Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, gjatë vizitës së tij në Kosovë ka dhënë sinjale të forta se Greqia shpejt do ta njohë Pavarësinë e Kosovës.
Me të arritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ku u prit nga homologia e tij, Meliza Haradinaj, Dendias ka thënë se çështja e njohjes së Kosovës nuk është çështje e shpresës për njohje, por e vendosjes së marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Ne jemi fqinjë dhe shumë të interesuar për Ballkanin Perëndimor. Nuk është çështje shprese, por një çështje e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve”.
“Dendias vjen me një mesazh shumë të mirë që marrëdhëniet tona po thellohen, jo vetëm në drejtimin e integrimit evropian, por edhe në drejtimin e thellimit të marrëdhënieve tona dypalëshe”.
Ministri Dendias ka zhvilluar një takime të ndara edhe me Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, kryetaren e parlamentit, Vjosa Osmanin, si dhe Ministren e Jashtme Meliza Haradinaj.
Pas takimeve nuk ka pasur deklarata për media. Nëpërmjet një komunikate për mediat, zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet këtyre dy vendeve.
Kosova e cilëson të rëndësishëm rolin përkrahës të Greqisë ngaqë është vend anëtar i BE-së dhe NATOs, organizata këto për të cilat aspiron Kosova. Në takim u tha të jetë diskutuar edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.