MENU
klinika

"Të heqë dorë nga provokimet..."

Franca paralajmëron Turqinë pasi rikthen anijen në Mesdheun Lindor

12.10.2020 - 21:20

Turqia njoftoi mbërritjen e anijes kërkimore “Oruc Reis” në Mesdheun Lindor për të kryer një studim sizmik në 10 ditët e ardhshme, një lëvizje që mund të përshkallëzojë sërish tensionet me aleatin e NATO-s Greqinë.

Greqia ka reaguar menjëherë pas mbërritjes së anijes turke duke thënë se kjo lëvizje përbën një kërcënim për rajonin.

Marina turke tha se anija “Oruc Reis” do qëndrojë në jugun e ishullit grek të Kastellorizo-s, nga e hëna deri më 22 tetor për të kryer një seri aktivitetesh studimore.

Franca me shpejtësi kërkoi të qetëojë situatën, duke i kërkuar Turqisë të veprojë me kujdes.

“Ne presim që Turqia të heqë dorë nga provokimet e reja”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Agnès Von der Mühll.

Turqia dhe Greqia janë konfliktuar për eksplorimin e gazit në Mesdheun lindor në gusht, ku edhe zhvilluan stërvitje luftarake në ujërat strategjikë midis Qipros dhe ishullit grek të Kretës.

Greqia pretendon të drejtat e saj mbi ujërat përreth Kastellorizo-s ​​por Turqia nga ana e saj këmbëngul se ka më shumë ndikim në Mesdheun lindor pasi ka një vijë bregdetare më të gjatë.

Ankaraja së pari vendosi anijen kërkimore “Oruc Reis” dhe anijet luftarake në Mesdheun lindor, më 10 gusht dhe e zgjati misionin, duke injoruar thirrjet e përsëritura për të ndaluar nga Athina dhe Bashkimi Evropian.

“Oruc Reis” u tërhoq muajin e kaluar nga ujërat që Greqia pretendon se janë të vetat dhe të gjithë shpresonin se ishte një shenjë që Ankaraja dhe Athina mund të zgjidhnin krizën përmes bisedimeve.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan në atë kohë tha se tërheqja do t’i jepte një shans diplomacisë midis shteteve.

Pas takimit të nivelit të lartë blloku europian tha se do të ndëshkonte Turqinë nëse ajo vazhdonte operacionet e saj në rajon.

Shpresat u shtuan kur Turqia dhe Greqia ranë dakord për bisedime muajin e kaluar pas përpjekjeve diplomatike të drejtuara nga Gjermania për të zbutur krizën.

Bisedimet ishin ndalur që nga viti 2016 dhe pritej rifillimi i tyre në Stamboll, por nuk u caktua asnjë datë e saktë për to.

Ministrat e jashtëm turk dhe grek u takuan gjithashtu javën e kaluar në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratislava dhe zhvillian bisedime të nivelit të lartë.

Ministri i jashtëm gjerman pritet të vizitojë Ankaranë të mërkurën, sipas transmetuesit të shtetit turk TRT, ku Mesdheu lindor do të jetë në krye të axhendës së bisedimeve veçanërsisht në këtë moment kur Turqia ka ridërguar një anije sërish në Mesdheun Lindor.

Zyrtarët turq këmbëngulën që anija po largohej përkohësisht dhe do të kthehej në Mesdheun lindor për të vazhduar punën e saj dhe kështu ndodhi ditën e sotme kur edhe u rikthye duke shkaktuar reagimin e menjëhershëm të Greqisë.

Përkthyer dhe përshtatur nga: Dailynews/ F.H, konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vjen përgjigjja urgjente e Athinës

Plas mes dy vendeve, anijet turke zbrakojnë në Mesdhe