Dhjetë naftëtare gra vazhdojnë të qëndrojnë në grevë urie. Në ditën e pestë të kësaj greve gjendja e tyre sa vjen dhe përkeqësohet.
Dy prej grevisteve nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore, por thonë se do të qëndrojnë deri në fund. Ato i bëjnë apel të gjitha grave deputete dhe ambasadores së SHBA Yuri Kim që të reagojnë, pasi po jetojnë në një muaj të dhimbshëm.
“Nuk ka ardhur asnjë ndihmë nga spitali dhe nuk pres ndihmë prej tyre. Sot jam me një dhimbje të madhe dhe ju bëj thirrje të gjitha grave dhe zonjave në Parlament, ambasadore Yuri Kim, ambasadores suedeze, zonjës Spiropali. Po jetojmë në një muaj të dhimbshëm, ku nënat po heqin pjesë nga shpirti i tyre për të ushqyer ata fëmijë që kemi lënë jashtë. Mendoj inshallah arrij të dal nga greva. Jam shumë e shqetësuar për gjendjen e shoqes që ishte në grevë. Kemi punuar 34 vite bashkë dhe mendoj a do arrij ta shikoj gjallë? Shpresoj. Nuk pyes për veten time, jam shqetësuar shumë kur mora vesh që ajo është aq rëndë. Bëj thirrje të dalim nga kjo dhomë skëterrë, kërkesat i kemi thënë të gjitha”,- tha njëra nga grevistet.
“Gjendja ime është shumë e keqe, dihet që me 4 ditë në greve kemi probleme. Kam probleme tensioni, aritmi, alergji. Mjekët nuk kanë ardhur, kemi ndihmuar njëra-tjetrën. Kemi rezistuar që të reagojnë instancat, Nuk e di çfarë duan më nga ne?! Ne kemi bërë punën, i kemi respektuar ata që janë lart, edhe ata të na respektojnë neve tani”,- tha një tjetër greviste.