MENU
klinika

Indinjata e dy federatave

FSHV: Nuk lejohet një sport që luhet në 800 m2

27.10.2020 - 13:33

Sezoni sportiv 2020-2021 në volejboll nuk do të nisë dhe rrezikon të anulohet përfundimisht. Përmes një deklarate që Federata Shqiptare e Volejbollit u ka nisur klubeve, njoftoi se Ministria e Shëndetësisë dhe e Mirëqënies Sociale i ka kthyer përgjigje negative për fillimin e kampionatit. Njoftimi zyrtar ishte përmes zv.ministres Mira Rakacolli.

Federata Shqiptare e Volejbollit shprehu keqardhjen dhe indinjatën e saj. Sipas federatës, janë hapur e funksionojnë palestrat e “fitness”-it, qendrat tregtare, transporti publik, baret, restorantet, shkollat, kinematë, ndërsa volejbolli, që luhet në një hapësirë 800 metra katrorë dhe lojtarët janë të ndarë nga njëri-tjetri në një fushë 162 m2, nuk lejohet.

Gjithashtu, federata përmend faktin se ka një kontrast të plotë me Evropën, ku po luhet volejboll, duke filluar nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, për të kulmuar me Italinë, që është edhe epiqendra e “Covid-19” në kontinent.

Edhe basketbolli shqiptar ka reaguar. Përmes presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, shprehet habia se si lojërat me dorë nuk lejohen akoma. Shqetësimi është edhe për ekipet kombëtare që do të përfaqësojnë në aktivitetet e ndryshme.

Në një kohë që Federata Ndërkombëtare e Basketbollit FIBA pret listat përfundimtare të ekipeve kombëtare femra dhe meshkuj, trajnerët e kanë të pamundur përzgjedhjen, duke mos pasur aktivitet dhe duke mos ditur formën e basketbollistëve.

Sipas Ponarit, pjesëmarrja ka kosto të mëdha, por mospjesëmarrja akoma më shumë, të llogaritura deri në 100 mijë euro, një faturë më e madhe se granti vjetor për basketbollin në Shqipëri.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN