shën Petersburg më 23 Dhjetor 1849 ku u ndanë në grupe prej tre vetash. Dostojevski ishte i treti në rreshtin e dytë; pranë tij ishin Pleshcheyev dhe Durov. Ekzekutimi u pezullua kur një karrocë solli një letër nga Cari që ndryshoi dënimin për të. Dostojevski shërbeu katër vjet në internim me punë të detyruar në një kamp burgu Katorga në Omsk, Siberi, pasuar nga një periudhë e shërbimit të detyruar ushtarak.
Pas lirimit të tij më 14 shkurt 1854, ai i kërkoi vëllait të tij Mikhailit që ta ndihmonte financiarisht dhe t’i dërgonte librat e Vico, Guizot, Ranke, Hegel dhe Kant. “Shtëpia e të Vdekurve”, bazuar në përvojën e tij në burg, u botua në 1861 në revistën Vremya. Ishte romani i parë i botuar në lidhje me burgjet ruse.
Më tej u transferua në Semipalatinsk në mes të marsit, ku u detyrua të shërbente në Korpusin e Ushtrisë Siberiane të Batalionit të Linjës së Shtatë. Në Semipalatinsk, Dostojevski u dha mësim disa nxënësve në shkolla dhe ra në kontakt me familje të shtresave të larta, përfshirë atë të Nënkolonelit Belikhov. Gjatë një vizite tek Belikhov, Dostojevski u takua me familjen e Aleksandër Ivanovich Isaev dhe Maria Dmitrievna Isaeva dhe u dashurua me këtë të fundit. Maria u martua me Dostojevskin në Semipalatinsk më 7 shkurt 1857.
“Një Hero i Vogël” (vepra e vetme e Dostojevskit e përfunduar në burg) u publikua në pjesë ndërsa “Ëndrra e Xhaxhait Plak” dhe “Fshati Stepanchikovo” nuk u botuan deri në vitin 1860. “Shënime nga Shtëpia e të Vdekurve” u botua në Russky Mir në shtator 1860. “Të fyer dhe të poshtëruar” u botua në revistën e re Vremya.
Dostojevski udhëtoi për herë të parë në Evropën Perëndimore më 7 qershor 1862, duke vizituar Këln, Berlin, Dresden, Wiesbaden, Belgjikë, Paris, Londër, Zvicër dhe disa qytete në Italinë veriore, përfshirë Torino, Livorno dhe Firence.
Nga gushti deri në tetor 1863 Dostojevski bëri një udhëtim tjetër në Evropën Perëndimore ku humbi pothuajse të gjitha paratë duke luajtur bixhoz në Wiesbaden dhe Baden-Baden. Në shkurt të 1867 Dostojevski u martua me gruan e dytë, Ana Snitkina e cila e ndihmonte të shkruante romanet në një kohë më të shkurtër.
Dostojevski ka shkruar romane, tregime të shkurtra, novela, ese, pamflete, epigrama, letra dhe poezi. Ai ka shkruar mbi 700 letra, pjesa më e madhe e të cilave kanë humbur. Dostojevski shprehu ide fetare, psikologjike dhe filozofike në shkrimet e tij. Punimet e tij eksplorojnë tema të tilla si vetëvrasja, varfëria, manipulimi njerëzor dhe morali. Shumica e punimeve të tij demonstrojnë një vizion të strukturës kaotike sociopolitike të Rusisë bashkëkohore. Veprat e tij të hershme e shikonin shoqërinë (p.sh., ndryshimet midis të varfërve dhe të pasurve) përmes lenteve të realizmit letrar dhe natyralizmit.
Ndikimet e shkrimtarëve të tjerë, veçanërisht të dukshme në veprat e tij të hershme, çuan në akuza për plagjiaturë por stili i tij gradualisht u bë më individual. Pas lirimit nga burgu, Dostoevski përfshiu temat fetare, veçanërisht ato të Ortodoksisë Ruse, në shkrimet e tij. Elemente të trillimit gotik, romantizëm, dhe satirë dallohen në disa prej librave të tij.
Ai shpesh përdorte detaje autobiografike ose gjysmë autobiografike. Një element i rëndësishëm stilistik në shkrimet e Dostojevskit është polifonia, prania e njëkohshme e zërave të shumtë dhe perspektivat narrative. Polifonia është një koncept letrar, analog me polifoninë muzikore, zhvilluar nga Mikhail Bakhtin bazuar në analizat e tij për veprat e Dostojevskit.
Ai ka shkruar gjithësej 15 romane dhe novela, 17 tregime, dhe ka përkthyer 5 vepra. Shumë nga romanet e tij më voluminozë u publikuan në pjesë në revista dhe gazeta letrare. Veprat më të rëndësishme të tij janë: “Njerëz të varfër”, “Shënime nga nëndheu”, “Krim dhe ndëshkim”, “Idioti” dhe “Vëllezërit Karamanzov”.
Dorëshkrim gjatë shkrimit të romanit “Djajtë”.
Fredjana Hamzallari