MENU
klinika

"Ja ç'do t'i kërkoj KLGJ-së"

Gjyqtari i Apelit Shkodër pas kthimit në detyrë: E prisja…

24.10.2020 - 11:12

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Shkodër, Fuat Vjerdha, u rikthye në punë një ditë pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi në favor të tij, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm të KPK-së që e shkarkoi nga detyra.

Kënaqësinë për fitimin e kësaj beteje ligjore nuk e fsheh, edhe pse thotë se e ka ditur që e drejta do të jetë me të.

Vjerdha: Është një kënaqësi e veçantë që jam rikthyer. E kam pritur pasi edhe më përpara kam patur rezerva pas shkarkimit dhe tashmë rikthehem në pozicionin që kam patur. Vendimi i mëparshëm se une cënoja besimin e publikut te sistemi i drejtësisë nuk ishte i vërtetë. Kam mbledhur edhe një peticion me 6200 firma.

Ai tregon më tej se Apeli në Shkodër ka mungesë gjyqtarësh ndaj edhe do ti kërkojë KLGJ-së të delegojë dhe një gjyqtar.

Vjerdha: Gjykata e Apelit në Shkodër ishte me 3 gjyqtarë, një është i deleguar dhe unë qe rikthehem. Një nga punët e para është që ti kërkoj Këshillit Gjyqësor të delegojë edhe një gjyqtar.

Fuat Vjerdha është i pari gjyqtar i shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili rikthehet në detyrë me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Dje, trupa e kryesuar nga Ardian Hajdari, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Albana Shtyllën, Natasha Mulajn dhe Rezarta Schuetzin, njoftoi se kishte prishur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e shkarkonte Vjerdhën për “cenim të besimit të publikut te drejtësia”.

Fuat Vjerdha e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1994 dhe në nisje të procesit të vetingut ushtronte detyrën e kryetarit të Gjykatës së Apelit të Shkodrës. Vjerdha iu nënshtrua një procesi të gjatë vetingu në KPK.

Ndaj tij u zhvilluan dy seanca dëgjimore dhe ai u pyet kryesisht mbi pasurinë dhe vendimmarrjen në disa raste. Procesi ndaj tij në KPK u krye nga një trupë e kryesuar nga Olsi Komici, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Pamela Qirkon.